Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Prishtina do ta paraqitet me ekipin e parë ndaj Dukagjinit

Skuadra e Prishtinës do të paraqitet me ekipin e parë në duelin kundër Dukagjinit, që zhvillohet të shtunën në Klinë prej orës 13:00 dhe i takon xhiros së 23-të në Superligën e Kosovës në futboll.

Në njoftimin e Prishtinës në Facebook të premten, thuhet se ekipi është stërvitur të premten dhe do të jetë i gatshëm për duelin me Dukagjinin.

“Ditë më parë, futbollistët e ekipit të parë të Prishtinës bojkotuan stërvitjet për shkak të borxheve të klubit ndaj tyre. Klubi ditët e fundit ka kaluar nëpër një situatë jo të lehtë për shkak të vonesës së pagave ndaj futbollistëve me ç ‘rast nuk janë zhvilluar disa stërvitje gjithsesi, skuadra ka stërvitur të premten dhe të shtunën do të jetë gati për t'u përballur me Dukagjinin ku futbollistët prishtinas i kërkojnë pikët e plota”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, para ndeshjes me Dukagjinin, ka folur edhe trajneri i Prishtinës, Abdullah Ibrakoviq.

“Situata aktuale është e komplikuar, nuk është e thjeshtë. Skuadra ka stërvitur ditën e sotme dhe i kemi kryer përgatitjet për ndeshjen e nesërme. Kjo është sfidë shumë delikate për faktin se sërish po luajmë në një fushë tjetër jo sikurse në ndeshjen e fundit me bari sintetik. E kemi analizuar Dukagjinin dhe i kemi studiuar situatat nga të cilat mund të na rrezikojnë. Por, nëse futemi me motivin dhe energjinë e ndeshjeve të fundit, besoj në fitore”, ka thënë Ibrakoviq.

Prishtinës për këtë ndeshje i mungon mbrojtësi Josip Tomasheviq që u dëmtua në barazimin 2:2 ndaj Gjilanit në xhiron e shkuar. Prishtina zë vendin e gjashtë në tabelë me 26 pikë të mbledhura, ndërsa Dukagjini është i parafundit me 21 pikë.