Sport

Ismet Munishi mund t’i prijë Prishtinës së “riformatuar“

Kampionia ende në fuqi e Kosovës në futboll, Prishtina, është në prag të mbylljes së një edicioni jo të suksesshëm. Synimi i vetëm në katër xhirot e fundit të kampionatit aktual, Prishtinës i ka mbetur mbijetesa, ndonëse ishte vlerësuar pretendente për titull të kampionit dhe në garën për Kupë.

Te Prishtina nuk e diskutojnë mbetjen në elitë. Por kanë paralajmëruar ndryshime të mëdha për edicionin e ri. Kryetari i klubit, Remzi Ejupi, flet për “një Prishtinë të riformatuar”. Prishtina pas 32 xhirove zë vendin e pestë me 42 pikë. Është vetëm dy pikë larg Drenicës që mban vendin e tetë. Ekipi që përfundon në pozitën e tetë do të luajë në barazh.

“Do të ketë ndryshime të mëdha, duke nisur nga mënyra e menaxhimit të klubit e deri te lojtarët”, ka thënë Ejupi të martën për KOHËN. Ai më herët kishte paralajmëruar dorëheqjen nga posti i kryetarit, por vazhdon ta mbajë atë.

Burimet e KOHËS kanë thënë se “Prishtinën e riformatuar” si trajner pritet ta drejtojë, Ismet Munishi.

Trajnerit aktual, Abdulah Ibrakoviq, nuk pritet t’i vazhdohet bashkëpunimi. Ibrakoviq në nëntor të vitit të kaluar zëvendësoi Zekirija Ramadanin. Boshnjaku Ibrakoviq u përball me probleme të shumta organizative të klubit. Shkaku i borxheve, Prishtina u përball edhe me bojkotim nga lojtarët. Po ashtu shumë ndeshje i luajti jashtë stadiumit të vet.

Remzi Ejupi insiston se Prishtina ka kapacitet për t’u ngritur sërish në majat e futbollit të Kosovës. Ai edhe të martën ka përsëritur se nuk do të jetë në krye të klubit. Ejupi në krye të Prishtinës është prej vitit 2004. Nën udhëheqjen e tij, Prishtina ka fituar gjashtë tituj të kampionit, pesë Kupa dhe pesë vjet ka garuar në Evropë. Ai krenohet edhe me disa të arritura të tjera.

“Kam thënë edhe më herët se nuk do të jem kandidat për kryetar në zgjedhjet që do të bëhen në klub. Por klubi ka shumë aksionarë që së bashku do të punojmë për të mirën e klubit. Jemi bërë kampion, por më shumë kemi humbur se që kemi fituar. Prandaj, mendoj se Prishtinës i duhet një ndryshim dhe baza e ekipit të jetë me lojtarë që luajnë në Prishtinë dhe në gjithë Kosovën”, ka theksuar Ejupi.

Te Prishtina kanë pranuar dështimin sportiv, por thonë se kanë mësuar prej gabimeve. Një prej gabimeve e vlerësojnë transferimin e shumë emrave të mëdhenj të futbollit shqiptar. Ndër ta ishte edhe ish-ylli i futbollit australian, Besart Berisha. Prishtinës nuk i “ndezën” edhe shumë lojtarë të tjerë. Para se t’u skadonin kontratat nga Prishtina janë larguar edhe Kristi Vangjeli, Sabien Lilaj dhe Xhevdet Shabani.

Prishtina shënon 100-vjetorin e themelimit. Në vend të festës, Prishtina ka mision tjetër – riorganizimin për edicionin e ri. Fillimisht duhet ta sigurojë mbeten në elitë.