Prishtina pati kundërshtar shumë të fortë në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Evropës. Sheriff Tiraspoli ishte favorit dhe avancoi në raundin e dytë kualifikues, ndërsa Prishtina u bart në rrethin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, që është niveli i tretë i garave të organizuara të UEFA-s. Në Tiraspol, Sheriffi fitoi 4:0, ndërsa Prishtina në “Fadil Vokrri” triumfoi 2:1. Paraqitja në ndeshjen kthyese ishte shumë më e mirë në krahasim me ndeshjen e parë. Tani “bardhekaltrit” do t’i kenë edhe dy ballafaqime tjera të forta evropiane. Prishtina të enjten mbrëma luan në udhëtim te Larne e Irlandës së Veriut, në ndeshjen që nis në orën 21:00. Ky ballafaqim luhet në stadiumin “Ballymena Showgrounds”, që ka kapacitet prej 8 mijë ulëseve. Ndeshja kthyese luhet pas një jave në Prishtinë.
Prishtina është 11 herë kampione e Kosovës dhe me trajnerin Arsim Thaqi e fitoi trofeun e nëntë të Kupës në edicionin e kaluar.
“Jemi të përgatitur maksimalisht për ndeshjen ndaj Larnes dhe e dimë rëndësinë që ka kjo sfidë për klubin dhe tifozët tanë. Do të japim gjithçka në fushë për të arritur një rezultat pozitiv. Kemi besim në grupin tonë dhe jemi të motivuar të tregojmë vlerat e Prishtinës në arenën ndërkombëtare, sidomos pas paraqitjes të cilën e treguam ndaj Sheriff Tiraspolit”, ka deklaruar kapiteni i Prishtinës, Leotrim Kryeziu, për faqen zyrtare të klubit.
Nëse Prishtina e eliminon Larnen e Irlandës së Veriut, në rrethin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës do ta ketë fituesin e ndeshjes Varazhdin – Santa Clara. Nga skuadrat e Kosovës, në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës paraqitet edhe Ballkani, që e fitoi ndeshjen e parë ndaj Florianas së Maltës në Prishtinë, 4:2. Drita ndërkohë është në rrethin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve. E humbi ndeshjen e parë në Kopenhagë 2:0 nga Copenhageni.
Larne ka histori 136-vjeçare, klub i themeluar në vitin 1889. Por, sukseset në Irlandën e Veriut nuk i ka të mëdha. Dy titujt në elitën e futbollit të Irlandës së Veriut i ka të fituara në edicionet 2022-23 dhe 2023-24.
“Kam mësuar se skuadra duhet të besojë se është më e mirë sesa që mendon se është. Duam ta luajmë lojën tonë. Nuk duam që t’i përshtatemi stilit të lojës së skuadrave tjera. Përgatitjet kanë qenë të mira. Jemi të gatshëm dhe të etur, kështu që shpresoj se do ta pasqyrojmë të arriturën e javës së kaluar”, ka thënë trajneri i Larnes, Nathan Rooney, për “BBC Sport NI”, por e ka vlerësuar lart Prishtinën.
“Ata janë shumë të fortë, kanë mentalitet shumë të fortë. Do të jetë ndeshje e shpejtë, pak a shumë e ngjashme si ajo kthyese ndaj Audas. Ndoshta do të jetë ndeshje shumë e hapur”.
Larne në të kaluarën është ballafaquar me Ballkanin në garat kualifikuese, prej skuadrave që janë nga Kosova. Ballkani e eliminoi Larnen me rezultat të përgjithshëm 7:1 në edicionin 2023-24 në rrethin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, ndërsa në edicionin e kaluar Larne e eliminoi tri herë kampionin e Kosovës 4:1 pas ekzekutimit të penalltive, në rrethin e tretë kualifikues të kësaj gare. Më pas e kishte siguruar fazën e ligës në Ligën e Konferencës. U bë skuadra e parë nga liga irlandeze që siguron fazën e ligës së një gare të madhe evropiane.