Trajneri i Tottenhamit, Antonio Conte, ka pranuar se është i lumtur që më në fund e ka sulmuesin e krahut, Dejan Kulusevski, në ekipin e tij. Lojtari që e prezanton Suedinë ka startuar shumë mirë në Premier League.
21-vjeçari në ditën e fundit të afatit kalimtar iu bashkua Tottenhamit nga Juventusi. Në fakt, ai është huazuar, por te Tottenhami kanë vendosur ta shfrytëzojnë opsionin e blerjes së kartonit të Kulusevskit në fund të edicionit. Kulusevski në fitoren e Tottenhamit 5:1 ndaj Newcastlet, të dielën, kontribuoi me një asistim. Ishte asistimi i tij i pestë krahas dy golave të shënuar te Tottenhami. Ai tashmë ka krijuar një partneritet në sulm me dyshen Harry Kane e Son Heung-min.
Conte, i cili tentoi të nënshkruajë me anësorin kur ai ishte në krye të Interit, ka qenë prej kohësh një adhurues i Kulusevskit. Madje Conte ishte iniciatori që Tottenhami e transferoi Kulusevskin.
“Po flasim për një lojtar që e njoh shumë mirë, sepse ka luajtur në Itali. Ai filloi të luante me Atalantan, më pas u dërgua në huazim te Parma. Kulusevski luajti në mënyrë fantastike në Itali dhe jam i lumtur që më në fund e kam në ekipin tim”, pranoi Conte.
Kulusevski pati vështirësi te Juventusi, ndërsa këtë edicion e humbi edhe vendin e titullarit. Mirëpo te Tottenhami reprezentuesi suedez nuk e ka këtë problem. Ai është i rregullt dhe deri më tani ka nëntë paraqitje për ekipin londinez.
“Po flasim për një lojtar që është vetëm 21-vjeçar”, shtoi Conte. “Dhe ai duhet të vazhdojë të luajë në këtë mënyrë. Sepse ai është i fortë fizikisht, i mirë teknikisht”.
Trajneri italian ka insistuar se Kulusevski është një përforcim ideal për Tottenhamin për të ardhmen.
“Unë mendoj se për Tottenhamin ky është një nënshkrim i mrekullueshëm për të tashmen dhe për të ardhmen. Ne po flasim për një lojtar shumë, shumë të fortë”, tha Conte.
Kulusevski iu bashkua Tottenhamit në të njëjtën ditë me mesfushorin Rodrigo Bentancur, i cili gjithashtu u transferua nga Juventusi. Dhe dy futbollistët tashmë kanë ndihmuar Tottenhamin të ngjitet në katër pozitat e para.
“Unë thashë që me këta dy lojtarë do të jemi shumë të fortë. Pavarësisht se humbëm katër lojtarë në janar, me këto dy nënshkrime të reja e bëmë këtë skuadër më të kompletuar, me më shumë ekuilibër”, tha Conte. “Unë mendoj se është shumë e rëndësishme në futboll të kesh një ide të qartë dhe të kesh një vizion të mirë. Sepse në këtë mënyrë situata është më e thjeshtë”.
Kulusevski në vitin 2020 iu bashkua Juventusit për 40 milionë euro. Për një shumë të tillë edhe Tottenhami do ta blejë kartonin e tij përfundimisht nga ekipi italian në fund të këtij edicioni. Vetë Kulusevski ka pranuar se është ringjallur te Tottenhami pas startit të vështirë që e pati te Juventusi. Ardhja e Massimiliano Allegrit në krye të Juventusit e ndryshoi tërësisht situatën për Kulusevskin, i cili luante rregullisht nën Andrea Pirlon.
“Ishte vështirë. Ishte frustruese që nuk mund të shfaqja aftësitë e mia. Kështu që e kuptova se duhej të bëja një ndryshim. Erdha te Tottenhami dhe jam duke e shfaqur potencialin tim për ta ndihmuar ekipin që të arrij synimin”, ka pranuar Kulusevski.