Sport

Prishtina do ta mbyllë sezonin pa Ibrakoviqin

Trajneri boshnjak, Abdullah Ibrakoviq nuk do ta udhëheq skuadrën e Prishtinës në dy xhirot e fundit të këtij sezoni në Superligën e Kosovës në futboll. Ibrakoviq të martën mbrëma është kthyer në Austri te familja e di dhe ka pranuar se e ardhmja e tij në krye të Prishtinës mbetet e pasigurt. Në fund të nëntorit të shkuar, Ibrakoviq mori drejtimin e Prishtinës duke e zëvendësuar Zekirija Ramadanin e larguar, ndërsa me ekipin kryeqytetas firmosi kontratë deri në verën e vitit të ardhshëm. Ai ka thënë se është larguar nga Prishtina pas bisedës që ka pasur me krerët e klubit shkaku i situatës së vështirë financiare që e ka kapluar Prishtinën. Ibrakoviq nuk e ka përjashtuar kthimin te Prishtina për sezonin e ri, por thotë se krerët e ekipit duhet t’i jap një përgjigje gjatë kësaj jave që do të jetë vendimtare si për të ardhmen e tij ashtu edhe të klubit. Ai thotë se u largua nga klubi për shkak se situata e krijuar ishte e papranueshme.

“Jam kthyer në Austri. Kam folur para disa ditësh me drejtorin e klubit, të cilit i kam thënë se diçka duhet të bëhet për shkak se nuk ka kuptim që kështu të vazhdohet. U largova të martën mbrëma. Kështu që, do të shohim se çfarë do të ndodhë ditëve të ardhshme”, ka pranuar Ibrakoviq të mërkurën në një intervistë për KOHËN. “Klubi duhet ta dëshmoj se ka ambicie dhe nëse dëshiron ta vazhdoj bashkëpunimin me mua. Po ashtu, duhet të më tregojnë nëse nuk duan të bashkëpunojmë për shkak se unë kam kontratë deri në korrikun e vitit të ardhshëm. Mbi të gjitha, ata duhet të merren urgjentisht me lojtarët që iu skadojnë kontratat”.

Megjithatë, bazuar në rrethanat e krijuara në klub, Ibrakoviq nuk beson se do të jetë trajner i Prishtinës edhe sezonin e ardhshëm. Trajneri 51-vjeçar e mori Prishtinën pasi u largua nga Kapfenbergu, ekip që bën gara në kategorinë e dytë të Austrisë. Ai thotë se kur erdhi te Prishtina kishte ambicie të mëdha. Në fakt, edhe fjalët e krerëve të klubit para se ta firmoste kontratën ishin tjera, përpara se të vinte në Prishtinë dhe të përballej me gjendjen reale.

“Sipas të gjitha gjasave nuk do të jem te Prishtina sezonin tjetër. Unë erdha te Prishtina për një projekt, ta rindërtoj ekipin dhe të luftojmë për ta mbrojtur titullin e kampionit. Por, ishte krejt një tregim tjetër kur iu bashkova klubit. Erdha me idenë për të nxjerrë lojtarë dhe të luftojmë për trofe. Pothuajse prej se shkova në klub, kemi pasur vështirësi financiare”, ka pranuar Ibrakoviq. “Megjithatë, si trajner e kam pasur për detyrë ta përgatiti ekipin sa më mirë për ndeshje dhe t’i motivoj lojtarët, që të japim maksimumin në fushë. Nuk ishte aspak e lehtë për shkak të borxheve, por duhet pranuar se Prishtina e ka një ekip shumë të mirë dhe ka cilësi brenda tij”.

E problemeve financiare kur iu bashkuan edhe ato me stadiumin “Fadil Vokrri”, atëherë situata ishte edhe më shumë e vështirë. Nën drejtimin e Ibrakoviqit, Prishtina i ka luajtur shumë pak ndeshje si vendase në kryeqytet duke gjetur strehim në Lipjan, Podujevë, Skenderaj e Gjilan. Po ashtu, edhe stërvitjet i ka zhvilluar nëpër fusha të ndryshme, madje edhe të mbyllura.

“Ambiciet e Prishtinë janë gjithmonë të luftojë për titullin e kampionit, pavarësisht se kush është trajner në klub. Mirëpo, ishte një situatë e pabesueshme sepse kishim shumë probleme të mëdha. Kemi luajtur pothuajse çdo ndeshje në udhëtim edhe pse ishim vendas sepse nuk mund ta përdornim stadiumin tonë. Pastaj edhe stërvitjet i kemi bërë nëpër fusha të ndryshme dhe të mbyllura. Nuk ishte aspak lehtë”, zbuloi Ibrakoviq. “Po pushoj pak me familjen dhe nëse nuk ka një përgjigje nga Prishtina, do t’i shikoj opsionet tjera sepse unë nga futbolli jetoj. Më vjen keq që nuk i kemi arritur objektivat qysh i pata premtuar, por nuk është faji im. Financat janë problem i madh, lojtarët nuk kanë marrë paga dhe ky problem nuk do të jetë aspak i lehtë të zgjidhet”.

Edhe pse nuk i arriti synimet me Prishtinën, Ibrakoviq është krenar me punën e tij dhe që ishte pjesë e futbollit kosovar. Ai thotë se Prishtina tashmë e ka siguruar mbetjen në Superligë edhe për sezonin e ardhshëm. Sipas tij, bardhekaltrit kanë treguar paraqitje të mira në krahasim me problemet që janë përballur.

“Jam shumë i lumtur që kam qenë pjesë e futbollit të Kosovës. Prishtina ka mbetur në Superligë dhe në përgjithësi kemi luajtur mirë. Ka lojtarë të mirë dhe shumë do të largohen nëse klubi nuk reagon për t’ua vazhduar kontratat”, shtoi ai.

Ibrakoviq ka fjalë të mira për futbollin në Kosovë, por thotë se klubet duhet t’u japim më shumë hapësirë lojtarëve të rinj. Ai insiston se ka potencial të madh te gjeneratat e reja, për çka i vjen shumë keq që skuadrat nuk po e shfrytëzojnë.

“Futbolli i Kosovës do të përparojë edhe më shumë, por vetëm duhet të largohen anomalitë me disa prej gjyqtarëve, të cilët i qesin hije të keqe. Edhe federata është organizuar dhe nuk bën të lejuar disa gjyqtarë t’ia prishin imazhin futbollit kosovar. Futbolli i Kosovës ka potencial të madh në Evropë, por për këtë klubet duhet t’i shfrytëzojnë lojtarët e rinj”, insistoi Ibrakoviq. “Personalisht, skuadrat e Superligës nuk më konvenojnë sepse kanë shumë lojtarë të moshuar. Ka shumë lojtarë të rinj dhe atyre duhet t’u jepet hapësirë. Ne jemi munduar t’u japim të rinjve hapësirë te Prishtina. Edhe klubet duhet të kenë besim më të madh tek të rinjtë, e për këtë duhet të ndihmojë federata duke e bërë të detyrueshëm aktivizimin e të paktën tre të rinjve në ndeshje”.

Aktualisht, Prishtina zë vendin e pestë në tabelë me 48 pikë të grumbulluara. Në xhiron e parafundit, që luhet këtë vikend, Prishtina e pret skuadrën e Dritës kurse në të fundit, luan në udhëtim te Llapi.