Sheriff Tiraspoli është prej skuadrava më të mëdha që paraqiten në raundin e parë kualifikues të Ligës së Evropës. Dhe pikërisht me Sheriffin përballet Prishtina, fituesja në fuqi e Kupës së Kosovës në futboll.
Ndeshja e parë mes Sheriffit dhe Prishtinës zhvillohet në “Sheriff Arena” në Tiraspol të Moldavisë, të enjten nga ora 19:00. Ndeshja e kthimit është më 17 korrik në “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Në short Sheriffi ishte në vazon e parë, ndërsa Prishtina në vazon e dytë. Madje, ishte e fundit në vazon e dytë. Në bazë të kësaj, Sheriffi llogaritet favorit për të avancuar në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Evropës.
Liga e Evropës është niveli i dytë i garave kontinentale për klube të futbollit.
Prishtina tashmë ka përvojë në këtë garë. Në edicionin 2017/18, në debutim, u ndal në raundin e parë kualifikues nga Norrkopingu i Suedisë. Një edicion më pas, në raundin preliminar, e kaloi Europan e Gjibraltarit, kurse u eliminua nga Fola Esch e Luksemburgut në raundin e parë kualifikues. Në edicionet 2019/2020 dhe 2020/2021 skuadra prishtinase u ndal në raundin preliminar. Në edicionin 2020/2021, madje humbi me rezultat zyrtar për shkak se kishte lojtarët me koronavirus.
Së fundi, në gara evropiane Prishtina u paraqit në edicionin 2021/2022. Nisi në Champions ku e kaloi raundin preliminar. Në raundin e parë kualifikues u eliminua nga Ferencvaroshi hungarez. Më pas vazhdoi në Ligën e Konferencës. E kaloi raundin e dytë kualifikues, kurse u eliminua në raundin e tretë kualifikues nga Bodo/Glimt e Norvegjisë.
Prishtina kthehet pas katër vjetësh në gara evropiane, me synim për të bërë hap tutje. Deri më tani i ka 17 ndeshje evropiane të zhvilluara.
Para se ta nisë fushatën në Evropë, Prishtina i ka angazhuar disa lojtarë, si: Gjelbrim Taipi, Mario Ilievski, Gjorgje Shaletiq, Akileu Ndreca, Valmir Veliu, Hamdi Namani, Blend Baftiu, Drin Bajraktari, Dren Zeqiri. Por është ndarë, po ashtu me disa lojtarë shumë të rëndësishëm.
Sheriffi është nënkampion dhe fitues në fuqi i Kupës së Moldavisë. Në edicionin 2023/2024 është paraqitur në fazën grupore të Ligës së Evropës. Fazën grupore në Ligën e Evropës e kishte kaluar në edicionin 2022/2023, ndërsa në edicionin 2021/2022 luajti në fazën grupore të Ligës së Kampionëve.
Ishte në grup me Real Madridin, Interin dhe Shakhtar Donetskun. Madje kishte fituar 2:1 ndaj Real Madridit në “Santiago Bernabeu” më 28 shtator të vitit 2021.
Sheriffi i ka luajtur tashmë tri ndeshje në edicionin e ri të kampionatit moldav. I ka shënuar tri fitore.
“Tri ndeshjet që i kemi luajtur janë përgatitje e mirë për kupa evropiane. Ekipi është në formë të mirë, fizikisht dhe mentalisht. Ndeshjet evropiane kanë emocione të tjera. Do të japim çdo gjë dhe shpresojmë që çdo gjë të jetë në rregull. Ekipi nga Kosova ka kualitet dhe dëshiron të luajë futboll. Nëse lejohet të luajë, mund ta bëjë këtë. Ka lojtarë teknikë. Në bazë të kësaj do ta ndërtojmë lojën tonë. Është ekip shumë serioz dhe i disiplinuar. Jemi përgatitur për këtë”, ka thënë trajneri i Sheriffit, Viktor Mihaylov.
Ai ka theksuar se synim i Sheriffit është kualifikimi në fazën e ligës.