Sulmuesi i krahut, Angel di Maria, ka paralajmëruar se edhe sezonin e ardhshëm do të luajë në futbollin evropian përpara se të rikthehet në Argjentinë për ta mbyllur karrierën si futbollist aktiv.
Në një intervistë për emisionin “Todo Pasa” në Argjentinë, Di Maria ka thënë se po i shikon të gjitha opsionet për të ardhmen e tij, ndonëse mund të mbetet edhe te Paris Saint-Germaini nëse klubi francez e shfrytëzon opsionin e rinovimit të kontratës që i skadon në verë.
“Ideja ime është që të luaj edhe për një sezon në Evropë, në mënyrë që në Kampionatin Botëror të shkojë në formën më të mirë të mundshme. Pastaj, besoj se do të kthehem në Argjentinë. Nuk e di, nëse PSG-ja dëshiron të mbetem edhe sezonin tjetër. Nëse jo, atëherë do t’i shqyrtoj ofertat e skuadrave të tjera nga Evropa”, ka thënë Di Maria, i cili këtë edicion ka realizuar tre gola dhe ka asistuar tetë herë.
34-vjeçari është pjesë e PSG-së prej vitit 2015, ndërsa në Evropë karrierë ka bërë edhe te Manchester Unitedi, Real Madridi e Benfica.