Opinion

A do ta mbrojë KFOR-i Kosovën?

Megjithëse Kosova është e rëndësishme për paqen dhe sigurinë evropiane, KFOR-i nuk ka reaguar në mënyrë efektive ndaj veprimeve gjithnjë e më agresive të Serbisë. KFOR-i duhet të ndryshojë strategjinë para se të jetë tepër vonë

Retorika agresive dhe aktiviteti ushtarak i Serbisë – si ai kinetik, ashtu edhe ai hibrid – janë intensifikuar ndjeshëm vitet e fundit; si rezultat, siguria e Kosovës sot është e kërcënuar në një nivel që nuk është parë që nga viti 1999. KFOR-i është çelësi për të parandaluar agresionin serb, por ekzistojnë dyshime të konsiderueshme për kapacitetin dhe gatishmërinë e tij për ta bërë këtë.

Agresioni i shtuar serb

Rrjedha e incidenteve në vitet e fundit ilustrojnë seriozitetin e veprimeve të Serbisë. Në maj 2023, trupat e KFOR-it u sulmuan nga serbët e Kosovës që protestonin për zgjedhjen e kryetarëve shqiptarë në katër komunat veriore të Kosovës. Një muaj më pas, tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës u rrëmbyen nga policia serbe brenda Kosovës dhe u dërguan në Serbi. Në korrik të po atij viti, Alicia Kearns, deputete dhe kryetare e Komitetit të Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, paralajmëroi se trupat britanike kishin vërejtur se armë po kontrabandoheshin në manastiret ortodokse në veri të Kosovës nga Serbia; edhe pse KFOR-i e mohoi këtë, dy muaj më vonë serbë me uniforma dhe armatim të rëndë sulmuan policinë e Kosovës në Banjskë, duke vrarë një polic, para se të fshiheshin në një manastir ortodoks. Qeveria e Serbisë shpalli një ditë zie për tre sulmuesit e vrarë, ndërsa udhëheqësi i grupit – Milan Radoiçiq, bashkëpunëtor i afërt i presidentit Vuçiq – mbetet në arrati, megjithëse ka pranuar përfshirjen e tij të drejtpërdrejtë. Armët e përdorura nga sulmuesit u siguruan nga Serbia, dhe qeveria e Kosovës ka zbuluar shumë depo armësh që nga sulmi.
Në nëntor 2024, sulmues serbë kryen atë që BE-ja e përshkroi si një “sulm terrorist” ndaj një kanali uji në Zubin Potok në veri të Kosovës. Drejtori i Policisë së Kosovës dhe ministri i Punëve të Brendshme zbuluan në shtator se hapësira ajrore e Kosovës është shkelur nga dronë që dyshohen të kenë hyrë nga Serbia, ndërsa muajin e kaluar, xhandarmëria serbe plagosi një serb të Kosovës, i njohur për qëndrimet e tij kundër Listës Serbe të kontrolluar nga Beogradi dhe e rrëmbeu atë në Serbi.
Gjatë kësaj periudhe, presidenti Vuçiq dhe shumë ministra të tjerë kryesorë kanë pohuar vazhdimisht se qeveria e Kosovës është angazhuar në “pastrim etnik ndaj popullit serb” pa asnjë provë.
Të gjitha këto tregojnë qartë se rreziku i një ndërhyrjeje në stilin e Krimesë nga Serbia është shumë real. Si përgjigje ndaj protestave kundër regjimit të tyre autoritar, udhëheqësit e Serbisë mund të përpiqen të unifikojnë popullatën rreth një krize të fabrikuar në Kosovë. Madje, sulmi në Banjskë mund të shihet si një përpjekje e kamufluar keq për të krijuar kushtet që Serbia të dërgojë forca për të “mbrojtur” serbët etnikë.

Dështimet e KFOR-it

Shumë kanë argumentuar se prania e KFOR-it garanton sigurinë e Kosovës; KFOR-i ka mandat të pamundësojë “përtëritjen e armiqësive” dhe të krijojë “një mjedis të sigurt”, por përgjigjja e tij ndaj agresionit të rritur serb deri më tani ngre dyshime mbi gatishmërinë për ta bërë këtë.
Ndërsa KFOR-i ka ndërhyrë ndaj turmave serbe që shkaktuan trazira në veri të Kosovës në maj 2023 – duke pësuar pasoja gjatë procesit – reagimi ndaj incidenteve të tjera sugjeron një mungesë të dukshme vullneti për të reaguar në mënyrë të duhur dhe për të pranuar publikisht natyrën reale të kërcënimit ndaj Kosovës. Kontrabanda e armëve nga Serbia në Kosovë vazhdon dhe forcat serbe veprojnë tani pothuajse pa ndëshkim brenda Kosovës. KFOR-i duket qartë se nuk po i arrin objektivat kryesore të mandatit të tij.
Rritja e numrit të trupave të KFOR-it këtë vit, edhe pse e mirëpritur, nuk mjafton; me nivelin aktual të kërcënimit, rreth 5000 trupat e stacionuara aktualisht në Kosovë nuk janë të mjaftueshme. Megjithatë, përtej numrit të trupave, ekziston një problem më i madh: vullneti për të vepruar. Pamundësia e KFOR-it për të reaguar në mënyrë efektive ndaj agresionit serb mund të shpjegohet më së buti si paaftësi, e më së rëndi si mungesë e vullnetit për të vepruar.
Reagimi i KFOR-it deri tani është karakterizuar nga letargjia dhe vetëkënaqësia; megjithëse në deklaratat që KFOR-i ka lëshuar pas incidenteve ka ripërsëritur zotimin për zbatimin e mandatit, mungesa e urgjencës dhe e angazhimit proaktiv është shqetësuese. Kjo duket të jetë e ndërlidhur me çështjet gjeopolitike që kanë implikime shqetësuese për sigurinë e Kosovës.
Prania brenda KFOR-it e vendeve që nuk e njohin Kosovën si Greqia, Sllovakia, Moldavia dhe Rumania, së bashku me vendet miqësore me Serbinë, si Hungaria – e cila ka kontingjentin e tretë më të madh ushtarak (469 trupa) – do të thotë se shumë shtete kontribuuese janë të pavullnetshme për të mbrojtur sovranitetin e Kosovës ndaj agresionit serb. Për shembull, qeveria e Sllovakisë – në shkelje të mandatit të KFOR-it – ka deklaruar se trupat e saj janë të vendosura në Kosovë për të mbrojtur serbët etnikë. Ndërkohë, aleatët tradicionalë të Kosovës – Mbretëria e Bashkuar, SHBA, Franca dhe Gjermania – janë shpërqendruar nga jostabiliteti i brendshëm, lufta në Ukrainë dhe konfliktet në Lindjen e Mesme, dhe interesimi i tyre për të kërkuar që KFOR-i të ketë një qasje më të prerë është zbehur.

Pyetjet kyçe

Gazetarët, shoqëria civile dhe partitë politike në Kosovë duhet të kërkojnë qartësi nga KFOR-i mbi veprimet e tij deri tani dhe mbi angazhimin dhe gatishmërinë e tij për të reaguar ndaj sulmeve serbe.
Në veçanti, KFOR-i duhet të përgjigjet qartë ndaj pyetjeve kyçe të mëposhtme:

1.Sulmi në Banjskë:

A kishte KFOR-i inteligjencë mbi grumbullimin e armëve dhe municioneve në veri të Kosovës para sulmit në Banjskë në shtator 2023 dhe, nëse po, çfarë veprimi u ndërmor bazuar në këto informacione?

2.Shkeljet ndërkufitare:

Që nga viti 2023 ka pasur disa depërtime të dhunshme nga Serbia, që kanë rezultuar në plagosje dhe rrëmbime; pse KFOR-i nuk ka mundur t’i ndalojë forcat serbe që ta kalojnë kufirin dhe cili është plani për të parandaluar inkursionet e ardhshme serbe?

3.Kontrabanda e armëve:

Pse KFOR-i nuk ka mundur ta ndalë kontrabandën e armëve në Kosovë, cilat masa të reja janë ndërmarrë për ta parandaluar këtë në të ardhmen, dhe a mund të konfirmojë KFOR-i se këto armë kanë ardhur nga Serbia me dijeninë e Beogradit?

4.Numri i trupave:

Kur dhe si do t’i rishikojë KFOR-i numrin dhe përbërjen e trupave për të siguruar që mund të përmbushë mandatin për të parandaluar futjen e forcave serbe në Kosovë?

5.Përdorimi i forcës:

Shumë shtete kontribuuese në KFOR bashkëpunojnë ngushtë me Serbinë në marrëveshje të mbrojtjes, ndërsa disa nuk e njohin Kosovën; cilat masa ka marrë KFOR-i për të siguruar që të gjithë trupat e tij do të përdorin forcën nëse urdhërohen, në rast se trupat ose xhandarët serbë kalojnë kufirin në Kosovë?

Thirrjet e përsëritura të qeverisë serbe për krijimin e një “Bote Serbe” kërcënojnë paqen rajonale dhe përkojnë me planin e Millosheviqit për “Serbinë e Madhe” në vitet ’90. Pavarësia e Kosovës është një pengesë jetike për realizimin e këtij qëllimi shkatërrues. Megjithëse Kosova është e rëndësishme për paqen dhe sigurinë evropiane, KFOR-i nuk ka reaguar në mënyrë efektive ndaj veprimeve gjithnjë e më agresive të Serbisë. KFOR-i duhet ta ndryshojë strategjinë para se të jetë tepër vonë.

Ade Clewlow është nënkolonel i pensionuar dhe bart titullin “Anëtar i Urdhrit të Perandorisë Britanike”. Ai ka qenë oficer ndërlidhës i KFOR-it me Trupat Mbrojtëse të Kosovës gjatë viteve 2008-2009.
Aidan Hehir është profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Universiteti i Westminster, në Britani të Madhe


Versioni në gjuhën angleze: