Një studim i ri ka zbuluar se ecja e përditshme mund ta ulë rrezikun për rënie të funksioneve mendore, sidomos tek ata që kanë predispozitë gjenetike për sëmundjen e Alzheimerit.
Gjatë një periudhe 10-vjeçare, rreth 3,000 pjesëmarrës të moshës 70 deri në 79 vjeç raportuan zakonet e tyre të përditshme për ecje. Ata që i ruajtën ose i shtuan këto zakone me kalimin e viteve, patën përmirësim të dukshëm në shpejtësinë e përpunimit të informacionit dhe në funksionet ekzekutive të trurit, ka raportuar CNN.
Përfitimet ishin veçanërisht të theksuara te personat që mbanin një variant gjenetik të lidhur me Alzheimerin, sipas studimit që u prezantua në Konferencën Ndërkombëtare të Shoqatës për Alzheimerin në SHBA. Hulumtimi është ende në fazën fillestare dhe nuk është rishikuar nga ekspertët ose botuar në ndonjë revistë shkencore.
“E dimë që me kalimin e moshës, koha që njerëzit e kalojnë duke qëndruar ulur rritet dhe aktiviteti fizik zvogëlohet. Prandaj rekomandohet të zvogëloni kohën që kaloni ulur duke futur intervale të shkurtra ecjeje gjatë ditës”, ka thënë autorja e studimit, doktoresha Cindy Barha, profesoreshë në Universitetin e Calgary në Kanada.
Si ndikon Alzheimeri në tru?
Alzheimeri është një formë e rëndë e demencës dhe besohet se shkaktohet nga grumbullimi i proteinave të dëmshme në tru, të quajtura pllaka, të cilat ndërhyjnë në komunikimin ndërmjet qelizave nervore, derisa këto qeliza fillojnë të vdesin.
Me vdekjen e qelizave, pacientët përjetojnë humbje të kujtesës, konfuzion, ndryshime në personalitet dhe rënie të fuqisë fizike. Sëmundja përparon gradualisht dhe aktualisht nuk ka shërim.
Rol të rëndësishëm në zhvillimin e kësaj sëmundje luajnë gjenet. Sidomos gjeni APOE, i cili ndikon në mënyrën si trupi përpunon yndyrat dhe pastron pllakat nga gjaku. Varianti APOE4 është i lidhur me rrezik më të lartë për rënie të funksioneve mendore. Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë në SHBA, rreth 15 për qind deri në 25 për qind e njerëzve e kanë këtë variant gjenetik, i cili mund të zbulohet vetëm përmes një testi gjenetik.
Trupi ndikon trurin
Edhe pse studimi nuk kishte një program të njëjtë ecjeje për të gjithë pjesëmarrësit, Barha rekomandon ecje disa herë në ditë për të ndërprerë kohën e kaluar ulur dhe ruajtjen e këtij zakoni për vite me radhë.
“Ende nuk e dimë saktë sa hapa duhen për çdo grup, por sa më shumë, aq më mirë. Hapi i radhës është të kuptojmë sa duhet të ecin grupe të ndryshme, si gratë në krahasim me burrat, apo bartësit e APOE4 kundrejt atyre që nuk e kanë”, ka thënë Barha.
Një studim tjetër i vitit 2022 gjeti se edhe ata që ecnin vetëm rreth 3,800 hapa në ditë, pa marrë parasysh shpejtësinë, e ulnin rrezikun për demencë me 25 për qind.
Ekspertët besojnë se ka disa arsye përse ecja ndihmon trurin.
Njëra është se aktiviteti fizik rrit prodhimin e një proteine të quajtur BDNF, e cila është si ushqim për trurin, ndihmon krijimin e qelizave të reja dhe lidhjeve të reja.
“Mendojmë se proteina të lëshuara nga muskujt udhëtojnë deri te truri dhe nxisin prodhimin e BDNF”, ka thënë Barha.
Një tjetër teori është se aktiviteti fizik ul inflamacionin në tru, një shenjë e zakonshme e Alzheimerit. Truri dërgon qeliza imune të quajtura mikroglia për të luftuar pllakat, por kur ka shumë inflamacion, këto qeliza fillojnë të sulmojnë edhe qelizat e shëndetshme të trurit.
“Nëse ushtroheni rregullisht, ju në fakt forconi programin gjenetik që mikroglia ka nevojë për të funksionuar siç duhet”, ka shpjeguar doktoresha Christiane Wrann nga Harvard Medical School.
A përfiton më shumë ai që është në rrezik më të madh?
Studiuesit u habitën kur panë se përfitimet më të mëdha nga ecja i patën ata me variantin APOE4, në krahasim me ata që nuk e kishin këtë gjen. Barha ka thënë se mendon se ndoshta këta pjesëmarrës kishin “më shumë hapësirë për përmirësim”, pasi mund të kenë qenë tashmë në fillim të rënies së aftësive mendore.
Po ashtu, vetë pjesëmarrja në studim mund të ketë qenë motiv për t’u angazhuar më shumë me ecjen, duke ngadalësuar përkeqësimin.
“Ky është një shembull i fuqishëm që tregon se nuk është kurrë vonë për të filluar të ushtroheni. Çdo hap ka rëndësi, dhe është shumë më mirë të bëni një aktivitet që ju pëlqen, e që mund ta mbani si zakon”, ka thënë Wrann.