Ministri spanjoll i Transportit, Oscar Puente, ka dhënë dorëheqje, gjashtë ditë pas përplasjes së trenave të shpejtësisë së lartë, ku humbën jetën të paktën 69 persona dhe dhjetëra të tjerë u plagosën, transmeton “BBC”.
Puente e bëri të ditur vendimin e tij në Kongres, ku po dëshmonte lidhur me rrethanat e aksidentit të së mërkurës së kaluar, pranë qytetit Urda, në jug të kryeqytetit, Madrid.
“Një ministër i Transportit në një vend si Spanja nuk mund të qëndrojë në detyrë pas dy aksidenteve të kësaj shkalle serioziteti brenda më pak se një viti”, tha ai, duke iu referuar edhe një aksidenti tjetër fatal që ndodhi në janar në rajonin e Andaluzisë, në jug të Spanjës.
Tragjedia e fundit në Urda ndodhi kur një tren i shpejtësisë së lartë, në pronësi të operatorit shtetëror Renfe, u përplas me pjesën e pasme të një treni tjetër, i cili ishte i ndalur dhe operohej nga kompania Iryo.
Puente e njoftoi vendimin e tij në fund të seancës së Kongresit të martën në mbrëmje, gjatë së cilës kishte prezantuar masat e reja për sigurinë hekurudhore dhe ishte përballur me pyetjet e ashpra të opozitës.
Ai tha se vendimin për dorëheqje e kishte marrë menjëherë pas katastrofës së 28 tetorit, por nuk e kishte bërë publik.
Edhe
Të paktën 69 të vdekur nga përplasja e trenave në Spanjë
Puente ishte përballur me presion gjithnjë e më të madh pas tragjedisë, pasi partitë opozitare dhe disa aleatë të qeverisë kishin kërkuar dorëheqjen e tij.
Dorëheqja e tij vjen si goditje për qeverinë e udhëhequr nga socialistët, në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të caktuara për 29 nëntor.