Klubi ka borxh 1.3 milionë euro, ka mbetur pa kryetrajner dhe pritet të mbetet edhe pa shumë lojtarë. Ka edhe shumë telashe të tjera që e godasin fuqishëm. Drejtuesit e klubit nuk kanë të njëjtin qëndrim, dhe prej kësaj burojnë shumë probleme. Prishtina mburret që është klubi më i madh në vend. Por aktualisht i ngjan një ekipi fare të vogël
“Gjithçka që ka mundur të shkojë keq, ka shkuar keq”.
Kështu e përshkruan drejtori i Prishtinës, Artan Osmani, edicionin aktual të klubit në Superligën e Kosovës në futboll, që përfundon të dielën. Për Prishtinën edicioni mund të mos mbyllet në fundjavë.
Kampionia e edicionit të kaluar është një prej pretendueseve për të mbetur në pozitën e barazhit.
Prishtina, që për shumë njerëz është klubi më i madh në vend, u përball me shumëçka këtë edicion. Nisi me rezultate të dobëta, u përcoll me bojkot të lojtarëve si pasojë e borxheve të klubit ndaj tyre e shumë gjëra të tjera. Së fundi u largua edhe trajneri Abdulah Ibrakoviq.
Borxhi që Prishtina ka ndaj lojtarëve dhe ish-lojtarëve, por edhe ndaj shtetit, siç tregon drejtori Osmani, kap shifrën e 1.3 milionë eurove. Vlerësohet të jetë rekord për borxh të deklaruar nga një klub kosovar.
Prishtina së fundi u bë “lajm” për arrestimin e sulmuesit Oto John. Sulmuesi nigerian akuzohet për “trafikim me njerëz dhe shërbime seksuale të viktimës së trafikuar”. Johnit i është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Ai ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan.
Te Prishtina nuk ka vetëm probleme të natyrës sportive dhe financiare. Ka edhe përplasje në mes të drejtuesve të klubit.
Prishtina ka pasur edhe në vitet e kaluara telashe me financa. Por, sipas Osmanit, ky është viti më i rëndë që Prishtina ka kaluar ndonjëherë. Në vend të festës së përvjetorit jubilar, Prishtinës i duhet të zgjidhë shumë probleme. Prishtina këtë vit feston 100-vjetorin e themelimit, por për festë as që u bie në mend në klub.
“Nuk është mirë. Është situatë e rëndë dhe është jashtë çdo mundësie të rregullohet prej neve që punojmë në administratë. Aktualisht totali i borxhit është një milion e 200-300 mijë euro. 450 mijë janë borxhe ndaj Administratës Tatimore, të tjerat janë borxhe të reja, të vjetra dhe bonuse. Gjithçka që ka mundur të shkojë keq, ka shkuar keq. Nuk besoj të ketë qenë në një gjendje më të vështirë. Ka qenë shumë shpesh në kriza financiare, por sportive dhe financiare bashkërisht nuk e di”, ka thënë drejtori Osmani të hënën për KOHËN.
Rrahman Haradini: Fajin kryesor e ka Remzi Ejupi
Te Prishtina kanë pranuar dështimin sportiv, por edhe atë financiar. Një prej gabimeve e vlerësojnë transferimin e shumë emrave të mëdhenj të futbollit shqiptar. Ndër ta ishte edhe ish-ylli i futbollit australian, Besart Berisha. Ai u largua pa gjurmë. Prishtinës nuk i “ndezën” edhe shumë lojtarë të tjerë. Para se t’u skadonin kontratat, nga Prishtina janë larguar edhe Kristi Vangjeli, Sabien Lilaj dhe Xhevdet Shabani. Pritet që edhe në verë klubi të mbetet pa lojtarë të tjerë me emër në Kosovë. Pa kontrata do të mbesin nga qershori Endrit Krasniqi, Leonit Abazi, Lorik Boshnjaku dhe disa të tjerë.
“Shpenzimet kanë qenë më të mëdha se të hyrat dhe ka ardhur një moment ku nuk mund të përballohet. Nuk është se nuk i kemi parë indikacionet edhe për rënie nga elita, fjala është që në fillim të edicionit”, ka theksuar Osmani, që një pjesë të fajit për rezultatet ua vë edhe lojtarëve. “Me fitore kundër Dritës do të kishim mundur të jemi në garë për vendin e katërt”, ka deklaruar Osmani.
Prishtina të dielën pësoi nga Drita në “Fadil Vokrri” dhe kështu i mbetet që në xhiron e fundit t’i ikë barazhit. Luan me Llapin në Podujevë. Prishtina aktualisht është në vendin e gjashtë me 48 pikë. Është hera e parë që Prishtina nuk siguroi pjesëmarrjen në gara evropiane.
Drejtori Osmani nuk ka dashur të flasë për raportet e krerëve të klubit, përkatësisht kryetarit Remzi Ejupi dhe aksionarit më të madh, Rrahman Haradini.
Aksionari i Prishtinës, Rrahman Haradini, insiston se faji nuk është te lojtarët dhe drejtorët e klubit. Fajin kryesor thotë se e ka kryetari Remzi Ejupi.
“Lojtarët dhe drejtorët nuk kanë faj. Fajin kryesor e ka Remzi Ejupi. Ai kurrë nuk ka hequr dorë nga pozita e presidentit, por ka pritur se mos bëhet ndonjë mrekulli dhe do të mbetet sërish. Ne aksionarët duhet të marrim përgjegjësinë. Duhet të sqarohet puna e aksioneve dhe të dihen sa dhe të kujt janë dhe secili duhet të paguajë pjesën e vet. Prishtina gjithnjë ka shkuar me borxhe. Secili duhet ta paguajë pjesën e vet, pra sa e ka përqindjen e aksioneve. Kam thënë gjithmonë se është bërë keqmenaxhim, pasi përfitime nuk ka pasur. Ne i kemi dhënë paratë tona”, ka thënë Haradini të hënën për KOHËN.
Haradini thotë se nuk do të tërhiqet nga klubi ku ka më së shumti aksione. Thotë se për periudhë dyvjeçare te Prishtina ka dhënë miliona euro.
Remzi Ejupi: Ai që ka para rri, ai që nuk ka para largohet
Haradini insiston se duhet frymë e re për t’u këndellur Prishtina, ndërsa nuk mohon e as nuk pohon synimin për ta udhëhequr klubin me më së shumti trofe.
“Nuk tërhiqem nga Prishtina, kam dhënë shumë. Klubin e kanë cilësuar shumë privatë. Duhet të ndërrohet komplet, duhet të vijë një frymë e re. Për momentin kemi një kryetar të klubit dhe ai është Remzi Ejupi. Ai duhet të thërras Kuvendin, të pastrohen gjërat dhe të bëhet zgjidhja më e mirë. Por unë nuk do të tërhiqem, unë do t’i përcjell aksionet e mia, i qëndroj prapa klubit”, është shprehur Haradini.
Kryetari i Prishtinës, Remzi Ejupi, thotë se Haradini ka blerë aksione, nuk ka investuar në klub.
“Ai që ka para rri, ai që nuk ka para largohet nga klubi. Ai që nuk ka mundësi ta mbajë klubin duhet ta ngrejë flamurin e bardhë dhe të deklarohet që nuk mundem. Ne ia japim të gjitha aksionet, vetëm a ka mundësi ta mbajë. Klubi nuk mbahet duke blerë aksione, por duke e mbajtur klubin. Aksionet edhe mund të bien, edhe mund të rriten. Në këtë rast aksionet kanë rënë në zero. Pyetni të gjithë se kush ka dhënë para, kush ka dhënë premitë deri tash. Kush ka dhënë qe 15 vjet, prej fillimit në vitin 2004. Vetëm unë. Një njeri e ka mbajtur, një njeri po e mban klubin. Nuk është lehtë të mbahet klubi”, ka thënë Ejupi të hënën për KOHËN.
Ejupi në krye të Prishtinës është prej vitit 2004. Nën udhëheqjen e tij, Prishtina ka fituar gjashtë tituj të kampionit, pesë kupa dhe pesë vjet ka garuar në Evropë. Ai krenohet edhe me disa të arritura të tjera.
“Unë do të mbetem pjesë e klubit me aksione, por si kryetar nuk do të mbetem. Ai vetë i ka sjellë trajnerët, lojtarët. Të vetmin që e kam sjellë është Besart Berisha dhe nuk jam pishman aspak. E kam menduar për plan afatgjatë. Prishtina ka pasur edhe më herët situata të tilla, por kjo problematikë nuk është vetëm te Prishtina, por në gjithë futbollin e Kosovës”, ka thënë Ejupi.
Te Prishtina kanë paralajmëruar ndryshime të mëdha për edicionin e ri.
“Prishtinën e riformatuar” si trajner pritet ta drejtojë Ismet Munishi. Por nëse Munishi do të jetë në krye të Prishtinës si trajner, ka gjasa të mëdha që sezonin e ardhshëm ta drejtojë një ekip me lojtarë të rinj. Prishtinës mund t’i largohet edhe kapiteni Lorik Boshnjaku.
“Situata nuk është e mirë, këtë po e dinë të gjithë. Mirëpo nuk është koha, as momenti të mendojmë apo të vajtojmë këtë gjendje. Është koha të mobilizohemi dhe ta përfundojmë kampionatin me ndërgjegje të pastër. Shpresojmë ta mbyllim mirë, pastaj klubi të bëjë ndonjë zgjidhje që normal është dashur shumë më herët t’i zgjidhë këto probleme. Nëse nuk ndryshon situata shumë futbollistë do të largohen. Ndoshta edhe pa dëshirën e tyre, por me detyrim, sepse është e vështirë të vazhdohet në këtë mënyrë dhe me këtë qasje ndaj futbollistëve”, ka thënë Boshnjaku.
Prishtina shënon 100-vjetorin. Mburret me të arriturat. Por me gjendjen aktuale as për së afërmi nuk është klubi më i madh në vend.