Futboll

Limani: Kemi kualitet për të marrë rezultat pozitiv

Ardian Limani

Mbrojtësi Ardian Limani ka thënë se Prishtina ka skuadër kualitative për t’u kthyer me rezultat pozitiv në Kosovë. Ai pranon se Prishtinën e pret punë e vështirë ndaj Sheriff Tiraspolit.

Ndeshja e parë mes Sheriffit dhe Prishtinës zhvillohet në “Sheriff Arena” në Tiraspol të Moldavisë, të enjten nga ora 19:00. Ndeshja e kthimit është më 17 korrik në “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

“Presim ndeshje të fortë nesër, sepse dihet që Sheriff Tiraspoli është ekip me histori dhe shumë i fortë, por ne ka një muaj që jemi duke u përgatitur për këtë ndeshje. Kemi kualitet për të marrë rezultat pozitiv për t’u kthyer më të qetë në Kosovë për ndeshjen e kthimit”, ka thënë Limani për faqen e klubit.

Prishtina kthehet pas katër vjetësh në gara evropiane. Së fundi, në gara evropiane Prishtina u paraqit në edicionin 2021/2022.

Prishtina është fituese e Kupës së Kosovës, kurse Sheriffi është nënkampion dhe fitues në fuqi i Kupës së Moldavisë.