Krijimi i një hapësire të përbashkët reflektimi, bashkëpunimi dhe dialogu për shkrimtarët shqiptarë, është qëllimi parësor i forumit të shkrimtarëve shqiptarë - “Forum 26”. Në mesin e synimeve është edhe ndryshimi i politikës shqiptare që injoron vlerat e letërsisë. “Ne e konsiderojmë gjuhën shqipe si atdheun tonë të përbashkët kulturor. Në këtë frymë, ‘Forumi 26’ synon të ushtrojë një ndikim konstruktiv ndaj institucioneve dhe vendimmarrësve në fushën e kulturës, për ndërtimin e politikave kulturore koherente, gjithëpërfshirëse dhe të ndjeshme ndaj integritetit dhe unitetit të letërsisë shqipe”, ka thënë shkrimtari Stefan Çapaliku në ceremoninë e zyrtarizimit të “Forum 26”, kur është zgjedhur president
Si hapësirë e përbashkët kulturore e letërsisë shqipe është formuar forumi i shkrimtarëve shqiptarë - “Forum 26”. Autorë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe nga mërgata shqiptare, të premten në mesditë e kanë zyrtarizuar shoqatën e shkrimtarëve. Në takimin e mbajtur në Tiranë është zgjedhur edhe kryesia, ndërsa pritet të prezantohet edhe në Prishtinë si gjuhë universale që nuk njeh kufij e politikë. Njeh veç krijimtarinë.
“Forumi”, siç bëhet me dije, synon të krijojë një hapësirë të përbashkët reflektimi, bashkëpunimi dhe dialogu për shkrimtarët shqiptarë. Përbashkohen në një institucion të vetëm, të sapokrijuar, pavarësisht se ku jetojnë e ku krijojnë. Nuk është thjesht hapësirë formale e bashkimit, por një platformë dialogu, bashkëpunimi dhe krijimtarie. Aty fjala artistike fiton dimensione të reja dhe zëra që gjejnë jehonë. Formimi i tij vjen si përgjigje e domosdoshme ndaj nevojës për dialog, bashkëpunim dhe ruajtje të fjalës artistike shqipe në një kohë kur rrëshqitja prej saj po imponohet çdoherë e më shumë.
President i “Forum 26” është zgjedhur Stefan Çapaliku, zëvendëspresident Ag Apolloni, ndërsa Granit Zela mban detyrën e koordinatorit.
Në një përgjigje për KOHËN, Apolloni ka thënë se “në një kohë kur politikës po ia shohim veç sherrin, letërsisë ndoshta mund t’ia shohim hairin”.
Sipas tij, botën po e udhëheqin rrëfimet, e mbi to po merr formë politika. Sipas shkrimtarit Apolloni, “Forumi...” do të ta ndryshojë politikën shqiptare që injoron vlerat e letërsisë.
“Nuk duhet të harrojmë që, edhe pse flitet sikur lexohet pak, jemi një kohë kur rrëfimi është më i rëndësishëm se gjithçka. Mirë që studiohen edhe profesionet e tjera, sigurisht, por botën po e udhëheqin rrëfimet, mbi të cilat pastaj po merr formë edhe politika. Forumi i Shkrimtarëve Shqiptarë do të ndikojë që letërsia, si nëna e rrëfimeve, të mos jetë margjinale. Besoj se të gjithë jemi mbledhur me qëllimin më të mirë, që ta ndryshojmë këtë realitet të pervertuar politik shqiptar që injoron vlerat nga të cilat përfiton më së shumti kombi dhe shtetet tona”, është shprehur Apolloni.
Ka thënë se vendet shqipfolëse janë të vogla dhe se ndikimi politik nuk do të jetë kurrë i dukshëm, por ndikimi kulturor do të përhapet gjithandej. Ka shprehur çudi se si arti dhe shkenca në vend ende nuk janë verbuar duke u bazuar në trajtimin e institucioneve shtetërore ndaj këtyre dy fushave.
“Deri tani institucionet tona politike për kulturën kanë menduar se mjafton financimi i dy-tre librave, dhe me kaq kryhet shërbimi i tyre ndaj kulturës. ‘Forumi 26’ synon ta ndryshojë këtë qasje, duke i vetëdijesuar ata për kompleksitetin dhe nevojën e kulturës. Një teoricien letrar ka thënë se arti dhe shkenca janë dy sytë e njerëzimit, e për nga trajtimi që u është bërë këtyre dy syve nga ministritë përkatëse dhe institucionet e tjera, është çudi që s’jemi verbuar ende”, është shprehur Apolloni në një përgjigje me shkrim.
Ka bërë me dije se disa prej kritikëve të politikave kulturore, përfshirë edhe vetë atë, janë bashkuar që kritika të ketë efekt më të madh.
“Disa prej nesh që jemi në ‘Forum 26’, kemi kritikuar vazhdimisht politikat kulturore, ndërsa tani të bashkuar kritikat tona mund të kenë një efekt më të madh. Politikanët, por edhe biznesmenët, duhet t’i shërbejnë kulturës, përndryshe duhet t’u vijë turp që e flasin këtë gjuhë që ua kanë sjellë shkrimtarët. Besoj që ky forum do të përkrahet edhe nga mediat, duke u ofruar hapësirën për të cilën ka nevojë, dhe do të sfidojë sektet politike që mbajnë maska kulturore”, ka thënë më tej shkrimtari e profesori universitar.
Ka bërë me dije se forumi është me funksion “integrues, promovues dhe influencues”.
Në një përgjigje për KOHËN, shkrimtari Granit Zela, koordinator i “Forum 26” ka thënë se themelimi i tij ka ardhur duke e vendosur letërsinë shqipe si hapësirë të përbashkët kulturore.
“Forumi i Shkrimtarëve Shqiptarë është, para së gjithash, një projekt kolektiv, i ndërtuar mbi besimin, bashkëpunimin dhe vullnetin për ta menduar letërsinë shqipe si një hapësirë të përbashkët kulturore. Në këtë frymë, edhe roli im si koordinator është në funksion të vazhdimësisë së punës që kemi nisur së bashku me të gjithë kolegët e grupit themelues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe mërgata”, ka thënë ai duke theksuar edhe detyrat si koordinator i forumit të shkrimtarëve shqiptarë – “Forum 26”.
“Që nga faza e grupit nismëtar kam qenë i angazhuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në procesin organizativ. Këtë rol e kam ushtruar jo si funksion formal, por si një nevojë praktike për ta çuar procesin përpara, për ta mbajtur grupin të informuar dhe për të siguruar një lloj koherence organizative. Koordinatori, ashtu siç e përfytyroj unë, është dikush që mban proceset gjallë, komunikimin të hapur dhe vendimet të qarta, në të mirë të letërsisë shqipe dhe autorëve shqiptarë. Jam i nderuar që më është dhënë ky besim”, ka thënë Zela.
Grupi themelues i Forumit të Shkrimtarëve Shqiptarë përbëhet nga Andreas Dushi, Adil Olluri, Ag Apolloni, Donika Dabishevci, Durim Taçi, Entela Tabaku, Ervin Nezha, Gazmend Krasniqi, Granit Zela, Ledia Dushi, Lulëzim Haziri, Mark Pashku, Marsela Neni, Ndue Ukaj, Vlora Konushevci, Primo Shllaku, Stefan Çapaliku. President nderi i Forumit është zgjedhur Visar Zhiti.
Shkrimtari e studiuesi Adil Olluri ka bërë me dije se takimi i ardhshëm i Forumit do të jetë në Prishtinë më 13 shkurt.
Në komunikatën për media bëhet me dije se presidenti i “Forumit...”, shkrimtari Stefan Çapaliku ka theksuar se organizimi është krijuar pas një sërë takimesh dhe diskutimesh të përqendruara në letërsinë shqipe, të cilat çuan në përfundimin se ekziston një nevojë e qartë për një organizim të ri, gjithëpërfshirës dhe bashkëkohor të shkrimtarëve shqiptarë.
“Ne e konsiderojmë gjuhën shqipe si atdheun tonë të përbashkët kulturor. Në këtë frymë, ‘Forumi 26’ synon të ushtrojë një ndikim konstruktiv ndaj institucioneve dhe vendimmarrësve në fushën e kulturës, për ndërtimin e politikave kulturore koherente, gjithëpërfshirëse dhe të ndjeshme ndaj integritetit dhe unitetit të letërsisë shqipe. Prioritet mbetet promovimi i letërsisë shqipe si një e tërë e pandashme, si një hapësirë e përbashkët kulturore dhe artistike”, citohet të ketë thënë Çapaliku gjatë ceremonisë së shpalljes publike, e zhvilluar të premten në librarinë “Babel” në Tiranë.
Në komunikatë shkruhet se “Forumi 26” krijohet si një hapësirë dialogu, bashkëpunimi dhe rrjetëzimi, ku idetë mbi artin, krijimtarinë dhe kritikën letrare takohen për të ndërtuar kontakte reale kulturore, ndërshqiptare dhe ndërkombëtare”.
“Forum 26” pritet të dëshmohet si investim në kulturë dhe në shpirtin krijues të shoqërisë.