Komuna të hënën ka hyrë në marrëdhënie kontraktuale për projektin zbatues të memorialit “Adem Jashari. Pesha e kontratës është 125 mijë euro. Por se kur mund të nisë realizmi, s’dihet pasi s’ka leje për ndërhyrjen paraprake që i hap rrugë memorialit që planifikohet të vendoset midis ndërtesës së Kuvendit dhe Xhamisë së Çarshisë. Tentimi i Komunës është që Bulevardi aktual të zgjatet dhe makinat që kalojnë në rrugën “Agim Ramadani” të hyjnë në tunel
Komuna e Prishtinës tash e pesë vjet synon një tunel te rruga “Agim Ramadani” midis ndërtesës së Kuvendit dhe Xhamisë së Gurit ose siç njihet ndryshe, të Çarshisë. Për këtë s’e ka lejen nga institucionet e trashëgimisë kulturore. Tentimi i Komunës është që Bulevardi aktual të zgjatet dhe makinat që kalojnë në rrugën “Agim Ramadani” të hyjnë në tunel. E mbi pjesën e zgjatimit të Bulevardit të vendoset memoriali që mban emrin e heroit kombëtar, Adem Jashari. Komuna të hënën ka hyrë në marrëdhënie kontraktuale për projektin zbatues të memorialit “Adem Jashari. Pesha e kontratës është 125 mijë euro. Por se kur mund të nisë realizmi, s’dihet pasi s’ka leje për ndërhyrjen paraprake që i hap rrugë memorialit.
Me nismën e tretë – pas dështimit të dy të parave – në qershor të këtij viti Komuna ia ka dalë që të jetë një projekt ideor për memorialin që ka për synim nderimin e përkujtimin e të rënëve të familjes Jashari nga Prekazi i Skenderajt. Projekti i përzgjedhur ka tri elemente bazë: Formën e shtyllës kurrizore, tingullin dhe gjethet e dafinës. Zë vend fiks midis Xhamisë së Gurit dhe Kuvendit të Kosovës. Do të ketë fontanë, 59 pemë dhe amfiteatër. Me strukturë prej metalit të oksiduar gjatësia është paraparë të jetë nga 70 deri në 140 metra, kurse lartësia prej 2.6 deri në 8 metra. Projekti ideor fitues mban autorësinë e artistit Ilir Blakçori, njëherësh autor i veprës publike “Heroinat” përballë Pallatit të Rinisë dhe Sportit.
“Zâni i lirisë” mban titullin projekti fitues i kompanisë së Blakçorit, “Molos Creative L.L.C.”.
Të hënën po me këtë kompani është nënshkruar kontrata për hartim të projektit të detajuar për 125 mijë euro. Afati i dorëzimit të projektit është 180 ditë kalendarike.
“Ofruesi i Shërbimeve do t’i kryejë shërbimet sipas kontratës, me kujdes, bazuar në kushtet e përgjithshme dhe në rekomandimet e anëtarëve të komisionit për zhvillimin e negociatave për plotësimet dhe ndryshimet e projektit. Gjatë negociatave, operatori ekonomik ka bërë të qartë se çmimi i ofertuar nuk ka qenë objekt negocimi dhe se nuk ka shprehur gatishmëri për ndryshimin ose uljen e tij”, shkruhet te “Kushtet e veçanta të kontratës”. Sipas të dhënave, operatori ekonomik ka deklaruar se do të ishte i gatshëm ta hartonte projektin zbatues pa kompensim financiar vetëm në rast se Komuna do të garantonte realizimin e projektit në fazën e ekzekutimit.
“Pas diskutimeve të gjata, operatori ekonomik paraqiti një propozim alternativ: duke u zotuar se do të marrë përsipër llogaritjet statike të nevojshme për strukturën e propozuar prej tyre, e cila do të ndërlidhet me projektin e nënkalimit ‘Agim Ramadani’, të bëjë harmonizimin e këtyre dy strukturave me të gjitha detajet për realizim. Po ashtu, operatori deklaroi se shumën që do ta përfitojë nga kontrata për hartimin e projektit zbatues, në vlerë prej 125,000.00 eurosh, do ta dedikojë si donacion për realizimin e projektit gjatë fazës së ekzekutimit, duke marrë përsipër realizimin e punimeve të gjelbërimit që lidhen me këtë projekt”, shkruhet aty. sipas kontratës, kësti i parë prej 62 mijë e 500 eurosh do t’i paguhet projektuesit pas dorëzimit të projektimit të arkitekturës, me konstatim nga menaxheri i kontratës dhe organi mbikëqyrës. Kurse 37 mijë e 500 euro pas dorëzimit të arkitekturës dhe statikës, me konstatim nga menaxheri i kontratës dhe organi mbikëqyrës.
“Kësti i tretë - 20% e çmimit total të kontratës, në shumën prej 25,000.00 euro, pas përfundimit dhe dorëzimit të projektit, me konstatimin nga menaxheri i kontratës dhe organi mbikëqyrës”, shkruhet në kontratë.
KOHA, sa i përket prezantimit të një projekti mbi një tjetër projekt joekzistues dhe pa leje, ka kërkuar sqarime nga kompania e Blakçorit dhe Komuna qysh në qershor. Asnjëra palë s’është përgjigjur.
Komunës i është refuzuar dy herë projekti për tunelin midis monumenteve në rrugën “Agim Ramadani” fiks në vendin ku parashihet ngritja e memorialit mbi tunel. Me arsyetimin se projekti rrezikon autenticitetin e trashëgimisë kulturore të asaj zone, Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve ka refuzuar edhe sivjet për të dytën herë projektin për nënkalim midis Kuvendit të Kosovës dhe Xhamisë së Çarshisë. Projekti, i cili është prej zotimeve kryesore të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, sipas institucioneve të trashëgimisë kulturore, mund të cenojë shtatë monumente që gjenden përreth.
Në ditën 25 të shkurtit të këtij, vendimi ia mbylli edhe njëherë rrugën tunelit të planifikuar në qendër të Prishtinës.
Memoriali “Zâni i Lirisë” i kushtohet sakrificës së familjes Jashari dhe të gjithë atyre që ranë bashkë me ta. Sakrifica e tyre u bë themel i lirisë që sot e gëzojmë. Në zemër të këtij kujtimi qëndrojnë fjalët e Adem Jasharit:’Besa besë, vetëm një vdekje se tjetër s'ka në këtë jetë. Edhe një fjalë e mirë’. Pak fjalë, por me një kuptim të thellë për jetën, sakrificën dhe përgjegjësinë ndaj vendit” është përshkrimi që i bëhet konceptit në imazhet e publikuara. Sipas sqarimeve, memoriali vizualizon valën e zërit të Adem Jasharit, me ato pak fjalë, por me peshë të madhe. Fjalë që sipas projektuesit, do të jehojnë në kohë dhe në hapësirë.
“Struktura krijon një gjurmë fizike të zërit në hapësirën urbane. Shtresat e saj përkthejnë energjinë e fjalës në një formë arkitektonike që lexohet njëkohësisht si valë zëri dhe si bosht që përshkon hapësirën. Hapjet mes segmenteve formojnë një kurorë nderimi që simbolizon respektin dhe triumfin e lirisë”, shkruhet në materialet e publikuara. Aty sqarohet se nga këto shtresa buron ujë, një shenjë e jetës dhe e paqes që lind nga sakrifica. Sipas projektuesit, bëhet fjalë për një ndërveprim me dritën dhe materialet, uji i jep memorialit një dimension të gjallë dhe në ndryshim të vazhdueshëm.
“Rreth hapësirës mbillen pesëdhjetë e nëntë pemë në nderim të secilit jetë që u shua. Çdo pemë mban emrin e tij ose të saj dhe formon një peizazh të gjallë kujtese që rritet me kohë”, shkruhet në sqarimet që shoqërojnë imazhet.
KOHA ka pyetur se kush ishte në juri dhe si do t’ia bëhet me projektin pasi planet janë që të ndërtohet në një ambient që ende nuk ekziston, por është veç projekt. Por Komuna s’është përgjigjur.
Sipas dosjes së tenderit, “Smart Architecture dhe Studio Pacarizi” u vlerësuan me 53.98 pikë në konkurs, “GM Architecture SH.P.K.” u vlerësua me 80.65 pikë dhe paraqiti ofertë financiare prej 118 mijë e 900 eurosh, “Kolegji Ndërkombëtar për Biznes dhe Teknologji (UBT) dhe Alfa-Product SH.P.K” arritën rezultatin prej 65.64 pikësh në vlerësim e “Molos Creative L.L.C. u rendit me 86.32 pikë dhe ofertë financiare prej 125 mijë eurosh. Kurse “Hark Architecture Sh.p.k. dhe Atelier 4” u vlerësuan me 82.66 pikë dhe paraqitën ofertë në vlerë prej 124 mijë eurosh dhe “G-Projekt, FST Engineering Sh.p.k. dhe T3D Studio Design SH.P.K” morën 62.65 pikë në procesin e vlerësimit.
“Molos Creative L.L.C.” ka zënë vendin e parë në vlerësim dhe është shpërblyer me 125 mijë euro për hartimin e projektit zbatues me të gjitha fazat. “Hark Architecture Sh.p.k. dhe Atelier 4” ka zënë vendin e dytë dhe është shpërblyer me 15 mijë euro. Kurse “GM Architecture SH.P.K” është renditur në vendin e tretë dhe do të marrë 10 mijë euro.
Historia me këtë nismë është e vjetër, por konkursi për atë që ishte paraparë si shesh monumental “Adem Jashari” qe hapur në vitin 2024. Në shtator të atij viti ishin prezantuar edhe pesë projektet e listës së ngushtë, të cilat ndryshonin në stile të ndryshme. Kishte skulptura monumentale e dizajne arkitekturore, nëpërmjet të cilave synohej që të simbolizohet kontributi i familjes Jashari për lirinë e Kosovës. Pesë projekte për një javë kishin qëndruar të ekspozuara në ndërtesën e vjetër të Komunës së Prishtinës. Por, rezultati ishte i barabartë me zero. Zyrtarët komunalë kishin thënë se familjes Jashari nuk i kishin pëlqyer dizajnet.
“Familja dhe ne s’kemi qenë të kënaqur me idetë që kanë ardhur”, kishte thënë në janar Gëzim Kastrati, asokohe drejtor i Drejtorisë për Transformim në kryeqytet. Sipas tij, në konkursin tertë janë vendosur standarde të larta në thirrje dhe shpresojnë se do të respektohen. Specifikimet ishin të njëjtat edhe në vjeshtën e vitit 2024, kur u tentua që nëpërmjet thirrjes së dytë Komuna të bëhej me projekt. Por, sipas procesverbalit të hapjes së ofertave, s’ishte bërë asnjë propozim.
Sikurse nisma ashtu edhe caktimi i lokacionit kanë një histori të vjetër. Në nëntor të vitit 2019, kur Komuna udhëhiqej nga kryetari Shpend Ahmeti, Kuvendi Komunal kishte marrë vendim që ai të jetë midis ndërtesës së Qeverisë dhe asaj të Kuvendit të Kosovës.
“Miratohet vendimi për vendosjen e shtatores së komandantit legjendar Adem Jashari, në cepin e hapësirës së ndërtesës së Qeverisë së Kosovës në Prishtinë”, shkruhej në vendimin e marrë më 7 nëntor të vitit 2019.
Në vitin 2023 asamblistët e PDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës bashkë me ish-nënkryetaren e kryeqytetit, Donjeta Sahatçiu, kishin proklamuar se shtatorja do të jetë gati për 28 nëntorin e atij viti, ditë që pos festës kombëtare njihet edhe si ditëlindja e heroit Adem Jashari.