Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Salihu: Rritja e ministrive e dobishme, zvogëlimi ishte vendim populist

Bekim Salihu

Bekim Salihu nga Instituti GAP e ka vlerësuar si të dobishëm rikthimin e disa ministrive në Qeverinë “Kurti 3”, duke thënë se zvogëlimi i tyre në mandatin e kaluar nuk prodhoi rezultatet e pritura dhe ishte më tepër vendim populist.

Sipas tij, rritja e numrit të ministrive ka ardhur pasi udhëheqja aktuale ka konstatuar se ristrukturimi i Qeverisë “Kurti 2” nuk ka qenë funksional.

“Rritja e ministrive ka ardhur si rezultat që udhëheqja aktuale ka konstatuar se rikonstruktimi i Qeverisë Kurti 2 nuk ka qenë i dobishëm dhe nuk i ka dhënë rezultatet që janë pritur. Për rrjedhojë, është parë e udhës që ato ministri që janë shkrirë, të rifunksionalizohen”, ka thënë Salihu në “Interaktiv” të KTV-së.

Ai përmendi si shembull faktin që ministri Xhelal Sveçla kishte mbajtur njëkohësisht postin e ministrit të Brendshëm dhe atë të Administratës Publike, por sipas tij, çështjet e administratës nuk kanë marrë vëmendjen e duhur.

Sipas Salihut, struktura e mëparshme kishte krijuar situata kaotike dhe funksione të dyfishta brenda ministrive të shkrira.

Edhe Gashi: Rritja e numrit të ministrive u bë pa asnjë analizë paraprake Arbëri Gashi: Rritja e numrit të ministrive u bë pa asnjë analizë paraprake

“Ministritë e shkrira kanë prodhuar funksione të dyfishta. Zyra për Informim, në vend që t’i ketë dy, i ka pasur katër; ajo e prokurimit, në vend të katër, i ka pasur tetë. Kjo krijoi paqartësi dhe pakënaqësi të brendshme”, u shpreh ai.

Ai theksoi se Kosova numrin më të madh të ministrive e ka pasur 21 gjatë qeverisjes së Ramush Haradinaj, ndërsa aktualisht numri është 19 – nga 15 sa ishte në mandatin e kaluar.

Salihu kritikoi edhe arsyetimin për zvogëlimin e ministrive gjatë mandatit të kaluar të Kurtit, duke e cilësuar atë si përpjekje për të krijuar imazh të kursimit.

“Kur është zvogëluar numri i ministrive ka pas qëllim populist që kinse jemi qeveri e kursimit. Në fund doli se as që ishte qeveri e kursimit dhe nuk prodhoi rezultatet e duhura”, ka thënë ai.

Edhe Shoqëria civile kundërshton rritjen e mundshme të numrit të ministrive Arbëri Shoqëria civile kundërshton rritjen e mundshme të numrit të ministrive

Megjithatë, ai ngriti shqetësime për aspektet procedurale, duke theksuar se duhet të ndryshohet Rregullorja dhe se nuk është planifikuar buxhet për katër ministri.

“Për mua ishte e habitshme se si Qeveria vendosi ta procedojë në Kuvend ligjin për buxhet pa pasur buxhet për katër ministri”, deklaroi Salihu, duke shtuar se është i habitur se pse nuk ka pasur ministri të integrimeve evropiane.