Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Kampionia kërkon këndelljen kundër ish-kampionit

Superliga

Kampionia e Kosovës në futboll, Drita, nuk është në momentin e saj më të mirë. 

Në pesë ndeshjet e fundit në Superliga ka pësuar dy humbje, ndërsa ka dy barazime dhe vetëm një fitore. Humbjen e dytë, Drita e pësoi nga Malisheva në shtëpi me shifrat 1:0.

Këndelljen gjilanasit e kërkojnë të martën kundër ish-kampionit të Kosovës, Ballkanit. 

Dy prej skuadrave më të suksesshme të futbollit kosovar në vitet e fundit, Ballkani e Drita, të martën nga ora 14:00 do të përballen në derbin e xhiros së nëntë të Superligës së Kosovës. Ndeshja luhet në Suharekë.

Drita renditet në pozitën e pestë me 11 pikë, me një ndeshje më pak të zhvilluar. 

Është tetë pikë prapa Malishevës që e mban pozitën e parë.  Ballkani është i katërti me 13 pikë.

“Skuadrën e shoh të mobilizuar, të bashkuar, e motivuar për ndeshjen e nesërme. Për një skuadër një ndeshje e tilla është momenti më i mirë të tregosh vlerat. Pres që futbollistët që do të paraqiten të bëjnë një paraqitje të mirë. Me skuadrën është punuar, është studiuar kundërshtari. Jemi përqendruar edhe te vetja, besimi është i plot te skuadra. Mendoj që skuadra po krijon, po ka në kontroll gjithçka nga ndeshjet”, është shprehur trajneri 47-vjeçari i Dritës, Ardian Nuhiu. 

Përkrah Nuhiut në konferencë u paraqit mbrojtësi, Hajdin Salihu, i cili po ashtu shprehet optimist para ndeshjes me Ballkanin.

Ballkani dhe Drita kanë qenë skuadrat më të suksesshme të futbollit kosovar në vitet e fundit. Skuadra nga Suhareka e fitoi titullin e kampionit në tri sezone radhazi, nga 2021/22 deri në 2023/24, ndërsa Drita u shpall kampione në dy edicionet pasuese. 

Ballkani që drejtohet nga trajneri Sami Sermaxhaj këtë edicion renditet në pozitën e katërt me 13 pikë.
Pavarësisht fitores 1:0 në udhëtim ndaj Llapit, suharekasit po ashtu nuk kanë arritur  rezultatet e dëshiruara. Në pesë ndeshjet e fundit, Ballkani ka dy fitore, dy humbje e një barazim.

“Na priftë e mbara”, ka shkruar Ballkani të hënën


Java e 9-të

E martë 
Ballkani – Drita (14:00)
Gjilani – Drenica (18:00)

E mërkurë 
Feronikeli 74 – Llapi (14:00)
Dukagjini – Vushtrria (18:00)

E enjte 
Malisheva – Prishtina ((14:00)