Dorëheqja e Hakif Gashit nga posti i kryetarit të klubit të futbollit Prishtina dhe shkarkimi i Ismet Munishit nga posti i trajnerit nuk janë “zhvillimet” e vetme në klubin bardhekaltër. Zhvillimet përkatësisht telashet janë dukshëm më të mëdha.
Klubi vazhdon të përballet me telashe financiare e organizative. Prishtina sërish ka borxhe ndaj lojtarëve dhe pjesës tjetër të stafit të klubit. Janë plot tre muaj pa u paguar lojtarët dhe anëtarët e tjerë të klubit.
Drejtori i klubit Prishtina, Artan Osmani, pranon situatën e rënduar. Ai thotë se borxhi total në klub është 600 mijë euro.
“Nga muaji dhjetor nuk kemi mundur asnjë kontratë të sponsorizimit ta bënim për shkak të moslicencimit të Federatës së Futbollit të Kosovës. Kjo është arsyeja kryesore pse ne kemi ngecur nga dhjetori. Deri në dhjetor kemi pasur situatën më të mirë financiare prej kur është themeluar klubi. Rrogat kanë qenë të paguara, këstet e ATK-së po ashtu. Praktikisht borxhi i mbetur ka qenë rreth 200 mijë euro për të cilat i kemi pasur kontratat dhe planin e gatshëm për pagesë. Tash borxhi është tri paga, plus ATK-së, që është rritur nga janari deri tash që po flasim nga 200 mijë në 350 mijë. Totali është 600 mijë euro”, ka thënë Osmani për KOHËN.
Në fakt nuk është vetëm Prishtina që po përballet me probleme financiare. Edhe klubet e tjera po kanë telashe financiare shkaku që Komisioni për Shqyrtimin dhe Vlerësimin e Kërkesave për Lëshimin e Vërtetimeve për Sponsorizim në Fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit i ka njoftuar klubet e futbollit se asnjë vërtetim për sponsorizime nuk do të lëshohet derisa Federata e Futbollit e Kosovës të pajiset me licencë nga MKRS-ja. Licencimi duket ende larg, ndërsa klubet përfitonin shumë nga Ligji i Sponsorizimit.
Prishtina ende nuk ka njoftuar për zhvillimet e mëtejme. Nuk dihet se kush do ta zëvendësojë Gashin në krye të klubit. Po ashtu ende nuk dihet se cili do të jetë zëvendësuesi i Munishit.
KOHA ka mësuar se Ardian Nuhiu dhe Ramiz Krasniqi janë kandidatët më seriozë për ta drejtuar skuadrën prishtinase.
“Ardian Nuhiu do të kontaktohet pas ndeshjes së Kupës. Nuhiu dhe Ramiz Krasniqi janë dy kandidatët potencialë për ta marrë drejtimin e Prishtinës”, ka thënë një zyrtar i klubit për KOHËN.
Nuhiu së fundi ka drejtuar Dritën e Gjilanit dhe madje për kohë të gjatë. Me Dritën ka fituar titull të kampionit dhe ka pasur suksese të tjera. Ramiz Krasniqi ka qenë selektor i Kosovës U19. Në të kaluarën ka drejtuar Prishtinën në disa periudha.
Munishi u shkarkua për rezultate të dobëta, sipas klubit. Ai ishte zgjedhur trajner i Prishtinës para fillimit të edicionit aktual. Nën drejtimin e Munishit, Prishtina ka regjistruar tetë fitore, tetë barazime dhe nëntë humbje. Prishtina zë vendin e katërt në Superligë me 32 pikë të mbledhura.
Prishtinën ka kohë që e godasin telashet organizative, që vazhdimisht shoqërohen me ato financiare. Dhe kjo duket se do ta përcjellë edhe në të ardhmen.
Munishi nuk ka pranuar të flasë për shkarkimin dhe situatën e krijuar në klub.