Të dielën nga ora 16:00 luhen të gjitha pesë ndeshjet e xhiros së fundit të elitës së futbollit kosovar. Prishtina – Drenica, Ferizaj – Llapi, Malisheva – Drita, Gjilani – Prishtina e Re dhe Dukagjini – Ballkani, janë çiftet e xhiros së 36-të.
Gara për pozitat për paraqitje në kualifikimet evropiane tashmë ka përfunduar, njësoj si ajo për rënie direkte nga Superliga.
Drita si kampione do të luajë në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, ndërsa Ballkani, Malisheva nga dy pozitat e para dhe Dukagjini si fitues i Kupës së Kosovës, do të garojnë në kualifikimet e Ligës së Konferencës.
Ferizaj dhe Prishtina e Re janë përshëndetur me Superligën e Kosovës dhe e hapur ka mbetur vetëm pozita e tetë, që dërgon në plejofin për mbetje në Superligë.
Drita është e para me 66 pikë, Ballkani i dyti me 58 pikë, kurse Malisheva e treta i ka 56 pikë. Prishtina e katërta i ka 49 pikë, një më shumë se Dukagjini i pesti dhe Gjilani i gjashti. Drenica e shtata i ka 47 pikë, kurse Llapi i ka 46 pikë në vendin e tetë.
Ferizaj i parafundit i ka 36 pikë, ndërsa Prishtina e Re i ka 31 pikë.