Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Te Prishtina të matur, me gjithë fillimin e furishëm

prishtina

Pesë ndeshje, pesë fitore. 

Prishtina është në krye të tabelës dhe po dëshmon se ambiciet për këtë edicion i ka maksimale.

Te Prishtinë tashmë flitet për trofe. Dhe për realizimin e synimeve kërkohet bashkimi i të gjithë akterëve - klubit, futbollistëve dhe tifozëve.

Ndonëse me një ndeshje më pak të luajtur, Prishtina është e para në tabelë. I ka 15 pikë, dy më shumë se Malisheva. Ka sulmin e dytë më të mirë në ligë dhe njërën prej dy mbrojtjeve më të mira në ligë. Sërish, me një ndeshje më pak të luajtur.

Prishtina ka mposhtur Ballkanin, Llapin, Vushtrrinë, Drenicën dhe Feronikelin 74. Është skuadra e vetme pa humbje dhe skuadra e vetme e kreut pa barazime.

Në fillim të edicionit, Prishtina duket se e ka stabilitetin që i ka munguar gjatë. Po ashtu edhe qetësinë që kërkohet për sukses, ndonëse po detyrohet që shumë prej ndeshjeve si vendase t’i luajë jashtë stadiumit të saj.

 “Kampionati është i gjatë”, tërheq vërejtjen trajneri i Prishtinës, Orges Shehi, që po vlerësohet për punën që po bënë. 

“Kur kemi ndërtuar skuadrën, ambiciet tona ishin për të bërë më të mirën. Ndeshje pas ndeshjeje do të shohim. Kemi krijuar një grup që është premtues, jo vetëm për këtë edicion por edhe për të ardhmen. Do të shohim ndeshje pas ndeshjeje, por e rëndësishme është që të ruajmë këtë ecuri dhe të përmirësohemi sa më shumë. Jemi pjesë e një klubi të madh edhe pse ka vjet që nuk është kampion. Shpresojmë që gjithë komponentët, klubi, lojtarët, tifozët të bashkohemi për një qëllim për të bërë më të mirën tonë. Në fund duke bërë më të mirën shpresoj që të kemi edhe fatin për të arritur suksesin. Unë i falënderoj tifozët që janë pjesë e skuadrës”, ka vazhduar Shehi, që foli të martën për KOHËN.

Në vitin 2021 Prishtina e ka fituar titullin e fundit të kampionit. Kupën e Kosovës e fitoi vjet. Por është titulli që i mungon gjatë skuadrës së kaltër dhe tifozëve të saj. 

Trajneri Shehi gjërat i merr më ngadalë.  

“Duhet të vazhdojmë përpara. Është një ecuri e mirë e rezultateve. Është raport i mirë në aspektin e pikëve, por edhe në aspektin e golave të shënuar dhe të pësuar. Jemi të lumtur për faktin që pjesa e lojtarëve në repartin ofensiv po shënon gola. Duhet të vazhdojmë punën pasi e dimë që na pret rrugë e gjatë para”, ka shtuar Shehi duke tërhequr vërejtjen se si në mbrojtje ashtu edhe në sulm të gjithë lojtarët janë të përfshirë dhe nuk mund të bëhet fjalë për ndarje mes reparteve. 

Një prej futbollistëve më në formë te Prishtina është Albin Krasniqi. Ai ka katër gola të shënuar dhe një asistim. 

Krasniqi është i lumtur me formën që po e kalon skuadra. Assane Diatta është realizatori më i mirë i Prishtinës dhe i Superligës me gjashtë gola. Ai u shpall më i miri i xhiros së gjashtë, në të cilën Prishtina fitoi 3:0 ndaj Feronikelit 74.

“Jemi të lumtur me formën tonë pasi pesë fitore në po aq ndeshje nuk arrihen lehtë. Nuk ka ekip që mposhtet lehtë në Superligë. Mendoj që është ende herët të flasim për titull. Fokusi ynë maksimal është ndeshja e radhës, kurse sa i përket titullit, llogaritë do t’i bëjmë në fund. Mundohemi që ato gjëra që i kërkon trajneri t’i zbatojmë në përpikëri. Mendoj që jemi në rrugën e duhur, por është ende fillimi”, u shpreh 25-vjeçari Krasniqi. 

Prishtina në fundjavë e luan derbin e radhës, në udhëtim ndaj Gjilanit. Nëse vazhdon me fitore, do të shkojë me shumë pozitivitet në pushimin e gjatë për shkak të ndeshjeve të përfaqësueseve.