Futboll

Seria e fitoreve rrit optimizmin te Prishtina për kthim të titullit

pr

Kanë kaluar pesë vjet prej kur Prishtina së fundi e fitoi titullin e kampionit në Superligën e Kosovës në futboll.

Dhe me ecurinë aktuale, skuadra e kaltër po jep shenja se është gati për t'i dhënë fund pritjes së gjatë për trofeun kryesor.

Prishtina ka vetëm një humbje dhe një barazim në dhjetë xhirot e para të këtij edicioni.

Ka gjashtë fitore rresht dhe është e pamposhtur në shtatë ndeshjet e fundit. Është lidere me 25 pikë.
KOHA ka përcjellë nga afër të martën stërvitjen e Prishtinës, të zhvilluar nën udhëheqjen e trajnerit Arsim Thaqi, e që është mbajtur në stadiumin e 2 Korrikut.

Thaqi është i kënaqur me punën që janë duke e bërë futbollistët e tij.

Ai thotë se titullin e kampionit e dëshirojnë të gjithë tifozët e Prishtinës.

“Deri më tani jemi të kënaqur me grupin e lojtarëve që kemi. Kemi lojtarë të mjaftueshëm për të gjitha pozicionet. Shpresojmë të vazhdojë ritmi i punës dhe i rezultateve, në mënyrë që Prishtina pas një kohe të gjatë t’i gëzohet një suksesi që është historik. Kuptohet, është titulli kampion të cilin e dëshiron kryeqyteti dhe tifozët. Por edhe ne si staf, që kemi bërë punë vërtetë të jashtëzakonshme”, deklaroi 54-vjeçari Thaqi.

Rezultatet e arritura deri më tani, Arsim Thaqi thotë se kanë qenë të pritura.

Ai drejtimin e Prishtinës e mori në muajin prill.

Edicionin e kaluar, Thaqi e udhëhoqi Prishtinën drejt triumfit në garë për Kupë të Kosovës.  

“Jemi shumë të gëzuar që gjërat kanë shkuar mirë deri në këtë moment. Kontributi është i madh, i jashtëzakonshëm.  Nga klubi për krijimin e kushteve, nga lojtarët që meritojnë lëvdata për karakterin që e kanë treguar në këto ndeshje. Por edhe pjesa e tifozëve që vërtetë ka qenë motiv shtesë për ekipin, që lojtarët të marrin çdo ndeshje me angazhim maksimal", ka shtuar trajneri prishtinas.

Prishtina bëri shumë ndryshime në përbërje pas përfundimit të edicionit të kaluar.

Mbeti pa futbollistë të rëndësishëm si Dion Gallapeni e Ron Raqi, por afroi shumë lojtarë të tjerë.

Ndër futbollistët që u transferuan në verë ishte Gjelbrim Taipi.

Mesfushori me përvojë shpreson që skuadra ta vazhdojë formën e mirë deri në fund të edicionit.

“Në shtatë ndeshjet e fundit kemi arritur që të marrim gjashtë fitore. Mendoj se është një ecuri shumë pozitive. Ekipi është konsoliduar mjaft mirë, gjërat janë duke shkuar si duhet. Normalisht, kur janë rezultatet pozitive skuadra e ka vetëbesimin dhe i vë në pah vetitë pozitive si në anën teknike, si në anën taktike", u shpreh Taipi.

Prishtina ndeshjen e radhës në Superligë e luan të mërkurën nga ora 13:00 ndaj Llapit në “Zahir Pajaziti” në Podujevë.

Te Prishtina synojnë fitore ndaj skuadrës llapjane, për hap tjetër drejt synimit të madh.