Kur flitet për tensionin e lartë të gjakut, shpesh mendohet vetëm për reduktimin e konsumimit të kripës. Por, edhe ajo që konsumohet gjatë ditës mund të ketë rëndësi, ka shkruar EatingWell.
Dietologët veçojnë çajin e hibiskusit si një pije që mund të ndihmojë në mbajtjen e tensionit stabil. Studimet sugjerojnë se konsumimi i tij mund të ulë si tensionin sistolik, ashtu edhe atë diastolik.
Një analizë e 17 studimeve klinike ka zbuluar se hibiskusi mund të ulë tensionin sistolik me rreth 10 mmHg, sidomos te personat që e kanë tashmë të ngritur.
Çaji i hibiskusit është i pasur me antocianina dhe antioksidantë, përbërës që mund të ndihmojnë në funksionimin e enëve të gjakut.
Sipas dietologes Jessica Brantley-Lopez, hibiskusi mund të ketë efekt të lehtë në një enzimë të përfshirë në rregullimin e tensionit të gjakut.
“Nuk do ta shihja si zëvendësim të ilaçeve, por patjetër mund të jetë një zakon mbështetës”, ka shpjeguar ajo.
Një tjetër avantazh është se çaji i hibiskusit nuk përmban kafeinë, ndaj mund të jetë zgjedhje e mirë për pasdite, sidomos për ata që duan të shmangin kafenë dhe ndikimin e saj të përkohshëm në tension.
Edhe
Çaji më i mirë për lëkurë më të shëndetshme
Mund ta konsumoni të ngrohtë ose të ftohtë. Për version më freskues, mund ta përzieni me mente, limon, xhenxhefil ose pak fruta. Ekspertët këshillojnë që sheqeri të përdoret sa më pak.
Megjithatë, hibiskusi nuk zëvendëson trajtimin mjekësor për hipertensionin.
Për të mbajtur tensionin nën kontroll, ndihmojnë gjithashtu reduktimi i ushqimeve të përpunuara dhe të pasura me natrium, gatimi në shtëpi dhe konsumimi i më shumë frutave, perimeve, bishtajoreve, drithërave integrale, arrave dhe farave.