Dy nga ekipet me paraqitjet më të dobëta gjatë këtij edicioni në Superligën e Kosovës në futboll, Prishtina dhe Llapi, do të përballen në finale të Kupës të enjten mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Fituesi i Kupës “shpëton” sezonin dhe siguron paraqitjen në garat evropiane në edicionin e ardhshëm.
Prishtina është e shtata në tabelë, pak mbi zonën e rënies, kurse Llapi është në zonën e barazhit, përkatësisht në vendin e tetë.
Derisa Prishtina fundjavën e kaluar me vështirësi siguroi mbijetesën në Superligë, Llapit i duhet fitore në xhiron e fundit për të siguruar barazhin e pastaj nëpërmjet tij mbetjen në elitën e futbollit kosovar.
Por pavarësisht rezultateve të dobëta në Superligë, të dyja skuadrat kanë treguar nivel në garën për Kupë.
Prishtina e Llapi kanë eliminuar nga katër skuadra në rrugën drejt finales, e cila luhet të enjten nga ora 20:00 në stadiumin që mban emrin e legjendës Vokrri, që nisi karrierën te Llapi dhe arriti kulmin te Prishtina.
Prishtina synon kthimin në Evropë pas tre vjetësh.
“Besoj shumë te lojtarët e Prishtinës dhe shpresoj shumë që pas tre vjetësh Prishtina këtë vit do të luajë në Evropë”, ka thënë trajneri i Prishtinës, Arsim Thaqi për KOHËN të mërkurën.
Ai përmend gjërat pozitive që mund t’ua ofrojë lojtarëve paraqitja në Evropë.
“Prishtina ka forcë për ta mbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme garën e Kupës. Personalisht besoj shumë te motivi i lojtarëve për të dhënë maksimumin në këtë ndeshje. Është një ndeshje që u jep shumë mundësi lojtarëve që të zhvillohen edhe më shumë gjatë ndeshjeve me klube të Evropës”.
Drejtimin e Prishtinës, Thaqi e mori më 6 prill, ndërsa debutoi me fitore ndaj Dritës në gjysmëfinale të Kupës. Llapi e eliminoi në gjysmëfinale Drenicën, që kthehet në Superligë.
“Ekipi është gati për të zhvilluar një ndeshje cilësore. Pas fitores së fundit në kampionat, është e kuptueshme që kemi pasur qetësi për të punuar edhe më shumë për ndeshjen e Kupës. Gjendja e lojtarëve është e mirë dhe motivi për të shënuar fitore është maksimal”, ka theksuar Thaqi.
Prishtina ka fituar tetë herë Kupën e Kosovës. Së fundi në finale të Kupës u paraqit në edicionin e kaluar. Humbi nga Ballkani pas ekzekutimit të penalltive.
“Nuk na lejohet të bëjmë gabime. Ne e respektojmë Llapin, i cili ka lojtarë me eksperiencë dhe lojtarë të rinj mjaft cilësorë. Kjo është një garanci se loja do të jetë shumë cilësore dhe e nivelit të lartë”, ka thënë Arsim Thaqi.
Ndeshje cilësore pret edhe trajner i Llapit, Tahir Batatina. Llapi ka fituar dy herë rresht Kupën – në edicionet 2020/2021 dhe 2021/2022.
“Edhe pse kanë munguar rezultatet, gjithmonë kam pasur besim te skuadra dhe lojtarët e mi. Do ta bëjmë maksimumin në finale. Secili trajner dëshiron ta udhëheqë një ekip në finale. Ne jemi në finale. Edhe në Evropë kemi parë skuadra që nuk janë favorite, por dalin fituese. Për ne e rëndësishme është që të japim gjithçka në fushë”, ka thënë Batatina për KOHËN të mërkurën.
Te Llapi kanë bërë thirrje për përkrahje masive. Ka kohë që kanë nisur fushatë për këtë.
“Është një mobilizim i jashtëzakonshëm i tifozëve llapjanë. Besoj se do të jetë një atmosferë e mirë, ashtu siç i ka hije ndeshjes finale. Derbi ndërmjet Prishtinës dhe Llapit gjithmonë sjell entuziazëm dhe shikueshmëri. Besoj se do të jetë një stadium i mbushur, pasi hijeshia janë tifozët. Do të jetë motiv shtesë për ne. Sa herë që kemi luajtur ndaj Prishtinës në ‘Fadil Vokrri’, llapjanët kanë dominuar në tribuna. Presim një atmosferë të mirë dhe uroj të shohin edhe futboll të mirë”, është shprehur Batatina.
Trajneri llapjan thotë se fokusi është te ndeshja finale e Kupës e jo tek ajo në kampionat.
“Nuk mendojmë për ndeshjen e fundit, mendojmë vetëm për finalen e më pas do të fokusohemi për ndeshjen e fundit në kampionat, të cilën e zhvillojmë në shtëpi”, ka thënë Batatina.
Prishtina e Llapi janë përballur tri herë gjatë këtij edicioni në Superligë. Të tria ndeshjet nuk kanë dhënë fitues.
Të enjten mbrëma do të ketë një fitues të madh.