Portieri i Cagliarit, Elia Caprile, nuk e përjashton mundësinë për ta përfaqësuar Shqipërinë në të ardhmen.
Italiani thotë se ende nuk ka pasur kontakt nga FSHF-ja, por pranon se një ftesë e mundshme do të merrej në konsideratë.
Në një intervistë për “Corriere della Sera”, Caprile ka bërë të ditur se deri më tani nuk ka pasur ndonjë kontakt zyrtar nga Federata Shqiptare e Futbollit.
“Nëse nga kjo mund të lindë diçka, nuk e di. Deri më sot askush nga federata shqiptare nuk ka trokitur në derën time. Nëse do ta bëjnë, do ta shqyrtoj”, ka deklaruar portieri italian.
Megjithatë, Caprile nuk e fsheh ambicien për ta përfaqësuar Italinë.
Ai beson se paraqitjet me Cagliarin janë dëshmi se e meriton një mundësi te përfaqësuesja italiane.
“Po dëshmoj se e meritoj Kombëtaren italiane. Besoj se jam në atë nivel. Por e di që gjithçka mund të ndryshojë dhe duhet të përqendrohem vetëm te gjërat që varen nga unë. Për pjesën tjetër nuk brengosem”, është shprehur ai.
Interesimi për Caprilen lidhet edhe me faktin se portieri ka marrë nënshtetësinë shqiptare.
25-vjeçari Caprile partneren e ka nga Shqipëria.