Sport

Te Prishtina nuk heqin dorë nga mbrojtja e titullit

Prishtinë, 10 janar - Kampionia e Kosovës në futboll, Prishtina, e ka mbyllur në vendin e pestë stinorin vjeshtor të Superligës. Stinorin pranveror do ta nisë me 11 pikë më pak se lideri, Gjilani ,qa ka tubuar 35 pikë pas 18 xhirove të zhvilluara. Por te Prishtina nuk heqin dorë nga mbrojtja e titullit të kampionit, ndonëse pranojnë se është një mision i vështirë, por jo edhe i pamundur. Për pjesën pranverore, Prishtina ka bërë shumë ndryshime në formacion. Ka pasur largime të shumë futbollistëve me përvojë. Trajneri boshnjak, Abdullah Ibrakoviq, thotë se ripërtëritja e ekipit ishte e domosdoshme dhe “garanton” suksesin.

“Duhet ta rinojmë ekipin pasi vetëm në këtë mënyrë mund të arrijmë rezultate. Liga është shumë e fortë, dallimi i forcave është i vogël pasi pesë ekipe luftojnë për Evropë. Mendoj se me këtë riorganizimin e ekipit që e kemi bërë do ta arrijmë këtë synim. Prishtina duhet të luajë në të gjitha frontet, të ketë përqendrim duke filluar prej kupës. Do të luftojmë deri në xhiron e fundit për ta arritur rezultatin që e kemi planifikuar”, ka thënë Ibrakoviqi të hënën për KOHËN.

Në edicionin 2020/2021, kur Prishtina e fitoi titullin e kampionit pas tetë vjetësh, distanca në fund të stinorit vjeshtor ishte 14 pikë me vendin e parë. Por kryeqytetasit arritën ta shkrinin epërsinë e Dritës dhe në fund ta rrëmbenin titullin. Prishtina fazën e parë përgatitore është duke e zhvilluar në kryeqytet. Të hënën stërviti në një sallë të vogël në Prishtinë, ndërsa javën e ardhshme do të udhëtojë në Antalia të Turqisë për fazën finale të përgatitjeve. Krahas stërvitjeve, Prishtina do të ketë edhe ndeshje miqësore në Antalia. Ibrakoviqi thotë se nuk do të ketë më largime nga Prishtina. Ai ka paralajmëruar se do të ketë disa prurje të reja, por që nuk ka dashur të zbulojë emrat e tyre. Sipas tij, Prishtina ka nevojë për të paktën pesë përforcime. Sulmuesi Besart Berisha nuk ia doli të linte gjurmë dhe vendosi të largohej, sikurse Kristi Vangjeli, Sabien Lilaj, Florent Avdyli, Xhevdet Shabani dhe Sodiq Atanda. Është thënë se të martën në përgatitje klubit do t’i bashkohet edhe sulmuesi nigerian Otto John.

“Sa i përket rikonstruktimit, ne i kemi përfunduar me largimet. Në ekip kanë mbetur disa lojtarë shumë të mirë, ku në mesin e tyre është Endriti, njëri prej lojtarëve më të mirë në Kosovë, pastaj kapiteni Loriku, Abazi e Besniku. Por ne duhet të përgatitemi mirë, sepse pranvera do të jetë kërkuese dhe natyrisht se do të përforcohemi me 4-5 lojtarë në disa reparte, por edhe do t’i marrim disa lojtarë të akademisë, të cilët besoj se gjatë këtyre muajve do të adaptohen”, është shprehur Ibrakoviq.

Trajneri 51-vjeçar thotë se plani i tij i punës është lufta për kreun e tabelës. Ibrakoviq beson se Prishtina mund t’ia dalë mbanë. Ai me Prishtinën ka kontratë deri në qershor të vitit 2023.

“Natyrisht, gjithmonë synojmë kreun pasi këto janë planet tona. Ndoshta është dashur ta bënim këtë riorganizim që është dashur të bëhej më herët, por e kemi bërë tani për të mos menduar për të ardhmen. Besoj se Prishtina gjithmonë do të luftojë për kreun e tabelës”, ka deklaruar ai.

Të bindur se kanë kapacitet për të ndjekur titullin dhe Kupën janë shprehur edhe futbollistët. Kapiteni i Prishtinës, mesfushori Lorik Boshnjaku, uron të kenë edhe fat në pranverë. Sipas tij, Prishtina do të jetë dukshëm më e fortë në stinorin pranveror.

“Kemi mbetur pak prapa në garën për titull, por nuk do të dorëzohemi. Tash kemi fazën përgatitore dhe do të mundohemi të përgatitemi sa më mirë për t’i rikuperuar pikët e humbura gjatë stinorit vjeshtor. Presim edhe disa përforcime për t’u komponuar apo edhe për të rritur konkurrencën për të krijuar një ekip më të fortë se në pranverë. Do të mundohemi ta mbrojmë titullin, sepse më vështirë ta mbrosh se ta fitosh. Jemi pak larg, por shpresojmë që këtë stinor të na ecë më mirë dhe të kemi pak fat e po ashtu edhe klubet e tjera që janë në garë për titull t’i kenë gabimet e tyre”, ka thënë Boshnjaku.

Sulmuesi 21-vjeçar, Bleart Tolaj, pret të paraqitet sa më shumë në pranverë për ta ndihmuar ekipin e Prishtinës. Ai për Prishtinën ka shënuar dy gola këtë edicion. Edhe Tolaj shpreson se kryeqytetasit mund ta mbyllin edicionin të paktën me një trofe, atë të Kupës së Kosovës.

“Gjasat janë zbehur, por do të përgatitemi maksimalisht që të jemi në krye të tabelës dhe pse jo të paktën ta fitojmë Kupën dhe të dalim sërish në garat evropiane. Ky edhe është synimi ynë në pranverë”, ka thënë Tolaj.

Stinori pranveror në Superligën e Kosovës në futboll është paraparë të nisë në mes të muajit të ardhshëm, ndërsa para ndeshjeve kampionale do të zhvillohen duelet e 1/8 së finales në kuadër të Kupës së Kosovës. Prishtina do të përballet me skuadrën e Drenicës në ndeshjen e parë zyrtare të këtij viti.