Te fituesja e Kupës së Kosovës në futboll, Prishtina, pranojnë se përmbysja e rezultatit kundër Sheriff Tiraspolit do të jetë e vështirë. Prishtina humbi nga Sheriffi në Moldavi me rezultat të thellë 4:0 javën e kaluar. Por te skuadra e kaltër premtojnë ndeshje të madhe të enjten mbrëma ndaj ekipit moldav.
Ndeshja kthyese e raundit të parë kualifikues të Ligës së Evropës ndërmjet Prishtinës dhe Sheriff Tiraspolit zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë. Ndeshja nis në orën 20:00 dhe do të transmetohet në KTV.
“Është humbje që mendoj se është e thellë, nuk është rezultat real. Por, forcat e të dyja ekipeve mendoj se do të tregohen nesër para tifozëve tonë. Kështu që shpresoj që gjërat të shkojnë ashtu siç i kemi planifikuar ne, dhe normal për ne do të ishte shumë e rëndësishme fitorja, me çfarëdo rezultati. Kuptohet që duhet të pretendojmë pastaj dhe të përgatitemi për ndeshjen e Ligës së Konferencës pas një jave”, ka thënë Thaqi në konferencë për media.
Trajneri Thaqi ka theksuar se Prishtinës i mungoi fati në disa momente gjatë ndeshjes në Tiraspol.
“Ne ishim edhe të pafat në disa situata ku Blend Baftiu kishte dy raste përballë portierit, pastaj Valmir Veliu e qëlloi shtyllën. Të gjitha këto gjëra, kuptohet kur ke përballë një ekip siç është Sheriffi, dështimet e kësaj natyre nuk falen, me vetë faktin që Sheriffi ato raste që i pati, i realizoi. Ekipet e mëdha normalisht që pak mundësi që i kanë, ato i realizojnë. Kjo është e kuptueshme. Megjithatë, ne e kemi llogaritur që si ekip që është e fortë, por ndoshta më tepër se që duhet e kemi vlerësuar dhe kjo ndikoi ndoshta negativisht te paraqitja e lojtarëve, me vetë faktin që ne kemi bërë disa gabime individuale”, është shprehur Thaqi.
Prishtina ka bërë ndryshime të shumta në skuadër gjatë verës dhe kjo ka ndikuar edhe në paraqitje.
“Kjo ndeshja e dytë kuptohet se nuk kemi çfarë të humbim, do të luftojmë maksimalisht, sidomos në pjesën e parë do të provojmë të bëjmë ato që lojtarët dinë të bëjnë më së miri, e pastaj normalisht kuptohet përveç të pretendojmë më tepër sesa ndoshta që duket diçka imagjinare, është futboll në fund të fundit, dhe pse të mos provojmë, nuk kemi çfarë të humbim në këtë rast. E kemi edhe një mundësi tjetër siç është Liga e Konferencës, ta përgatisim ekipin edhe për atë ndeshje”, ka theksuar ai.
Para se ta nisë fushatën në Evropë, Prishtina i ka angazhuar disa lojtarë, si: Gjelbrim Taipi, Mario Ilievski, Gjorgje Shaletiq, Akileu Ndreca, Valmir Veliu, Hamdi Namani, Blend Baftiu, Drin Bajraktari, Dren Zeqiri. Por është ndarë, po ashtu me disa lojtarë shumë të rëndësishëm. Taipi pritet të paraqitet nga minuta e parë të enjten mbrëma.
Prishtina për herë të parë në Evropë u paraqit në edicionin 2017/18. Së fundi, në gara evropiane Prishtina u paraqit në edicionin 2021/2022.
Në konferencë me trajnerin Thaqi ishte edhe mbrojtësi Ardian Limani.
“Përderisa neve na lejon matematika dhe kemi shanse për të zhvilluar ndeshje të madhe, ne nuk guxojmë të mendojmë tjetër veçse të provojmë me të gjitha forcat. E dimë që është ndeshje shumë e vështirë për t’u kthyer, mirëpo ne jemi duke u futur me bindjen e madhe që do të luftojmë dhe të paktën të marrim një fitore dhe të luajmë ashtu siç na ka hije, sepse do të na ndihmonte për anën psikologjike në ndeshjet e ardhshme”, ka thënë Limani.
Ai ka vlerësuar ekipin e Sheriffit, por ka theksuar se Prishtina i afrohet me cilësi.
“Unë mendoj që cilësia është goxha e përafërt me Sheriffin. Mund të dukem naiv me këtë përgjigje, por me aq sa kam parë, nuk është dallim i madh”, është shprehur ai.
Te Sheriffi kanë thënë se rezultati 4:0 është shumë i favorshëm. Por ai ka vlerësuar potencialin që ka ekipi i Prishtinës.
“Rezultati 4:0 duket komod, por jo për ne. Nuk ka kohë për t’u relaksuar. Rezultati nuk ka rëndësi për ne. Do ta marrim ndeshjen shumë seriozisht. Janë dy ndeshje krejtësisht të kundërta. Njërën e luajtëm në shtëpi, tani jemi mysafir. Mund të jetë skenar ndryshe. Ne luajmë për fitore në çdo ndeshje”, ka thënë trajneri i Sheriff Tiraspolit, Victor Mihailov.
Pjesë e ekipit moldav është edhe Amarildo Gjoni. Ai bëri asistim në golin e parë në ndeshjen në Tiraspol.
“Ne jemi me fat që ai është krejtësisht i aftë për ndeshje. Ai është përshtatur shumë mirë në ekipin tonë, por mbetet të shihet se si do të jetë ecuria e tij në të ardhmen”, është shprehur Mihailov.
Sheriffi është nënkampion dhe fitues në fuqi i Kupës së Moldavisë. Në edicionin 2021/2022 luajti në fazën grupore të Ligës së Kampionëve.
Ishte në grup me Real Madridin, Interin dhe Shakhtar Donetskun. Madje kishte fituar 2:1 ndaj Real Madridit në “Santiago Bernabeu” më 28 shtator të vitit 2021.