Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Hendboll, Rahoveci fiton ndaj Kastriotit dhe mbron titullin

KH Rahoveci

Rahoveci e ka mbrojtur titullin në elitën e hendbollit kosovar.

“Vreshtarët” të enjten mbrëma e fituan edhe ndeshjen e dytë të serisë finale të plejofit ndaj Kastriotit.

Pas fitores në shtëpi në ndeshjen e parë, Rahoveci në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj, fitoi me rezultatin 34:32.

Ndeshja ishte dramatike dhe e luftuar deri në fund.

Titulli u sigurua pas dy vazhdimeve nga pesë minuta.

Edhe Hendboll, Kastrioti një fitore larg titullit Sporte të tjera Hendboll, Kastrioti një fitore larg titullit

Pjesën e parë, Rahoveci e fitoi me rezultatin 14:13.

Kastrioti ishte duke fituar dy minuta para fundit me një gol dallim dhe ishte fare pranë që ta dërgojë serinë finale në ndeshjen e tretë.

Por, Egzon Gjuka realizoi për 25:25.

Deniz Terziqi në minutën e fundit të ndeshjes realizoi për Kastriotin për 26:25, por goli i tij u vlerësua i parregullt për gjyqtarët fillimisht. Pas rishikimit të situatës, gjyqtarët vendosën që ta pranojnë golin e realizuar.

Kështu, Kastrioti krijoi sërish epërsi prej një goli, 26:25.

Gjuka shënoi edhe një herë për Rahovecin katër sekonda para fundit për 26:26 dhe ndeshja shkoi në vazhdime dy herë nga pesë minuta.

Në vazhdime, Rahoveci ishte më i mirë në mbrojtje e më efikas në sulm për fitore dhe për titullin e dytë rresht.

Edhe Kastrioti fiton ndeshjen dramatike me Rahovecin, kualifikohet në finale Sporte të tjera Kastrioti fiton ndeshjen dramatike me Rahovecin, kualifikohet në finale

Gjuka dhe Alban Hazir ishin më të mirët në këtë triumf të Rahovecit. Ata ndeshjen e mbyllën me nga shtatë gola të shënuar. Victor Alonso Garcia i realizoi gjashtë gola, ndërsa me nga pesë gola ndeshjen e mbyllën Arbios Mushkolaj dhe Mali Luzha.

Te Kastrioti, Terziqi kontribuoi me nëntë gola, kurse paraqitje të mirë patën edhe Yassine Henahen dhe Lulzim Shabani. Henahen i shënoi gjashtë gola, teksa Shabani i pati pesë në total, por të pamjaftueshme për ta shmangur disfatën.

Rahoveci e mbylli stinorin e rregullt pa humbje të pësuar, me vetëm një barazim, atë ndaj Kastriotit. Ndeshjet tjera i fitoi.

Në gjysmëfinale të plejofit e eliminoi pa vështirësi Prishtinën.

Ndërkohë, Kastrioti mbetet fitues i Kupës së Kosovës në edicionet e fundit.

Në gjysmëfinale kishte fituar ndaj Rahovecit, ndërsa Besa Famgasin e kishte mposhtur në finalen e zhvilluar në palestrën “Bill Clinton”, para 3 mijë shikuesve.

Palestra ishte e mbushur me shikues edhe të enjten mbrëma.

Edhe Rahoveci e fiton finalen e parë, i afrohet titullit Sporte të tjera Rahoveci e fiton finalen e parë, i afrohet titullit

Kastrioti në pjesën e rregullt të kampionatit përfundoi në vendin e dytë. Në gjysmëfinale e eliminoi Besa Famgasin pas tri ndeshjeve.

Por, mbetet pa titull të kampionit që prej vitit 2011.