Lifestyle

Dieta sipas së cilës mund të hash edhe të humbësh peshë

Ushqimet e plota

Ushqimet e plota

Dieta mediterane është vlerësuar lartë nga doktorët pasi përmban fruta, drithëra dhe ushqim të detit, të cilat mund të mbrojnë organizimin e njeriut nga sëmundjet ndërkohë që mundësohet edhe humbja e peshës së tepërt.

Por tash, shkencëtarët po thonë se ka edhe një tjetër dietë apo plan ushqimor që mund të jetë edhe më efikas se dieta mediterane, kur bëhet fjalë te humbja e  kilogramëve.

Sipas një studimi që është bërë në Britani, njerëzit që ndiqnin dietë që nuk përmbante as një ushqim të shumë përpunuar, e që përmban fruta e perime, konsumonin 330  kalori më pak në ditë, ka raportuar The Sun.

Kjo ka ndodhur pavarësisht se pjesëmarrësit kanë ngrënë 57 për qind më shumë ushqim në ditë, se sa ata që ndiqnin dietë normale, me ushqime shumë kalorike si mishi i kuq, pastat e krem.

Në studim është gjetur se ata që u mbështetën në dietën me ushqime të plota kanë pasur më pak dëshirë për të ngrënë.

Shkencëtarët kanë debatuar se gjetjet kanë treguar se disa ushqime të shumëpërpunuara duhet të anashkalohen kur njerëzve ju jepet mundësia të ushqehen si duhet.

Profesori Jeff Brunston, autor kryesor i studimit dhe profesor i psikologjisë eksperimentale në Universitetin e Bristolit, ka thënë se ngrënia e tepërt e ushqimit nuk është thelbi i problemit.

“Studimi ynë qartësisht tregon se ata që konsumojnë ushqime të plota në të vërtetë kanë ngrënë shumë më shumë se ata që hanin ushqim të shumë përpunuar. Por përmirësimi me vlera  ushqyese i ushqimeve të përpunuara ndikon në zgjedhjen e njerëzve”, ka thënë ai.

Sipas Brunston ushqimet e shumëpërpunuara i nxisin njerëzit që të hanë më shumë ushqim kalorik.

“Ani pse kanë ushqim kalorik në sasi më të vogla, këta persona marrin më shumë energji që nxit obezitetin”, ka thënë ai.

Profesori ka shtuar se është shumë qejf të shohësh personat që ju ofrohet ushqim i shumë përpunuar të zgjedhin me intuitë ushqime që balancojnë kënaqësinë, vlerat ushqyese dhe ndjenjën e të qenit të ngopur.

“Dieta që zgjedhim nuk është diçka e zakonshme, në fakt duket se marrim vendime shumë më të mençura se sa që kemi menduar më parë, kur ushqimi prezantohet ne formën natyrale”, ka thënë ai.
Ushqimet e shumëpërpunuara që përmbajnë shtesa, të tilla si patatinat, grimësirat dhe ëmbëlsirat e ndryshme të gatshme, janë konsideruar të këqija për dekada. 

Ekspertët kanë bërë thirrje se ushqimet e shumëpërpunuara, si ato që zakonisht përmbajnë më shumë përbërës artificial se sa natyral, të hiqen nga dieta.

Në studim, kanë përcjellë gjendjen e 20 të rriturve me mbipeshë, 10 gra e 10 burra rreth moshës 31 vjeçe dhe i kanë ndarë në dy grupe.

Gjysmës së tyre u është kërkuar ta ndjekin një plan diete për dy javë. Dieta përmbante shumë pak ushqime të shumëpërpunuara, ndërkohë që përmbante më shumë sallata dhe mish.

Gjysmës tjetër të pjesëmarrësve ju dha dieta dyjavëshe që përmbante më shumë ushqime të gatshme dhe hot-dog.

Pasi e kompletuan dietat përkatëse, grupet ndërruan vendet.

Studiuesit kanë analizuar vlerat ushqyese të ushqimeve kryesore në nivel të yndyrave të shëndetshme e të pashëndetshme, proteinat, karbohidratet, kripërat dhe fibrat.

Por pjesëmarrësit që hanin ushqime të plota hanin më shumë ushqim në ditë me më pak kalori, duke rezultuar me humbje peshe, gati një kilogram.

Në raportin e studimit që është publikuar në The American Journal of Clinical Nutrition, studiuesit nuk mund të ceknin arsyen e saktë se përse njerëzit hanin më shumë kur nuk ndiqnin dietë që përmbante ushqime të shumëpërpunuara.

“Ndoshta konsumimi i frutave dhe perimeve ka luajtur rol të rëndësishëm pasi nuk janë të mbushura me shtesa që japin energji. Kjo mund të jetë arsyeja që i bënte pjesëmarrësit të hanë më shumë”, thuhet në raport.

Bashkautori i studimit, Mark Schatzker, i cili ka qenë autor i studimeve si “Efekti i Doritos” dhe

“Përfundimi i dëshirës për të ngrënë”, ka thënë se rezultatet e personave që hanin më shumë ushqim kalorik kanë treguar mund të kenë shfaqur mungesë të vitaminave e mineraleve.

“Boshllëqet i mbushnin ushqimet me më pak kalori si frutat dhe perimet”, ka thënë ai.

Ndërsa profesoresha që nuk ishte e përfshirë në studim, Jules Griffin, nga Universiteti i Aberdeenit, ka thënë se pyetja është se çka po i motivon njerëzit të hanë më shumë fruta e perime ndërkohë që ndjekin dietën me ushqime të papërpunuara.

“Autorët sugjerojnë se kjo mund të ndodhë për shkak të ushqimit nga i cili i marrim vlerat ushqyese dhe energjinë që vjen bashkë me këto vlera, për shembull drithërat e shumëpërpunuara që përmbajnë shumë sheqer të shtuar. Sidoqoftë ka shpjegime alternative se përse ushqimet e pa papërpunuara janë më të shëndetshme”, ka thënë ajo.

Sipas saj, drithërat e shumëpërpunuara po të konsumoheshin në formën natyrale të papërpunuara, do të ofronin më shumë fibra, gjë që dihet se ka efekt pozitiv në zorrë si dhe në ndjenjën e të qenit të ngopur, duke e shtyrë organizmin të lirojë hormonin GLP1.

Ekspertët rekomandojnë njerëzit që të konsumojë sa më shumë ushqime të papërpunuara apo të plota, e sa më pak ushqime të shumëpërpunuara.