Kulturë

“Forum 26” synon çlirimin e librit shqip nga taksa

Një javë pas zyrtarizimit në Tiranë, forumi i shkrimtarëve shqiptarë “Forum 26” është prezantuar të premten edhe në Prishtinë. Heqja e TVSh-së së librit – e kërkuar dhe e premtuar kaherë prej disa qeverive – është njëri prej synimeve

Një javë pas zyrtarizimit në Tiranë, forumi i shkrimtarëve shqiptarë “Forum 26” është prezantuar të premten edhe në Prishtinë. Heqja e TVSh-së së librit – e kërkuar dhe e premtuar kaherë prej disa qeverive – është njëri prej synimeve

E nisur si skenë unifikuese mbarëkombëtare e letërsisë shqipe, pas Tiranës, “Forum 26” është prezantuar edhe në Prishtinë. Në kryeqytet ka ardhur me detaje shtesë. Forumi i Shkrimtarëve Shqiptarë synon që tregu i librit shqiptar të ketë zero taksë, si dhe të ketë ligj të përafërt për librin. Është vlerësuar se forumi synon t’ia heqë prangat shkrimtarit sa u përket pikëpamjeve gjuhësore dhe të promovohet diversiteti gjuhësor.

Në prezantimin në sallën “Idriz Ajeti” në Fakultetin e Filologjisë, presidenti i forumit, shkrimtari Stefan Çapaliku ka shpjeguar se si kishte nisur krijimi i asaj që tashmë veçse po merr formë. Ka thënë se fillimisht kishin diskutuar pozicionin e shkrimtarit dhe se kishin kuptuar mirë pozicionin e margjinalizuar të tij në shoqëri.

“Kemi kuptuar mirë një pozicion të margjinalizuar të shkrimtarëve në shoqëri. Është pozicion që tregon se shkrimtari po e humb rolin e tij përditë e më tepër. Për t’i bërë bashkë këta shkrimtarë duhej një program, moto, motiv më i mirë sesa ‘Gjuha është atdheu ynë i përbashkët’, nuk gjen dhe nuk ka. Sepse shqipja është një me gjithë varietetet e veta, është një sofër e madhe. Për fatin tonë të mirë kemi një gjuhë ku dialektet merren vesh për bukuri. Aq mirë merren vesh sa mund të duket se nuk janë dialekte”, ka thënë Çapaliku para të pranishmëve, në ceremoninë e së premtes.  

Sipas tij, çdo prangë që i vihet shkrimtarit në pikëpamje gjuhësore është jashtë konceptit dhe parimeve të “Forum 26”.

“Ne luftojmë të promovojmë diversitetin gjuhësor dhe brenda saj është gjuha shqipe. Në këtë kuptim, besojmë se ata 18 veta që iu bashkëngjitën së pari themelimit, ishin në gjendje të krijonin një gravitet kaq të rëndësishëm, të fortë, sa brenda pak ditësh u zgjua interesi i shumë shkrimtarëve që shprehën dëshirën të bëhen pjesë e këtij forumi”, është shprehur ai.

“Forum 26” është emërtuar kësisoj si simbolikë e vitit kur është themeluar. Në fillim të këtij muaji, më 6 shkurt u zyrtarizua institucioni i ri i krijuesve shqiptarë me një ceremoni në një librari në Tiranë.

Autorë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe nga mërgata shqiptare, kishin zyrtarizuar Shoqatën e shkrimtarëve. Aty ishte zgjedhur edhe kryesia. President i “Forum 26” qe zgjedhur Stefan Çapaliku, zëvendëspresident Ag Apolloni, ndërsa Granit Zela mban detyrën e koordinatorit.

Grupi themelues i Forumit të Shkrimtarëve Shqiptarë përbëhet nga: Andreas Dushi, Adil Olluri, Ag Apolloni, Donika Dabishevci, Durim Taçi, Entela Tabaku, Ervin Nezha, Gazmend Krasniqi, Granit Zela, Ledia Dushi, Lulëzim Haziri, Mark Pashku, Marsela Neni, Ndue Ukaj, Vlora Konushevci, Primo Shllaku, Stefan Çapaliku. President nderi i Forumit është zgjedhur Visar Zhiti.

E lista është zgjeruar. Aty tashmë ka edhe krijues arbëreshë, nga Greqia, diaspora, e edhe prej atyre që janë të huaj, por me krijimtarinë e tyre veçse kanë zënë vend në letërsinë shqipe. I tillë është shkrimtari Robert Wilson, që tashmë është pjesë e këtij forumi.

Por, për Çapalikun, kualiteti i anëtarëve ka më shumë rëndësi se kuantiteti.

“Forumi nuk është çështje sasie, numrash, se u grumbulluan shumë shkrimtarë dhe problemet do të zgjidhen. Përkundrazi. Duhet të jemi të kujdesshëm se ne po ecim me një mekanizëm propozimesh. Secili prej anëtarëve themelues, jo më larg se dje, ka propozuar një shkrimtar tjetër. E kemi hedhur në votim, jo të gjithë pranohen. Kjo frymë mendoj se është vlerësuar prej të gjithëve. Të gjithë e kanë kuptuar se e kemi me tamam”, është shprehur ai.

Poetja e përkthyesja Vlora Konushevci ka thënë se kjo është nisma e parë gjithëpërfshirëse e të gjitha trevave shqiptare.

“Me këtë rast, megjithëse kemi kufij administrativë, kufij gjuhësorë nuk kemi, fatbardhësisht dhe tash si një zë i përbashkët shpresojmë të ndikojmë edhe në lehtësime të qarkullimit të librit midis Kosovës e Shqipërisë, si dhe diasporës, në politika, taksa, doganë e të tjera. Do të bëjmë propozime veç e veç dhe shpresojmë që do ta lehtësojmë qarkullimin e librit shqip në trojet shqiptare dhe në diasporë”, ka thënë Konushevci, e cila i është bashkuar forumit.

Po për TVSh-në në libra, Çapaliku ka thënë se shteti nuk përfiton prej librave, ngase, sipas tij, titujt shtypen e shiten në sasi të vogla.

“Në pikëpamje ekonomike nuk luan aspak rol në buxhetin e shtetit. Sikur prodhimi libror shqiptar të sillte shifra miliona euroshe, do ta pranonim. Por ky prodhim është një mijë tituj në vit me tirazhe skandaloze, me çmime po ashtu skandaloze. Prandaj, ky është një mentalitet që duhet thyer dhe nuk mund ta thyenim duke qenë të ndarë”, ka konsideruar ai.

Në “Forum 26” është anëtarësuar edhe studiuesi e poeti Ndue Ukaj. Për “Forumin...” ka thënë se është zë i shkrimtarëve.

“Deri sot, për librin e shkrimtarin, për përkthyesin, punëtorin e kulturës, kryesisht kanë folur institucionet, njerëz që nuk merren me krijimtari. Ndoshta në historinë e tranzicionit shqiptar është hera e parë që dëgjohet zëri alternativ i vetë shkrimtarëve. Kjo mendoj se është një nga gjërat më me vlerë të këtij forumi, sepse ky zë i ka munguar hapësirës kulturore. Ne kemi barriera shumë të mëdha në komunikimin kulturor midis Tiranës dhe Prishtinës”, ka konsideruar ai.

Ka theksuar faktin se edhe nëse vepra e një autori të Kosovës botohet në Shqipëri, ai nuk mund të marrë çmim kombëtar atje dhe anasjelltas. Ka thënë gjithashtu se do të përpiqen të kuptohet pesha e librit, në atë që e quan si betejë kulturore.

“Jemi të privuar nga mundësia që të jemi pjesë e listave të çmimeve kombëtare këtu e atje, sepse nuk jemi shtetas të Shqipërisë, ndërkohë që flasim të njëjtën gjuhë e kulturë që na bashkon. Në këtë betejë kulturore, përmes zërit të gjuhës sonë të bukur do të përpiqemi të kuptojmë peshën dhe domethënien që ka libri në rrugëtimet tona, edhe për zhvillim, edhe për emancipim, sepse një shoqëri që nuk ushqehet mjaftueshëm me kulturë, rrezikon të bëhet barbare, siç është thënë nga shumë të mençur”, ka theksuar Ukaj.

Profesoresha Lindita Aliu-Tahiri ka propozuar që “Forumi” të mos mendohet thjesht si skenë për letërsinë, por edhe për krijuesit që shkruajnë muzikë, skenarë filmi e jo vetëm.

“Forumi...” menjëherë duket se ka dhënë efekt. Çapaliku ka bërë me dije se institucioni është ftuar në seancën dëgjimore të Kuvendit të Shqipërisë për Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për librin.

“Nga institucionet ka pasur interesim, sepse menjëherë jemi ftuar në Parlament për të folur në një seancë dëgjimore për Projektligjin për librin, që po përgatitet. Ditën e hënë do të jenë disa anëtarë atje dhe do të japim opsionet tona për një ligj sa më liberal, për ta bërë një ligj historik në tërë historinë politike shqiptare. Që të çlirohet libri nga taksa një herë e mirë”, ka thënë ai.

Pas Tiranës e Prishtinës, “Forum 26” pritet të prezantohet edhe në Shkup.

Lexo edhe: