Kampionia e Kosovës në futboll, Prishtina, mund të paraqitet me juniorë në ndeshjen ndaj Dukagjinit në Klinë.
Futbollistët e ekipit të parë të Prishtinës janë futur në bojkot, ndërsa nuk do t’u kthehen stërvitjeve derisa kryesia e klubit nuk do t’ua shlyejë borxhet që ka ndaj tyre. KOHA ka mësuar se futbollistëve u është ofruar dhënia e një page, por ata kanë refuzuar marrjen e vetëm një page. Kërkojnë t’u paguhen rrogat e dy muajve.
Drejtori i klubit, Artan Osmani, ka lënë të kuptohet se Prishtina mund të paraqitet pa ekipin e parë ndaj Dukagjinit. Ai ka thënë se situata nuk është e mirë.
Se nuk është situata stabile te Prishtina e konfirmon edhe aksionari Rrahman Haradini. Haradini thotë se shlyerja e borxheve varet nga zgjedhjet që do të mbahen për kryetar të klubit Prishtina. Ai ka shtuar se aksionarët e Prishtinës do të mblidhen për të diskutuar rreth mundësisë së caktimit të datës së zgjedhjeve në klubin me më së shumti trofe në vend.
Ka kohë që Prishtina vuan nga mungesa e stabilitetit financiar. Këtë edicion po përballet edhe me mungesë rezultatesh. Jo shumë kohë më parë tifozët e Prishtinës morën fanellat e lojtarëve të pakënaqur me angazhimin e tyre. Por të mërkurën u konfirmua se edhe lojtarët kanë hallet e tyre të mëdha.
“Aksionarët e klubit janë të njoftuar për kërkesat e futbollistëve dhe jemi duke u munduar që t’ua shlyejmë borxhin. Shpresojmë që të mos vijë deri te situata që ta luajmë ndeshjen në fundjavë me juniorë”, ka thënë drejtori Artan Osmani për KOHËN.
Një zyrtar i klubit i ka thënë KOHËS se në bazë të situatës që është futbollistët mund ta bojkotojnë gjithë kampionatin.
“Lojtarët janë më të vendosur se kurrë në kërkesat e tyre. Janë duke kërkuar shlyerje të menjëhershme të borxheve, në të kundërtën nuk do të paraqiten në ndeshjen e radhës e mbase edhe në të tjerat. Pra derisa t’u shlyhen borxhet që kanë ndaj tyre. Kanë refuzuar të marrin vetëm një pjesë të borxhit. Kërkesa e tyre është t’u shlyhet i gjithë borxhi”.
Ka pasur edhe largime nga Prishtina për shkak të borxheve që ka klubi ndaj lojtarëve. Prishtina zë vendin e gjashtë në Superligë me 26 pikë. Në çerekfinale të Kupës, kryeqytetasit do të përballen me Ballkanin.
Problemi me financa nuk është i ri në fakt.
Aksionari Haradini thotë se borxhet në klubin Prishtina janë të trashëguara me vite. Ai thotë se zgjidhja mund të bëhet vetëm pas mbajtjes së kuvendit zgjedhor.
Edhe kryetari aktual, Remzi Ejupi, ka pranuar ditë më parë se punët nuk janë mirë te Prishtina dhe se nuk do të jetë kandidat edhe për një mandat tjetër. Ai shpreson që postin të cilin e mban, pas tij ta ketë Haradini.
Por Haradini thotë se janë çështje të tjera më të rëndësishme para se të mendoj për kandidim.
“Jemi duke pritur ta mbajmë një mbledhje. Do të takohemi me të gjithë aksionarët dhe do të vendosim se çfarë do të bëjmë. Gjithçka varet nga kuvendi që pritet të mbahet së shpejti. Nuk ka rend të kandidimit për president. Kemi telashe të tjera të brendshme që t’i rehatojmë. Janë borxhet. Nuk e di sa është shuma e borxhit, por janë shumë, sepse janë të trashëguara me vite”, ka thënë Haradini.
Nga paraqitja në kupa evropiane edicionin e kaluar, Prishtina kishte të hyra të mëdha nga UEFA. Por ato po del që nuk mjaftuan për të stabilizuar gjendjen financiare.