Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

AUV kthen në kufi 27 tonë misër nga Serbia, shkak niveli i tejkaluar i aflatoksinës B1

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka njoftuar është kthyer në kufi 27 mijë kilogramë misër merkantil, me origjinë nga Serbia, të importuar nga kompania “IDEAL” GROUP SH.P.K nga Peja.

Sipas njoftimit shkak i kthimit në kufi të kësaj ngarkese ishte sepse në këtë produkt, tejkalohej niveli i lejuar i aflatoksinës B1.

Ky misër merkantil në kokrra, tregtohet si lëndë e parë dhe mund të përdoret për ushqimin e kafshëve ose për përpunim të mëtejshëm, varësisht nga destinimi i tij.

“Ngarkesa ishte eksportuar nga kompania AGRO DOM TIM DOO, Crvenka, Serbi, sipas faturës nr. 3404/2026, të datës 10 nëntor 2026, dhe ishte paraqitur për import në pikën kufitare të Merdarit.Gjatë kontrollit kufitar, AUV ka marrë mostra të misrit për analiza laboratorike. Rezultatet kanë treguar praninë e aflatoksinës B1 në nivel prej 0.029 mg/kg (29 µg/kg), apo 45% mbi kufirin e lejuar prej 0.020 mg/kg (20 µg/kg)”, thuhet në njoftim.

Aflatoksina B1 është një substancë toksike që prodhohet nga disa lloje myqesh dhe mund të gjendet në misër dhe drithëra të tjera. Nëse misri i kontaminuar përdoret për ushqimin e kafshëve qumështore, aflatoksina mund të kalojë në qumësht në formën e aflatoksinës M1, duke paraqitur rrezik për shëndetin e konsumatorëve.