Ish-kryeredaktori i Radios Evropa e Lirë, Melazim Koci ka thënë se zgjedhjet e mesmandatit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Dhomën Përfaqësuese dhe Senatin, janë më të rëndësishmet në 40 vjetët e fundit.
Koci në emisionin “Interaktiv” në KTV ka deklaruar se mund të konsiderohen edhe si referendum për presidentin Donald Trump sepse nëse i humb të dyja, do të jetë shumë i kufizuar.
Sipas Kocit nëse Demokratët i fitojnë të dyja, pritet që menjëherë të fillojnë hetime për ministrin e Mbrojtjes, Pete Hegseth.
“Praktikisht është referendum për Trumpin sepse nëse i humb të dyjat edhe Dhomën Përfaqësuese edhe Senatin, në dy vjetët e ardhshme do të jetë president me duar të lidhura. Edhe mund ta kushtëzojnë presidentin në shumë raste. Pritet që nëse Demokratët i fitojnë të dyja të fillojnë menjëherë hetime, ta zëmë për sekretarin e Mbrojtjes për të cilin supozohet se nuk ka respektuar aspekte ligjore në rastin e luftës në Iran”, ka deklaruar Koci i cili shtoi se edhe para këtyre zgjedhjeve ka pasur kërkesa që Hegseth të shkarkohet.
Politologu Koci ka treguar gjithashtu pse këto zgjedhje konsiderohen më të rëndësishmet në 40 vjetët e fundit.
Ai gjithashtu ka shtuar se 95% gjasat janë që Dhomën Përfaqësuese ta fitojnë Demokratët.
Edhe
Zgjedhjet e mesmandatit në SHBA dhe Ballkani – sonte në “Interaktiv” Melazim Koci
“Këto zgjedhje konsiderohen jashtëzakonisht të rëndësishme, do të thosha ndoshta edhe historike për shkak të faktit që Shtetet e Bashkuara të Amerikës aktualisht kanë një president atipik jokonvencional dhe ky fakt ka bërë që këto zgjedhje të jenë më të rëndësishmet në 40 vjetët e fundit. Sondazhet e fundit i nxjerrin favorit absolut Demokratët për të fituar Dhomën Përfaqësuese dhe favorit gjithashtu edhe për Senat por gara për Senat megjithatë është më e ngushtë, mund të ndodhë çdo gjë. Dhomën Përfaqësuese do ta fitojnë gjithsesi, 95% gjasat janë që Demokratët ta fitojnë”, ka deklaruar Koci në “Interaktiv”.
Republikanët aktualisht kontrollojnë si Dhomën e Përfaqësuesve ashtu edhe Senatin, ndërsa këto zgjedhje vijnë në një moment të vështirë për partinë e Trumpit.
Çmimet e ushqimit dhe karburantit janë rritur pjesërisht për shkak të tarifave agresive të presidentit Trump dhe luftës me Iranin, duke nxitur pakënaqësi te masa. Kjo ka bërë që së fundmi Trumpi të bëjë fushatë edhe në territorin republikan më parë të sigurt, duke u shfaqur në Iowa dhe Kansas gjatë një tubimi të fundjavës.