Kapiteni Ardian Limani numëron disa arsye pse Prishtina këtë edicion do të jetë prej ekipeve favorite për ta fituar titullin e kampionit të Kosovës në futboll.
Ai thotë se në radhë të parë ekipi funksionin si grup. Arsye e dytë është përkrahja nga tribunat, përkatësisht “Plisat”, kurse arsye tjetër është puna e mirë e stafit të trajnerëve dhe drejtuesve të klubit.
“Prishtina këtë vit frymon ndryshe”, ka thënë Limani të hënën për KOHËN.
Ai kontribuoi me gol dhe asistim në fitoren 3:1 kundër Malishevës, të dielën në udhëtim. Shënoi golin për 2:1, ndërsa asistoi në golin e tretë të shënuar nga Valmir Veliu.
Me fitoren e shënuar ndaj Malishevës, Prishtina u bë lidere e Superligës me dhjetë pikë. Pikë të njëjta ka edhe Dukagjini.
“E ndiejmë një energji tjetër, sepse janë afruar lojtarë shumë të mirë të cilët dinë rrugën e trofeve”, është shprehur Limani.
Prishtina është fituese në fuqi e Kupës së Kosovës. Por titullin për herë të fundit e ka fituar në edicionin 2020/2021.
“Jemi shumë të bashkuar si skuadër dhe më e mira është që këtë vit janë kthyer fuqishëm edhe tifozët tanë ‘Plisat’, të cilët na japin forcë dhe motiv më të madh. Gjithashtu puna e mirë e stafit qysh nga faza përgatitore dhe profesionalizmi i madh i klubit janë pika tjera të forta për ne”, thotë ish-kapiteni i Dritës.
Në Kosovë, Limani ka luajtur edhe për Feronikelin, ndërsa karrierë ka bërë edhe te Shkëndija e Tetovës. Prishtinës iu bashkua vitin e kaluar.
Prishtina u kthye në gara evropiane pas katër vjetësh. U eliminua në raundin e parë kualifikues të Ligës së Evropës e më pas edhe në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Limani vlerëson se në Superligë kanë treguar se rezultatet në garat kualifikuese evropiane, nuk kanë qenë reale.
“Ne e filluam sezonin me ndryshime të mëdha. Gjërat e mëdha kërkojnë kohën e vet. Ne kemi treguar që rezultatet e garave evropiane nuk janë reale. E kemi pritur reagimin nga i gjithë ekipi. Gjithsesi, duhet ende punë, sepse është vetëm fillimi. Kemi qenë të sigurt që skuadra do të shfaqet ndryshe në Superligë, bazuar në kualitetin e futbollistëve dhe punën e mirë që ka bërë stafi gjatë gjithë kësaj periudhe”, ka thënë Limani.
Prishtina bëri shumë ndryshime në përbërje pas përfundimit të edicionit të kaluar.
Prishtina shihet prej favoriteve kryesore për titull edhe nga njerëz të komunitetit të futbollit në vend.
“Nuk i dëgjoj shumë deklaratat apo mendimet e komunitetit, mirëpo nëse ata thonë se kemi shanset tona për titull, atëherë unë pajtohem me ata, sepse e di forcën tonë nga brenda. Nuk do të jetë aspak e lehtë, sepse është sezoni më i balancuar në vitet e fundit dhe ne jemi ndër 3-4 skuadrat favorite”.
Mbrojtësi me përvojë tregon edhe emrat e tri klubeve tjera që i sheh si pretendente për titull.
“Nuk mund të parashikoj rrjedhën e kampionatit sepse është ende shumë herët, por jam i sigurt se gjërat do të shkojnë mirë për ne. Do të jemi në luftë, pastaj detajet do të vendosin gjithçka. Drita, Ballkani dhe Gjilani kanë skuadra tepër të mira, kështu që do të luftojmë deri në fund, ndeshje pas ndeshje”, ka thënë Limani.
Prishtina e luan ndaj skuadrës së promovuar në Superligë, Prishtinës së Re, ndeshjen e xhiros së gjashtë të Superligës.