Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Arifi: Fitorja e VV-së, minus i madh për lidershipin e PDK-së e LDK-së

Profesori i shkencave politike, Dritëro Arifi, ka vlerësuar se fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhje duhet t’i atribuohet kryesisht votës brenda Kosovës, ndërsa ka kritikuar Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës për mungesë reflektimi pas humbjeve në tri palë zgjedhjet e fundit.

Sipas tij, ndikimi i diasporës në rezultatet zgjedhore është i kufizuar krahasuar me votën e qytetarëve brenda vendit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Është krijuar më shumë pluhur sesa që ka nevojë. Betejat fitohen në Kosovë dhe në Kosovë gjithçka vendoset. Diaspora mund ta japë një përqindje të vogël, por pa votat e vendorëve nuk do të ishte kjo fitore e madhe e VV-së. Kjo fitore i shkon VV-së, por është minus i madh për lidershipin e PDK-së dhe LDK-së sepse kjo nuk ka kuptim nëse i humb tri gara dhe nuk ka asnjë reflektim pse këto vota kështu”, ka thënë Arifi.

Ai ka komentuar edhe pjesëmarrjen në votime dhe ndikimin e saj në rezultatet zgjedhore, duke thënë se rritja e përqindjeve të disa partive lidhet me numrin e ndryshëm të votuesve krahasuar me zgjedhjet e kaluara.

“Është rritje e përqindjes sepse numri i votuesve nuk ka qenë i njëjtë si në dhjetor. Po të kishte qenë në këtë trend si më 28 dhjetor, përqindja e të gjitha partive tjera opozitare ka mundur të jetë edhe më e ulët. Fati i tyre në fatkeqësi është që numri i votuesve nuk ka qenë shumë i lartë. Ata s’kanë votuar për opozitën, ata vetëm kanë abstenuar”, ka deklaruar ai.

Arifi ka vlerësuar se një pjesë e elektoratit të Vetëvendosjes ka shprehur pakënaqësi ndaj qeverisjes së partisë, duke mos dalë në votime – aty ku sipas tij edhe i ka humbur votat LVV-ja.

“Kjo tregon për VV-në se kanë qenë të pakënaqur me mënyrën si kanë qeverisur. Nga premtimet që kanë dhënë që nga 2021 thuajse asnjëri nuk është realizuar në kuptimin e plotë të fjalës. Prandaj ato 100 mijë vota janë një lloj flakareshi për VV-në që nuk pajtohen me mënyrën si kanë qeverisur. Dhe është minus për opozitën që pakënaqësinë që është krijuar nga mosaftësia e VV-së për të prodhuar politika pozitive nuk kanë arritur t’i rimarrin ato vota”, ka thënë ai.

Sipas Arifit, partitë që në legjislaturën e fundit ishin në opozitë nuk kanë arritur të krijojnë një alternativë bindëse përballë kryeministrit Albin Kurti dhe Vetëvendosjes.

“Dorëzimin e kanë pa si opsion, kjo është ajo pse i ka penalizuar. Opozita nuk ka një lider të fuqishëm si Kurti dhe intimidimi që ka ndodhur nga LVV-ja, sulme nganjëherë edhe të pabaza ndaj disa eksponentëve të opozitës, ata në një mënyrë janë ndjerë të pafuqishëm për ta rikthyer lojën në favor. Nuk është se ata nuk kanë bërë gjëra, por nuk mjafton”, ka thënë ai.