Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rama sërish vepron pa leje, konkurs para zgjedhjeve për kompleksin memorial që s’e menaxhon komuna

Komuna e Prishtinës ka shpallur thirrje publike për ofertim për ndërtimin e parkut përkujtimor “Dr. Ibrahim Rugova” si dhe memorialin “Adem Jashari”. Tenderët do të kapin vlerën prej 950 mijë eurove. Komuna e Prishtinës ka shpallur tender pa pyetur Agjencinë për Menaxhim të Komplekseve Memoriale ndonëse këtë e ka obligim ligjor.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, vazhdimisht thotë që nuk shpenzon para për projektim të tenderëve, pasi projektet i kryen Zyra e Arkitektit të Qytetit.

Por kështu nuk ka vepruar me projektin për parkun memorial “Ibrahim Rugova” dhe atë “Adem Jashari”. 800 mijë për parkun “Dr. Ibrahim Rugova” e 150 mijë për atë “Adem Jashari”.

Kryetari Rama është munduar të arsyetohet lidhur me projektet e punuar nga Zyra e Arkitektit.

“Nuk ia kemi paguar 12 milionë euro Zyrës së Arkitektit. Kemi paguar rreth 5 milionë euro për 65 projekte, ndërkohë që qeveria një projekt e ka paguar 8 milionë euro. Kjo është praktikë e zakonshme në qytetet e zhvilluara”, ka thënë ai.

Për këtë projekt kryetari Rama ka formuar edhe juri ndërkombëtare. Në korrik ishin zgjedhur 5 kompani të cilat do të mund të fitonin.

Edhe Komuna me kontratë 125 mijë euro për memorialin “Adem Jashari” mbi sheshin që s’ekziston Kulturë Komuna me kontratë 125 mijë euro për memorialin “Adem Jashari” mbi sheshin që s’ekziston

Por sipas Arbër Sadikit, drejtor i Planifikimit në Prishtinë, konkursi është rishpallur sërish në shtator.

Sadiki nuk është përgjigjur se pse këtë projekt nuk e ka bërë Arkitekti i Qytetit.

“Projekti ka përfunduar pa fitues. Nuk e ka plotësuar minimalen. Juria ndërkombëtare ka thënë që nuk i plotësojnë kriteret. Ka rivlerësuar që asnjë propozim nuk mundet me u përcjellë. Për këtë është përsëritur, është në fazën finale. Do të rregullohen të gjitha varrezat që janë aty duke e përfshirë edhe varrezat e dëshmorëve”, ka thënë ai.

Ky është edhe një projekt tjetër për të cilin Komuna e Prishtinës nuk ka ndjekur procedurat ligjore.

Me ligjin për menaxhimin e komplekseve memoriale të Kosovës, kjo hapësirë është nën menaxhim të Agjencisë për Menaxhimin të Komplekseve Memoriale.

Edhe Komuna pa leje kontrakton projekt afro 700 mijë eurosh te “Varrezat e LNÇ-së” Kulturë Komuna pa leje kontrakton projekt afro 700 mijë eurosh te “Varrezat e LNÇ-së”

Drejtuesit e Agjencisë thonë se komuna është dashur të marrë leje për të investuar para se ta shpallë tenderin.

“S’kemi pranuar ende kërkesë për leje nga Komuna e Prishtinës. Me ligjin në fuqi është nën menaxhim të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës. Është obligim ligjor që para se të shpallet tenderi të merret miratimi i cili nuk është marrë dhe nuk kemi pranuar asgjë zyrtare prej anës se tyre. Ne jemi të gatshëm për bashkëpunim sepse ka nevojë për investime. Nuk mjafton vullneti i mirë duhet edhe dakordim patjetër. Ne e presim kërkesën me padurim sepse kjo punë duhet të mbikëqyret nga ne”, ka thënë Imer Hakaj, drejtor i AMKM-së.

Komuna e Prishtinës tenderin e ka titulluar me emrin: “Parku përkujtimor dr. Ibrahim Rugova dhe biblioteka presidenciale” pa përmendur fare dëshmorët dhe veprimtarin Adem Demaçi, trupat e të cilëve pushojnë aty.

Drejtori Hakaj ka thënë se memoriali e ka emrin “Ibrahim Rugova” dhe varrezat e dëshmorëve të UÇK-së.

E njohësi i Urbanizmit Driton Tafallari ka thënë se është mirë që do të investohet në këtë pjesë, po ka theksuar se kryetari Rama është dashur ta shfrytëzojë Arkitektin e Qytetit për këtë projekt.

Edhe Thirrja e tretë për memorialin “Adem Jashari” në sheshin ende në letër Kulturë Thirrja e tretë për memorialin “Adem Jashari” në sheshin ende në letër

“E para, është lajm i mirë ndërtimi i parkut dhe memorialit të cilat janë publikuar në formë të konkursit. Meqenëse kemi të bëjmë me dy projekte të rëndësishme, është dashtë të ketë më tepër debat me qytetarë e cila po duket që nuk ka ndodhur. Po ashtu, meqenëse Komuna e Prishtinës vetëm se e ka të kontraktuar Arkitektin e Qytetit është dashur që të angazhohet për projektim të këtyre dy hapësirave”, ka thënë ai.

Për mënyrën se si është bërë ky tenderim ka pasur kritika edhe opozita në kryeqytet.