Fitorja e xhiros së shkuar, që ishte edhe e para këtë edicion, e ka motivuar Dukagjinin para përballjes në udhëtim me Prishtinën. Dukagjini vikendin e shkuar e arriti fitoren e parë duke e mposhtur Ferizajn, 4:1. Fitorja erdhi pas dy barazimeve e gjashtë humbjeve në tetë duelet e para në Superligën e Kosovës në futboll.
Edhe pse ende zë vendin e fundit në tabelë me vetëm pesë pikë, Dukagjini udhëton në Prishtinë për rezultat pozitiv. Kështu ka insistuar mesfushori Met Millaku të premten për KOHËN. Ai thotë se kjo është një përballje shumë e rëndësishme për Dukagjinin që po synon të largohet nga pozita e fundit në tabelë. Dueli mes Prishtinës dhe Dukagjinit zhvillohet të shtunën prej orës 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet dhe i takon xhiros së dhjetë të elitës së futbollit kosovar. Në fakt kjo ndeshje ka rrezikuar të shtyhet për shkak se të njëjtën ditë në “Fadil Vokrri” luhet ndeshja mes Italisë U17 dhe Finlandës U17, që i takon kualifikimeve për Evropianin 2023. Kjo ndeshje luhet prej orës 16:00 dhe për këtë arsye takimi Prishtina – Dukagjini është shtyrë prej orës 20:00. Prishtina kishte planifikuar ta luante takimin nga ora 18:00.
Me xhiron e dhjetë nis faza e dytë e Superligës së Kosovës.
“Është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne dhe udhëtojmë në Prishtinë për rezultat pozitiv. Atmosfera në ekip është shumë e mirë, sidomos pas fitores në ndeshjen e fundit që na e ka rritur besimin edhe më shumë. Do ta japim më të mirën në mënyrë që të marrim rezultat pozitiv ndaj Prishtinës. Jemi të përgatitur maksimalisht për këtë duel pasi kemi punuar mirë gjatë tërë javës”, është shprehur Millaku.
Prishtina në xhiron e fundit nuk ka luajtur fare. Dueli me Trepçën ’89 u shty për shkak të mosmarrëveshjeve që kishte rreth stadiumit me FFK-në. Prishtina ka vetëm shtatë ndeshje të luajtura këtë edicion dhe renditet e katërta në tabelë me 12 pikë të mbledhura.
Në përballjen e parë të sezonit, Prishtina e pati mposhtur Dukagjinin në Klinë me rezultatin 2:1. Dueli i së shtunës mbrëma do të jetë i treti për Prishtinën në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe ekipi i trajnerit Ismet Munishi kërkon fitoren e parë para publikut të tij. Në dy ndeshjet e mëparshme në kryeqytet, Prishtina u mposht nga Ballkani dhe barazoi me Dritën.
Mesfushori Genc Hamiti ka thënë se Prishtina synon pikët e plota. Ai ka pranuar se nuk do të jetë lehtë, ndërsa ka vlerësuar ekipin e Dukagjinit.
“Ndeshja ndaj Dukagjinit është e vështirë dhe me rëndësi sikurse të gjitha takimet e tjera. E vlerësojmë maksimalisht ekipin kundërshtar, por objektivi i vetëm i Prishtinës janë pikët e plota. Fitoret janë objektivi i vetëm për Prishtinën në çdo ndeshje. Normalisht duhet ende shumë punë që të arrihet aty ku klubi dhe tifozët e meritojnë, mirëpo jemi në rrugën e duhur. Te Prishtina po mbizotëron puna dhe dëshira për suksese. Atmosfera para ndeshjes është pozitive. Pavarësisht sfidave, stafi dhe grupi po punojnë shumë në këtë drejtim”, ka thënë Hamiti.
Kjo xhiro hapet me ndeshjen mes Dritës dhe Trepçës ’89, që luhet të shtunën prej orës 13:00 në fushën me bari sintetik të Gjilan. Në hapje të këtij edicioni, 89-shi pati barazuar 2:2 ndaj Dritës, ekipit të vetëm në Superligë që ende nuk di për humbje.
Drita prinë në tabelë me 21 pikë të tubuara pas nëntë ndeshjeve të luajtura, ndërsa Trepça ’89 është e gjashta me nëntë pikë dhe dy ndeshje më pak të zhvilluara.
Superliga – X
E shtunë
Drita – Trepça ’89 (13:00)
Prishtina – Dukagjini (20:00)
E diel
Ballkani – Malisheva (13:00)
Llapi - Drenica (13:00)
Ferizaj - Gjilani (13:00)
1. Drita 9 6 3 0 20:7 21
2. Ballkani 7 6 0 1 11:4 18
3. Gjilani 9 4 2 3 10:11 14
4. Prishtina 8 3 3 2 10:8 12
5. Drenica 9 3 2 4 9:12 11
6. Trepça ’89 7 2 3 2 16:13 9
7. Llapi 8 2 3 3 8:12 9
8. Malisheva 9 2 2 5 15:19 8
9. Ferizaj 9 1 4 4 8:16 7
10. Dukagjini 9 1 2 6 8:13 5