Gruaja nga Peja, e cila u vra të dielën në mbrëmje, tri ditë para rastit i ka paralajmëruar institucionet për rrezikun për jetën e saj.
Me një letër drejtuar prokurores në Pejë, ajo kishte kërkuar urgjentisht marrjen e masave ndaj atyre që siç ka shkruar ajo, kishin dështuar t’i përmbushin detyrat e tyre, në mbrojtjen e jetës së saj.
“Kërkoj urgjentisht marrjen e masave ndaj të gjithë zyrtarëve që kanë dëshmuar rëndë në përmbushjen e detyrave të tyre, duke bartur përgjegjësinë të njëri-tjetri, e kështu duke lejuar që pasojat dhe rreziku për jetën time të vazhdojnë. Kërkoj ekzekutimin e menjëhershëm të urdhrit gjyqësor dhe hapjen e hetimeve ndaj të gjithë zyrtarëve të përfshirë, duke filluar nga QPS-ja”, thuhet në letër.
Viktima tutje kishte shkruar se uron që institucionet përgjegjëse të mos detyrohen të japin llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta e saj, derisa letrën e dërguar e kishte quajtur “shpresën e saj të fundit”.
“Kjo është shpresa ime e fundit. Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime. Tani po e kuptoj pse ka kaq shumë vrasje! Gruaja me ligj në dorë po e vritka gruan – jo burri. E dhimbshme deri në asht”, përfundon letra.
Gjithashtu sipas Policisë, ditën kur u vra në orën 19:00 në Stacionin Policor në Pejë viktima kishte njoftuar për dhunë në familje, ku ishte arrestuar bashkëshorti i saj e ishte ndaluar më pas për 48 orë. E më vonë, sipas njoftimit, viktima “me vullnetin e saj” ishte dërguar në shtëpinë e saj në Vitomericë. Rreth orës 21:10 Policia ishte njoftuar se e njëjta ishte gjetur pa shenja jete.
I dyshuar për vrasjen është kunati i saj, i cili sipas Policisë është ende në arrati.
Viktima thuhet se ka vdekur pas goditjeve me mjet të fortë.
E pas publikimit të letrës së viktimës në media, në orët e para të së hënës ka reaguar Prokuroria Themelore në Pejë.
Prokuroria ka njoftuar se më 22 tetor, “kryeprokurorja e kësaj prokurorie kishte pranuar një parashtresë nga e ndjera A.Z., përmes së cilës ajo kishte kërkuar ndërmarrjen urgjente të veprimeve ndaj zyrtarëve të institucioneve përgjegjëse, duke pretenduar se ata kishin dështuar në përmbushjen e detyrave zyrtare gjatë trajtimit të rastit të saj, përfshirë edhe ekzekutimin e një vendimi gjyqësor”.
“Me qëllim të vlerësimit të pretendimeve në aspektin e përgjegjësisë penale, në drejtim të veprës penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’, parashtresa u regjistrua për trajtim nga prokurori kompetent. Njëkohësisht, ajo iu përcoll për trajtim urgjent autoriteteve përkatëse institucionale, përfshirë Drejtorinë Rajonale të Policisë në Pejë, Gjykatën Themelore në Pejë, Drejtorinë për Mirëqenie Sociale dhe Qendrën për Punë Sociale, me kërkesën që të shqyrtohen pretendimet dhe të verifikohen lëshimet e mundshme apo veprimet e zyrtarëve përkatës, brenda kompetencave të tyre institucionale”, thuhet në sqarimin e Prokurorisë.
Sa i përket ekzekutimit të vendimit gjyqësor, i cili kishte të bënte me shfrytëzimin e barabartë të shtëpisë, Prokuroria ka njoftuar se ky vendim ishte ekzekutuar nga prokurorja kujdestare, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.
Lidhur me rastin ka pasur reagime nga ku është kërkuar dorëheqje dhe llogaridhënie nga personat kompetent në organet të cilat konsideroheshin që mund ta mbronin jetën e viktimës.
Haradinaj: Organet kompetente të japin përgjegjësi për vrasjen e gruas në Pejë
Deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj ka kërkuar përgjegjësi nga organet e drejtësisë për vrasjen e gruas në Vitomericë të Pejës.
Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se rastet e vrasjeve po ndodhin shpesh në Kosovë, duke shtuar se është tejkaluar çdo limit njerëzor.
“Është urgjencë që gjërat të marrin kahje ndryshe. Vrasjet duhet të ndalen, shoqëria duhet të reflektojë, ndërkaq drejtësia ta kryejë punën e saj dhe të ashpërsohet në këtë drejtim. Mbi të gjitha, është jetike që organet kompetente të japin përgjegjësi të plotë për çdo neglizhencë apo dështim në mbrojtjen e jetës së qytetarëve. Ngushëllime familjes që humbi më të dashurën e tyre”, thuhet në njoftim.
Abdixhiku për vrasjen në Pejë: Kërkojmë llogari, përgjegjësia duhet të ketë emër e mbiemër
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar hetim të plotë dhe të pavarur të rastit të vrasjes së gruas në Pejë.
Në një postim në Facebook ai ka shkruar se secili zyrtar e institucion që e ka trajtuar kërkesën e Arlindës duhet të japë llogari për veprimet që ka ndërmarrë dhe detyrimet e papërmbushura.
Sipas tij, përgjegjësia për vrasjen e saj duhet të ketë emër dhe mbiemër.
“Arlinda kërkoi të jetonte. Kërkoi mbrojtje nga shteti. Tri ditë para se të vritej, e paralajmëroi Prokurorinë për rrezikun ndaj jetës së saj. Sot, letra e saj është këtu. Arlinda nuk është më. Ajo u vra mbrëmë. Është e padurueshme të lexosh fjalët e një gruaje që kërkon ndihmë, teksa ndjenë pafuqinë e zanit të saj. Ato fjalë godasin secilin prej nesh, si prind, si vëlla, si fëmijë, si bashkëqytetar. Një grua kishte frikë për jetë dhe u la vet”, ka shkruar ai.
Abdixhiku ka thënë se viktimës i detyroheshin t’i ofronin mbrojtje sa ishte gjallë, por pasi ajo nuk iu ofrua, tani i detyrohen të vendosin drejtësi për vrasjen e saj.
“Për këtë rast LDK kërkon hetim të plotë dhe të pavarur të çdo veprimi e mosveprimi në mbrojtje të saj. Secili zyrtar e institucion që e ka trajtuar kërkesën e Arlindës duhet të japë llogari për veprimet që ka ndërmarrë dhe detyrimet që ka lënë pa përmbushur. Përgjegjësia duhet të ketë emër e mbiemër. Ngushëllimet më të sinqerta familjes së Arlindës. Asaj i detyroheshim mbrojtje sa ishte gjallë. Për të gjallë, mbrojtje nuk pati! Tani i detyrohemi drejtësi; me gjithë zhvlerësimin paralajmërues që në letër na e dha. Dhe çdo gruaje tjetër që sot jeton me frikë, i detyrohemi veprim. Sot, para se një tjetër kërkesë për ndihmë të na mbetet në duar si dëshmi e një jete që nuk e mbrojtëm”, ka shkruar ai.
Çitaku për vrasjen e gruas në Pejë: Llogaridhënie e dorëheqje nga ata që kishin detyrë ta mbronin
Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), deputetja Vlora Çitaku, ka thënë se për vrasjen e gruas në Pejë duhet të kërkohet llogaridhënie dhe dorëheqje, “nga secili në zinxhirin e përgjegjësive, roli dhe veprimet e të cilit duhet të shqyrtohen”.
“Kërkohen llogaridhënie dhe dorëheqje. Nga ata që kishin detyrë ta mbronin”, ka theksuar Çitaku.
Ajo ka thënë se jeta e një gruaje nuk mund të jetë çmimi i indiferencës, neglizhencës apo dështimit institucional.
“Tetë gra. Tetë jetë të humbura. Familje të shkatërruara. Dhe pyetja që nuk mund të shmanget: kush mban përgjegjësi? Konferencat, seminaret, ligjet dhe strategjitë mbeten vetëm një copë letër, nëse nuk shoqërohen me veprime konkrete, me mbrojtje reale për gratë në rrezik dhe me përgjegjësi për ata që dështojnë t’i mbrojnë”, ka shkruar Çitaku në Facebook.
Sipas Policisë vrasja ka ndodhur të dielën në Vitomiricë të Pejës, ndërsa i dyshuar është kunati i viktimës. I dyshuari ndodhet në arrati, ndërsa viktima dyshohet se është vrarë pas goditjeve me një mjet të fortë.