Interpretimi i këngës nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo” në prag të Forumit të Zgjerimit në Bruksel ka nxitur reagime të shumta edhe në Kosovë. Përfaqësues të pushtetit dhe opozitës e kanë cilësuar ngjarjen skandaloze dhe fyerje ndaj Kosovës dhe kanë kërkuar sqarim dhe përgjegjësi nga organizatorët. Madje janë ngritur edhe kritika ndaj Qeverisë për raportet me aleatët ndërkombëtarë.
Nisja e “Forumit të Zgjerimit” me këngë nacionaliste serbe ka nxitur reagime edhe në Kosovë.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, pas mbledhjes së qeverisë të mbajtur të hënën, kërkoi që të hetohet se si erdhi deri te ky skandal.
“Do ta quaja skandaloze atë që ka ndodhur dhe tronditëse për të gjithë shqiptarët, jo vetëm shqiptarët por për të gjithë ata në rajon që janë prekur nga luftërat nacionaliste të Serbisë. Për këtë çështje ka reaguar edhe, siç e keni parë ambasadori ynë në Bruksel Agron Bajrami, si dhe kryenegociatori me BE-në Jeton Zulfaj”, tha Rizvanolli.
Koncerti ku u luajt kënga për Kosovën u mbajt në prag të “Forumit të Zgjerimit”, ngjarje që organizohet nga Komisioni Evropian, me pjesëmarrje të zyrtarëve institucionalë e shoqërisë civile nga vendet që synojnë integrimin në Bashkimin Evropian.
Edhe kryetarja Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e ka quajtur shqetësues interpretimin e melodisë së këngës nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo” në Bruksel.
“Institucionet evropiane duhet të tregojnë kujdes dhe ndjeshmëri ndaj historisë së rajonit dhe mesazheve që përcjellin”, tha Haxhiu.
E ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike, Vlora Çitaku, në reagimin e saj tha se duhet sqarim, kërkimfalje dhe garanci për mospërsëritje.
“Përkushtimi ynë ndaj BE-së mbetet i palëkundur. Pikërisht për këtë, kërkojmë përgjegjësi në emër të vlerave evropiane. Kosova meriton vendin dhe zërin e saj në debatin për zgjerimin. Institucionet tona duhet të përdorin të gjithë mekanizmat institucionalë dhe diplomatikë për ta trajtuar këtë skandal dhe për të kërkuar përgjegjësi”, tha Çitaku.
Deputetja e Lidhjes Demokratike, Vjosa Osmani, theksoi se ngjarja në Bruksel i atribuohet edhe pushtetit, që sipas saj, i ka larguar miqtë me duart e veta.
“Aleatët nuk i largon dot pa pasoja. Armiqtë nuk presin derisa ti ta kuptosh dëmin. Dhe këtë çmim nuk po e paguan pushteti, por Kosova. Sot, përmes këngëve nacionaliste serbe në organizime të BE-së, ku Kosova as nuk ftohet. Nesër, me goditje edhe më të rënda”, tha Osmani.
Edhe kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, nisjen e Forumit të Zgjerimit me këngën për Kosovën e cilësoi fyerje ndaj shtetit.
“BE sonte tregoi se nuk po e merr seriozisht Kosovën, e kjo nuk ndodh rastësisht. Kur vetë qeveria jonë sillet me papërgjegjësi dhe nuk e merr seriozisht shtetin e vet, nuk mund të presim që të na marrin seriozisht të tjerët”, tha Gjini.
Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi dhe ish-ambasadori i Malit të Zi në Washington, Miodrag Vlahoviq, e ka quajtur provokim të qëllimshëm interpretimin e melodisë së këngës nacionaliste.
Ai ka thënë se kjo nuk e komprometon vetëm komisioneren për zgjerim Marta Kos, por edhe vetë Komisionin Evropian.
Vlahoviq ka thënë se komisionerja për zgjerim vazhdimisht përkrahë parti dhe politikanë nacional-shovinistë, që promovojnë politika që qartazi prodhojnë narrativa dhe përmbajtje jo-evropiane dhe anti-evropiane.