Përderisa sheshi ku planifikon të zërë vend memoriali përkujtimor “Adem Jashari” është veç në letër e pa leje, Komuna e Prishtinës për të tretën herë ka hapur konkurs. “Lokacioni gjendet në qendër të Prishtinës, në mes të ndërtesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Xhamisë së Gurit”, shkruhet në shpallje. Që të jetësohet ky memorial duhet së pari të përfundojë projekti që ende as s’ka nisur e i cili rrugën “Agim Ramadani” e bën nëntokësore e mbi të zgjerohet sheshi prej atij “Ibrahim Rugova” me pjesën e vjetër të qytetit
Komuna e Prishtinës ia ka mësyrë për të tretën herë që të bëhet me projekt për memorialin përkujtimor “Adem Jashari”. Më 2024 nuk u zgjodh asnjë prej projekteve në garë e në vjeshtën e vitit të kaluar s’kishte asnjë aplikim. Tash institucioni lokal i është rikthyer nismës për të cilën bëhet fjalë tash e më shumë se çerekshekulli, prej kur lufta mori fund. Komuna e Prishtinës nuk e ka ndërmend të heqë dorë nga kjo nismë, pavarësisht se planifikon që memoriali potencial të zërë vend mbi një projekt që ende nuk ka nisur: zgjatimin e bulevardit mbi Kuvendin e Kosovës.
Fiks 150 mijë euro është vlera e parashikuar për konkursin ku tri projektet më të mira do të shpërblehen. Çmimi i parë do të marrë kontratën për hartimin e projektit kryesor në vlerë prej 125 mijë eurosh përderisa për vendin e dytë janë paraparë 15 mijë euro dhe për të tretin 10 mijë euro.
“Lokacioni gjendet në qendër të Prishtinës, në mes të ndërtesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Xhamisë së Gurit”, shkruhet në shpalljen e bërë publike në fund të muajit të kaluar me afat aplikimi deri më 2 shkurt të këtij viti. Aty sqarohet se Komuna e Prishtinës ka zhvilluar projektin për ndërlidhjen e shëtitores ekzistuese, e cila përfundon me sheshin “Ibrahim Rugova” dhe vazhdimin e saj në pjesën e vjetër të qytetit përmes nënkalimit në rrugën “Agim Ramadani”.
“Sipas këtij projekti, rruga automobilistike ‘Agim Ramadani’ bëhet nëntokësore, ndërsa pjesa e sipërme e saj plate për këmbësorë, e cila mundëson ndërlidhjen e bulevardit ekzistues me pjesën e qytetit të vjetër. Pikërisht mbi këtë plate parashihet dizajnimi i memorialit dhe hapësirës së platesë rreth tij, i cili është subjekt i këtij konkursi”, shkruhet në thirrje.
Por në raport me këtë projekt Komuna ka jo pak telashe. Nuk e ka kaluar ende pragun e parë: lejen nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Projekti me kosto 6 milionë euro s’ka afat se kur do të nisë së zbatuari.
Qëllimi i Memorialit, sipas thirrjes, është të ruajë kujtesën historike duke nderuar trashëgiminë e një ngjarjeje kyç në historinë e Kosovës, të promovojë vlerat universale dhe të përmirësojë peizazhin urban.
Objektivat e Komunës janë të krijojë një intervenim të përshtatshëm në hapësirën publike, e cila do të manifestonte më së miri rezistencën dhe sakrificën e familjes Jashari, si një nga ngjarjet më të rëndësishme që kontribuuan në çlirimin e Kosovës. Sipas thirrjes, Memoriali duhet të nxisë kuptimin më të thellë të historisë së Kosovës dhe rolit të kësaj ngjarjeje kulmore në formësimin e kombit përmes rrëfimit urban në hapësirë të lirë.
“Zhvillimi i një dizajni të intervenimit në hapësirë publike me në qendër të artikulimit të saj ‘Memoriali përkujtimor kushtuar komandantit legjendar Adem Jashari dhe sakrificës së familjes së tij’, të integruar plotësisht në mjedisin konkret dhe duke ndihmuar atë në një transformim pozitiv bashkëkohor gjithëpërfshirës. Sigurohuni që propozimi juaj të jetë i qasshëm për personat me aftësi të kufizuara dhe të përfshijë parimet e dizajnit të qëndrueshëm për të minimizuar ndikimin mjedisor, duke u përafruar me fokusin e vizionin e kryeqytetit për zhvillimin urban gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm”, shkruhet në thirrje. Komuna kërkon që projekti për Memorialin mbi nënkalimin në rrugën “Agim Ramadani” duhet të trajtohet në mënyrë bashkëkohore duke u fokusuar në parimet e dizajnit bashkëkohor, kriteret ekologjike dhe gjithëpërfshirëse. Sipas thirrjes, propozimet duhet të fokusohen në krijimin e hapësirave publike gjithëpërfshirëse duke ruajtur balancën mes strukturave të propozuara për ndërtim dhe hapësirës së lirë publike. Përderisa aplikimet duhet të bëhen në mënyrë anonime, sipas thirrjes, juria do të jetë në përbërje të personaliteteve vendore dhe ndërkombëtare.
Historia me këtë nismë është e vjetër, por konkursi për atë që ishte paraparë si shesh monumental “Adem Jashari” qe hapur në vitin 2024. Në shtator të atij viti ishin prezantuar edhe pesë projektet e listës së ngushtë, të cilat ndryshonin në stile të ndryshme. Kishte skulptura monumentale e dizajne arkitekturore, nëpërmjet të cilave synohej që të simbolizohet kontributi i familjes Jashari për lirinë e Kosovës. Pesë projekte për një javë kishin qëndruar të ekspozuara në ndërtesën e vjetër të Komunës së Prishtinës. Por, rezultati ishte i barabartë me zero. Zyrtarët komunalë kishin thënë se familjes Jashari nuk i kishin pëlqyer dizajnet.
“Familja dhe ne s’kemi qenë të kënaqur me idetë që kanë ardhur”, ka thënë të enjten Gëzim Kastrati, drejtor i Drejtorisë për Transformim në kryeqytet. Sipas tij, tashmë janë vendosur standarde të larta në thirrje dhe shpresojnë se do të respektohen. Specifikimet ishin të njëjtat edhe në vjeshtën e vitit 2024, kur u tentua që nëpërmjet thirrjes së dytë Komuna të bëhej me projekt. Por, sipas procesverbalit të hapjes së ofertave, s’ishte bërë asnjë propozim.
Sikurse nisma ashtu edhe caktimi i lokacionit kanë një histori të vjetër. Në nëntor të vitit 2019, kur Komuna udhëhiqej nga kryetari Shpend Ahmeti, Kuvendi Komunal kishte marrë vendim që ai të jetë midis ndërtesës së Qeverisë dhe asaj të Kuvendit të Kosovës.
“Miratohet vendimi për vendosjen e shtatores së komandantit legjendar Adem Jashari, në cepin e hapësirës së ndërtesës së Qeverisë së Kosovës në Prishtinë”, shkruhej në vendimin e marrë më 7 nëntor të vitit 2019.
Sipas numrit të ngastrës kadastrale, bëhej fjalë për cepin midis dy institucioneve që kufizohet me bulevardin “Nënë Tereza”, afër shtatores së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.
Në vitin 2023 asamblistët e PDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës bashkë me ish-nënkryetaren e kryeqytetit, Donjeta Sahatçiu, kishin proklamuar se shtatorja do të jetë gati për 28 nëntorin e atij viti, ditë që pos festës kombëtare njihet edhe si ditëlindja e heroit Adem Jashari.
Në këtë “lojë” qe inkuadruar edhe asokohe kryetari i PDK-së, ish-ministri i Kulturës, Memli Krasniqi, i cili postoi edhe video në rrjete sociale duke paralajmëruar shtatoren. Krejt kjo përfundoi si shumë iniciativa të tjera duke dështuar.