Drita mund të mburret që do të paraqitet në fazën e ligës në Ligën e Konferencës. Këtë sukses më parë e kishte arritur vetëm Ballkani, që u paraqit dy herë rresht në fazën grupore të kësaj gare. Por te Drita aktualisht nuk mund të mburren me rezultatet e arritura në gjashtë xhirot e para të sezonit të ri në Superligën e Kosovës. Me vetëm një fitore, tri disfata e dy barazime, kampionia e Kosovës renditet në vendin e parafundit, përkatësisht të nëntin. Ka pesë pikë, vetëm dy më shumë se Llapi që ka ecuri më të dobët në fillim të kampanjës. Gjilanasit synojnë këndelljen në ndeshjen e xhiros së shtatë përballë Dukagjinit. Dukagjini i trajnerit Ismet Munishi është prej ekipeve më në formë aktualisht.
Ndeshja Drita – Dukagjini luhet nga ora 15:00 në terrenin me bar sintetik në Gjilan.
Me 13 pikë, Dukagjini është i dyti por me pikë të njëjta me Prishtinën lidere. Humbjen e vetme të sezonit klinasit e kanë nga Prishtina në xhiron e parë. Më pas regjistruan katër fitore e një barazim.
Për këtë arsye trajneri Zekirija Ramadani ndaj Dukagjinit pret ndeshje shumë të vështirë. Kështu ka deklaruar të shtunën në konferencën për shtyp tekniku shkupjan, që ka katër tituj të fituar në Kosovë. Përveç Dritës, titullin e fitoi edhe me Trepçën ’89, Feronikelin dhe Prishtinën.
Ai ka nënvizuar se ndeshjet me Dukagjinin janë gjithmonë të vështira dhe kjo është treguar edhe në Kupën e Kosovës, kur në dy edicionet e fundit u deshën vazhdimet e penalltitë për ta përcaktuar fituesin.
“Përballë do ta kemi liderin e tabelës, ekipin e Dukagjinit. Një skuadër mjaft motivuese dhe nuk është rastësisht lider i tabelës. Ka bërë paraqitje mjaft të mira. Kam pasur mundësi t’i shoh dy ndeshjet e fundit. Ne synojmë të arrijmë më tepër. Objektivi ynë dihet, por nuk jemi në rrugën e duhur. Jemi bërë për çdo lloj kritikash, por ne ato do t’i menaxhojmë ashtu siç i kemi menaxhuar edhe më parë”, ka theksuar Ramadani në konferencën për shtyp.
Para gazetarëve të shtunën në konferencë ishte edhe sulmuesi Arb Manaj. Manaj është i vetëdijshëm për krizën e rezultateve, por kthimin te fitoret e synon pikërisht ndaj Dukagjini.
“Kemi dështuar në ndeshjet e fundit, një krizë e vogël e rezultateve. Por nëse e marrim në përgjithësi një sezon, secili e ka një krizë. Unë mendoj që më mirë që po e kalojmë këtë krizë qysh në fillim, sesa të jetë në mes apo në fund të kampionatit. Shpresoj që nga nesër Drita do t’u kthehet rezultateve pozitive”, deklaroi Manaj.
Dukagjini në xhiron e kaluar fitoi ndaj Llapit, në një paraqitje mbresëlënëse dhe me rikthim të rezultatit, 3:1. Dienit Isufi ishte realizator i golit të barazimit. Për të ishte edhe goli i parë në këtë kampanjë me fanellën e klinasve.
“Jemi përgatitur maksimalisht. Do të udhëtojmë në Gjilan për rezultat pozitiv”, është shprehur të shtunën për KOHËN mesfushori 22-vjeçar i Dukagjinit.
Ai e ka përgëzuar edhe punën e madhe të drejtuesve të klubit, stafit të trajnerëve e bashkëlojtarëve.
“Besoj që në këtë formë ka ndikuar puna e palodhshme e zyrtarëve të klubit, stafit të trajnerëve dhe lojtarëve. Shpresojmë të vazhdojmë me këtë ritëm”.
Të dielën luhen edhe katër ndeshjet e tjera të kësaj xhiroje. Ferizaj e pret Prishtinën, ndërsa Prishtina e Re përballet me Ballkanin. Drenica – Malisheva dhe Llapi – Gjilani janë dy ndeshjet e tjera.
Superliga – Xhiroja 7
E diel (15:00)
Drita – Dukagjini
Ferizaj – Prishtina
Prishtina e Re – Ballkani
Drenica – Malisheva
Llapi – Gjilani