Istogu e Samadrexha do të përballen në finale të plejofit në Superligën e Kosovës në hendboll.
Të dielën janë luajtur gjysmëfinalet e dyta të plejofit te hendbollistet, ndërsa fitoret e dyta i shënuan Istogu e Samadrexha.
Istogu fitoi 43:31 në Gjakovë ndaj Shqiponjës dhe me rezultatin 2:0 në ndeshje u kualifikua në finale. Istogu është kampion në fuqi, ndërsa një javë më parë e fitoi Kupën e Kosovës. Stinorin e rregullt e përfundoi në pozitën e parë.
Me 14 gola, më efikasja tek Istogu ishte Suzana Ujkiq. Nëntë i realizoi Dijana Ujkiq e shtatë Nihed Limem.
Dhjetë gola për Shqiponjën i shënoi Alma Nivokazi. Gjashtë i kishte Rosa Silva Ghabrielly.
Ndërkohë Samadrexha ka eliminuar Ferizajn. Pas fitores 31:23 në Ferizaj, Samadrexha të dielën në palestrën e saj, “Afrim Bunjaku”, fitoi 24:20. Tina Hetemi i shënoi gjashtë gola për Samadrexhën, ndërsa pesë i shtoi Mirjeta Dinolli.
Lorena Matarova e Salemateu Camara i shënuan nga pesë gola për Ferizajn.
Samadrexha në stinorin e rregullt ishte e treta, ndërsa Ferizaj i dyti.
Ndeshja e parë dhe ndeshja e tretë eventuale e finales së plejofit do të luhen në Banjë, ku Istogu i organizon ndeshjet si vendas.