Showbiz

3 mijë hapa në ditë ulin rrezikun për Alzheimer

ecja

Ecja

Ecja e përditshme me 3 mijë hapa ose më shumë mund të ngadalësojë përparimin e sëmundjes Alzheimer, sipas një studimi të ri.

Shkencëtarët thonë se edhe pak aktivitet fizik duket se ndihmojnë në vonimin e ndryshimeve në tru dhe në rënien e kujtesës te të moshuarit që janë në rrezik për të zhvilluar këtë sëmundje, ka shkruar The Guardian.

Zakonisht rekomandohet që njerëzit të ecin 10 mijë hapa në ditë për një stil të shëndetshëm jetese, por studiuesit zbuluan se edhe vetëm 3 mijë hapa në ditë mjaftojnë për të ngadalësuar dëmtimet që Alzheimer shkakton në tru dhe kujtesë.

Studimi, që zgjati 14 vjet, tregoi se personat që ecnin mes 3 e 5 mijë hapa në ditë kishin vonesë mesatare prej tre vjetësh në rënien e kujtesës, ndërsa ata që ecnin 5 deri në 7 mijë hapa në ditë përfitonin vonesë deri në shtatë vjet.

“Ne po inkurajojmë të moshuarit që janë në rrezik nga Alzheimeri të bëjnë ndryshime të vogla në rutinën e tyre, për të krijuar zakone të qëndrueshme që mbrojnë shëndetin e trurit dhe kujtesën”, ka thënë doktoresha, Wai-Ying Yau, autore kryesore e studimit nga spitali Mass General Brigham në Boston.

Demenca prek rreth 50 milionë njerëz në mbarë botën, dhe Alzheimeri është forma më e zakonshme e saj. Vetëm në Mbretërinë e Bashkuar, më shumë se 500 mijë persona jetojnë me këtë sëmundje. Ajo lidhet me grumbullimin e dy llojeve toksike të proteinave në tru: pllakave amiloide-beta dhe fijeve tau.

Studiuesit analizuan të dhëna nga 296 persona të moshës 50 deri në 90 vjeç, të cilët në fillim të studimit nuk kishin probleme me kujtesën. Ata ndoqën performancën e tyre njohëse çdo vit, numrin e hapave përmes pajisjeve pedometër, si dhe bënë skanime PET për të matur nivelin e proteinave amiloid dhe tau në tru.

Rezultatet treguan se njerëzit me pak amiloid në tru në fillim të studimit kishin pak rënie të kujtesës dhe pak grumbullim të proteinës tau me kalimin e kohës. Ndërsa tek ata me nivele më të larta amiloidi, ecjet më të shumta lidhen me ngadalësim të dukshëm të dëmtimeve në tru dhe të grumbullimit të proteinës tau. Sipas studimit të publikuar në Nature Medicine, personat që lëviznin pak përjetonin një përkeqësim shumë më të shpejtë.

Ani pse studiuesit nuk mund të përjashtojnë mundësinë që personat me shenja të hershme të Alzheimerit ecin më pak për shkak të ndryshimeve në tru, të dhënat sugjerojnë se aktiviteti fizik ka efekt mbrojtës.

“Na duhen prova nga studime të kontrolluara për të vërtetuar shkakun dhe pasojën, por është inkurajuese që aktiviteti fizik mund të ndikojë në mënyrën se si zhvillohet sëmundja. Nëse dikush ka amiloid në tru, rënia mund të jetë më e ngadaltë nëse ai është më aktiv fizikisht”, ka thënë Yau.

Sa i përket mënyrës se si ushtrimet ndihmojnë, shkencëtarët thonë se kjo lidhet me përmirësimin e qarkullimit të gjakut, uljen e inflamacionit dhe rritjen e disa hormoneve dhe faktorëve të rritjes që ndikojnë pozitivisht në tru.

“Në lidhje me mekanizmat e mundshëm, kjo është pyetja ‘me vlerë një milion dollarëshe’ që duam ta studiojmë më tej”, ka shtuar Yau.

Doktoresha Julia Dudley nga Alzheimer’s Research UK ka thënë se rezultatet sugjerojnë se pak hapa në ditë, rreth 5 mijë, lidhet me ngadalësim të grumbullimit të proteinës tau në tru, një nga faktorët kryesorë që nxit Alzheimerin.

“Kjo na jep një pamje më të qartë të mënyrës se si aktiviteti i përditshëm mund të ndihmojë shëndetin e trurit dhe të ndikojë në shkaqet bazë të sëmundjes”, ka thënë ajo.

Dudley ka shtuar se nevojiten më shumë studime dhe prova klinike për të kuptuar ndikimin e drejtpërdrejtë të aktivitetit fizik në parandalimin dhe ngadalësimin e demencës, por studime si ky na kujtojnë se ndryshimet e thjeshta në stilin e jetesës mund të ndihmojnë ta mbajmë trurin të shëndetshëm për më gjatë.

Top of Form

Bottom of Form