Sport

Futbollistët e Prishtinës futen në bojkot

Futbollistët e kampiones në fuqi Prishtinës kanë refuzuar të stërviten të mërkurën. Këtë e ka konfirmuar edhe drejtori i klubit, Artan Osmani të mërkurën për KOHËN.

Osmani ka thënë se futbollistët kanë kërkuar shlyerjen e borxhit që ka klubi ndaj tyre. Në fakt, Prishtina u ka mbetur dy paga borxh futbollistëve të Prishtinës.

KOHA mëson se futbollistët kanë refuzuar marrjen e vetëm një page. Kërkojnë t’u paguhen rrogat e dy muajve.

“Aksionarët e klubit janë të njoftuar për kërkesat e futbollistëve dhe jemi duke u munduar që t’ua shlyejmë borxhin. Shpresojmë që mos të vij deri te situata që ta luajmë ndeshjen në fundjavë të luajmë me juniorë”, ka thënë Osmani për KOHËN.

Në fakt, Prishtina që prej fillimit të këtij edicioni ka pasur telashe me pagesa. Ka pasur edhe largime për shkak të borxheve që ka klubi ndaj lojtarëve.

Prishtina është larg pritshmërive këtë edicion. Zë vendin e gjashtë në tabelë me 26 pikë. Në çerekfinale të Kupës, kryeqytetasit do të përballen me Ballkanin.