Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar në dy raste rritjen e numrit të ministrive nga 15 në 19, gjatë prezantimeve në Kuvend nga kandidatët e saj për kryeministër. Megjithatë, nga Qeveria nuk është bërë e ditur nëse kryeministri në detyrë, i cili synon mandatin e tretë, do ta mbështesë këtë përcaktim. Përfaqësues të shoqërisë civile kanë vlerësuar se rritja e numrit të ministrive është e panevojshme.
Njohës të punës së ekzekutivit kanë theksuar se ndarja e ministrive ekzistuese nuk do të përmirësonte funksionimin e shtetit. Drejtoresha e Grupit për Studime Politike dhe Juridike (GLPS), Njomza Arifi, ka deklaruar se rritja e numrit të ministrive vetëm sa do të shtonte shpenzimet dhe barrën administrative, pa sjellë përfitime reale. Sipas saj, qeveria e ardhshme duhet të fokusohet në funksionimin efektiv të ministrive aktuale.
Struktura e re e ministrive është prezantuar fillimisht në tetor të vitit të kaluar nga Albin Kurti dhe më pas një muaj më vonë nga Glauk Konjufca. Ndryshimet e propozuara përfshinin krijimin e Ministrisë për Familjen dhe Mirëqenien Sociale, Ministrisë për Administratë Publike dhe Digjitalizim, si dhe bashkimin e Integrimit Evropian me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë. Arifi e ka cilësuar këtë të fundit si një lidhje të gabuar që mund të dëmtojë procesin e integrimit evropian.
Sa i përket Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, nuk është propozuar ndryshim në formatin e saj. Lirim Krasniqi nga organizata “Germin” ka vlerësuar se një ministri e veçantë për diasporën mund të ndihmojë institucionalizimin e çështjeve, por nuk i zgjidh problemet kryesore. Ai ka theksuar nevojën për struktura dhe mandate të qarta, duke përmendur se disa procese kanë ngecur pikërisht për shkak të mungesës së qartësisë institucionale.
Në lidhje me arsyet konkrete për propozimin e rritjes së numrit të ministrive në 19, Zyra e Kryeministrit nuk ka kthyer përgjigje.