Pas pushimit të gjatë dhe pas javë të tëra përgatitje në Turqi, ekipet e Superligës së Kosovës në futboll kthehen për ta vazhduar garën për titull të kampionit.
Skuadrat kanë bërë shumë lëvizje në afatin kalimtar dimëror dhe gara pritet të jetë e fortë. E tillë ishte edhe në pjesën e parë të kampionatit.
Stinori pranveror nis me xhiron e 19-të, që fillon të shtunën dhe përfundon të dielën.
Ballkani renditet i pari me 33 pikë. Prishtina është e dyta me 30, ndërsa Dukagjini e Drita janë në vendin e tretë e të katërt me nga 29 pikë. Afër janë edhe Malisheva me 27 pikë e Gjilani me 26.
Vëmendja të shtunën do të jetë në Klinë, përkatësisht në stadiumin “18 Qershori”. Dukagjini e pret Prishtinën, që në Antalya në fund të janarit u mposht 2:1 nga Drita, në ndeshjen për Superkupë.
Të gjitha ndeshjet e kësaj xhiroje nisin nga ora 13:00.
Trajneri i skuadrës nga Klina, Ndue Përgjokaj, e vlerësoi Prishtinën por ka theksuar se Dukagjini është përgatitur mjaftueshëm për ta nisur stinorin me rezultat pozitiv.
“Jemi përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje. Ndeshjet e para janë goxha të vështira pas pushimit. Por neve na karakterizon puna, disiplina dhe mentaliteti. Besoj se asgjë nuk do të vijë rastësisht, pasi jemi përgatitur mjaft mirë. Edhe në fazën përgatitore çdo gjë ka shkuar mirë, kështu që nesër besoj që do të marrim rezultat pozitiv”, ka theksuar Përgjokaj
Dukagjini në shtëpi është skuadra e katërt që ka marrë më së shumti pikë, ndërsa Prishtina është e pesta me 12 pikë të grumbulluara nga ndeshjet në udhëtim.
Ardian Limani, që është prej mbrojtësve më me përvojë aktualisht në Superligë, ka thënë se Prishtina ka pasur kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur që ta ndjekë një tjetër titull kampioni.
Të dy ndeshjet e këtij edicioni me Dukagjinin i ka fituar Prishtina.
“Ne vijmë pas një faze shumë të mirë përgatitore që e kemi bërë në Turqi. Mendoj që edhe trajneri e ka pasur kohën e duhur që t’i implementojë idetë e veta në skuadër, sepse në sezonin e kaluar nuk e kishte kohën e mjaftueshme për të na treguar atë që ai do. Mirëpo, tani mendoj se jemi të gatshëm për t’u përballur në kampionat, që nga nesër dhe në të gjitha ndeshjet tjera. Ne jemi të gatshëm për çdo sfidë”, është shprehur qendërmbrojtësi i skuadrës “bardhekaltër”.
Të shtunën luhet edhe ndeshja mes Drenicës dhe Llapit. Ky ballafaqim do të zhvillohet në stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë, pasi për shkak të reshurave të mëdha të shiut stadiumi “Bajram Aliu” në Skenderaj është në gjendje të rënduar. Po të shtunën kampionia Drita luan në udhëtim te Ferizaj.
Sfida interesante luhen edhe të dielën. Xhiroja mbyllet me ndeshjet Gjilani – Ballkani dhe Malisheva – Prishtina e Re.