Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti zotohet se ura 65-metërshe mbi Ibër do të përfundojë sivjet

Albin kurti - dimal basha

Kryeministri në detyrë ka bërë vizitë edhe tek vendi ku po zhvillohen punimet në urën më të re mbi Ibër. Rruga në të do të jetë me katër korsi, e projekti përfshin edhe ndërtimin e dy rreth-rrotullimeve

Mbi Ibrin, që ndan etnikisht Mitrovicën, pritet të përurohet sivjet edhe ura e tretë.

Kryeministri Albin Kurti, gjatë vizitës në vendin ku janë duke u zhvilluar punimet, të martën, ka thënë se ura do të jetë 65 metra e gjatë dhe me gjerësi prej 22.5 metrash. Ai ka thënë se më këtë projekt, synohet të rritet edhe sigurua.

“Qëllimi është mbrojtja e mjedisit, rritja e sigurisë dhe mbrojtja e infrastrukturës përreth. Rëndësi e posaçme i është kushtuar ndriçimit adekuat dhe modern. Janë paraparë shtylla ndriçuese përgjatë urës, trotuareve dhe hapësirave përreth lumit”, ka thënë Kurti.

Rruga mbi urën e re do të jetë me katër korsi, secila nga 3.5 metra, kurse në të dyja anët janë projektuar edhe trotuare. Projekti përfshin edhe ndërtimin e dy rreth-rrotullimeve, si dhe një segment rrugor me gjatësi 500 metra.

Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, ka thënë se kjo është ura e tretë mbi Ibër që ndërtohet gjatë drejtimit të Qeverisë nga Kurti dhe se ajo do të përmirësojë qasjen në të dy anët e lumit Ibër.

Edhe Veriu dhe jugu i Mitrovicës lidhen me urë të re Arbëri Veriu dhe jugu i Mitrovicës lidhen me urë të re

“Pra, siç e tha kryeministri, është një urë që ofron siguri. Ne si Ministri e Infrastrukturës jemi në bashkëpunim të ngushtë me organet e sigurisë dhe rendit. Dhe kjo është ura e tretë që po bëhet me qeverisjen Kurti, që tregon që ne jemi të gatshëm t'u ofrojmë pra organeve të sigurisë dhe të rendit qasje sa më të shpejtë dhe më të lehtë në të dy anët e Ibrit", ka thënë Basha.

Punimet për ndërtimin e kësaj ure kanë nisur më 5 qershor 2026. Edhe dy të tjera janë finalizuar së fundmi, pasi autoritetet ndërkombëtare refuzuan që të hapet për qarkullim të automjeteve ura qendrore, e cila rri e mbyllur që nga paslufta.