Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Iniciohet rindërtimi i xhamisë tek ura e Ibrit

Xhamia e Ibrit

Kryeministri Albin Kurti bashkë me myftiun Naim Tërnava, kryeimamin Vedat Sahiti dhe ministren Saranda Bogujevci, kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit për hartimin dhe zbatimin e projektit të rekonstruktimit të Xhamisë së Ibrit, e ngritur në vitin 1777 dhe e djegur nga forcat serbe më 1999. Ata kanë nënshkruar edhe një memorandum tjetër bashkëpunimi, i cili synon forcimin e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore islame

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur nisjen e procedurave për rindërtimin e xhamisë në anën veriore tek ura qendrore e Ibrit në Mitrovicës, e cila është djegur më 2 maj 1999 nga forcat serbe.

Xhamia e Ibrit ishte ndërtuar në vitin 1777.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

E, të shtunën, Kurti bashkë me myftiun Naim Tërnava, kryeimamin Vedat Sahiti dhe ministren Saranda Bogujevci, kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit për hartimin dhe zbatimin e projektit të rekonstruktimit të saj.

“Me këtë memorandum, Qeveria e Republikës së Kosovës mbështet ringritjen e këtij monumenti me rëndësi historike dhe kulturore”, ka bërë të ditur kryeministri në detyrë. “Në vazhdim, nënshkruam edhe një memorandum tjetër bashkëpunimi me Bashkësinë Islame të Kosovës, i cili synon forcimin e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore islame”.

Në fushatën për zgjedhjet e 28 dhjetorit, Kurti e premtoi në Mitrovicë ringritjen e xhamisë që ndodhej me ta kaluar urën mbi Ibrin që ndan qytetin etnikisht. Meqë hapësira ku ajo ka qenë bie në territorin e administruar nga Komuna e Mitrovicës Veriore, e udhëhequr nga serbët, ringritja nuk është lejuar deri tash.

Kryeministri ka dhënë zotimin për mbrojtje të trashëgimisë kulturore.

“Këto angazhime janë pjesë e përkushtimit tonë të vazhdueshëm për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në vend, pas dëmeve të shkaktuara gjatë luftës së viteve 1998-1999”, ka thënë Kurti. “Investimet në këtë fushë do të vazhdojnë edhe në vitet në vijim”.

Të tillë zotim ka dhënë edhe myftiu Tërnava, pas takimit me kryeministrin në detyrë.

“Këto angazhime janë pjesë e përkushtimit të vazhdueshëm për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në vend, pas dëmeve të shkaktuara gjatë luftës së viteve 1998-1999. Kujtojmë se Xhamia e Ibrit është ndërtuar në vitin 1777, ndërsa është djegur më 2 maj 1999”, ka thënë ai.

Xhamia ndodhej në cep të Ibrit, tek ura qendrore në Mitrovicë. Ura u bë simbol ndarjeje, meqë pas lufte nuk u lejua kalimi nëpër të. E, vitin e shkuar, pasi nxiti reagim nisma e qeverisë për ta hapur urën për automjete, u ndërmorën nisma për dy ura të tjera – njëra për qarkullim automjetesh e tjetra për këmbësorë. Të dyja janë ndërtuar me procedurë të përshpejtuar dhe janë hapur për qarkullim.