Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Stadiumi, “problemi” që Prishtina ende nuk e ka tejkaluar

FC Prishtina

Pas ndryshimeve në udhëheqje, klubi i futbollit Prishtina ka gjetur stabilitet. Të paktën në aspektin organizativ është prej klubeve më stabile në Superligën e Kosovës. 

Por klubi me më së shumti trofe në vend, ende nuk po mund ta tejkalojë një situatë që e ka përcjellë vjetëve të fundit. Dhe që nuk varet vetëm prej tij.

Prishtina nuk po mund t’i luajë të gjitha ndeshjet në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet. Shumë prej tifozëve e njohin ende si stadiumi i Prishtinës, por që nuk është vetëm i saj. 

Kjo situatë e ka përcjellë Prishtinën që nga rinovimi në tërësi i stadiumit të vetëm ku Kosova mund t’i luajë ndeshjet ndërkombëtare. Të dielën Prishtina luajti si vendase por jo në stadiumin në kryeqytet.

“Na është thënë për shkak të ndeshjeve të Kombëtares”, ka thënë presidenti i FC Prishtina, Driton Krasniqi.

Krasniqi ka qenë për shumë vjet kapiten i Prishtinës e më vonë edhe drejtor sportiv. Tani është drejtues i Prishtinës, e cila ndeshjen kundër Dritës e luajti në Hajvali. 

Në Hajvali e luajti edhe ndeshjen kundër Dukagjinit në kuadër të xhiros së tetë, e po ashtu atë kundër Vushtrrisë në xhiron e katërt. 

Ndeshjen e xhiros së gjashtë kundër Feronikelit 74, Prishtina e luajti në stadiumin “18 Qershori” në Klinë.

Vetëm dy ndeshjet e para si vendëse i organizoi në “Fadil Vokrri”, kundër Ballkanit dhe Llapit. 
Sa herë që Kosova ka pasur dhe ka ndeshje për të zhvilluar, Prishtina detyrohet që ndeshjet si vendase t’i organizojë në fusha të tjera.

Zhvillimi i ndeshjeve jashtë Prishtinës vlerësohet se ka ndikim në rezultatet e skuadrës. 

Pas humbjes 3:0 në derbi nga Drita të dielën, trajneri Orges Shehi shprehu pakënaqësi  që Prishtina nuk po i luan në “Fadil Vokrri” ndeshjet.

“Nuk mbaj mend kur kemi luajtur në ‘Fadil Vokrri’. Aq kohë u bë që s'luajmë atje. Dy ndeshjet e para i luajtëm në shtëpi, pastaj gjithë kohën jashtë. Mendoj se dukemi si skuadër pa fushë të vetën”, ka thënë Shehi.

Në fakt, stadiumi “Fadil Vokrri” është i tejngarkuar. Së fundmi ka pasur kritika të shumta nga përzgjedhësi i Austrisë, Ralf Rangnick, lojtarët dhe vetë përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, për gjendjen e fushës.

Edhe më herët fusha e stadiumit ka qenë temë diskutimi. Dhe për ta bërë gati për ndeshjet e radhës, apo për ta ruajtur fushën për ndeshje ndërkombëtare, Prishtina duhet të zhvendoset shpesh.

Stadiumin tashmë e menaxhon FFK-ja dhe skuadra prishtinase e ka qasjen e kufizuar.

Kampi në Hajvali, nuk është “shtëpi” vetëm e Prishtinës. Është e shumë klubeve të Superligës herë pas here.