Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rrustemi: PDK-ja po e pengon çdo afrim mes LDK-së dhe Vetëvendosjes

Adnan Rrustemi

Deputeti i rizgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka akuzuar Partinë Demokratike të Kosovës se po ushtron presion ndaj lidershipit të LDK-së për të penguar çdo afrim dhe bashkëpunim me Vetëvendosjen, veçanërisht sa i përket arritjes së një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit.

Në një intervistë për KosovaPress, Rrustemi tha se brenda LDK-së ka figura që, sipas tij, veprojnë në interes të PDK-së dhe po tentojnë ta mbajnë këtë parti larg çdo bashkëpunimi me Vetëvendosjen.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Kjo është një fushatë e PDK-së nëpërmjet elementeve të saj në LDK, siç është Përparim Rama, për ta goditur Lumir Abdixhikun dhe lidershipin aktual të LDK-së që të mos i afrohet Vetëvendosjes. Ka një tendencë të vazhdueshme të elementeve të PDK-së në LDK për ta tërhequr LDK-në kah PDK. Në situatën aktuale, kur duhet gjetur një zgjidhje për presidentin, PDK po ushtron presion mbi lidershipin e LDK-së për të penguar çdo bashkëpunim mes LDK-së dhe VV-së”, deklaroi ai.

Rrustemi shtoi se, pavarësisht mospajtimeve politike me LDK-në, e konsideron të gabuar përpjekjen që kjo parti, sipas tij, të mbahet e nënshtruar nga PDK-ja.

Duke folur për situatën politike pas zgjedhjeve parlamentare, deputeti i Vetëvendosjes tha se zgjedhjet e fundit kanë qenë të panevojshme dhe se rezultati i tyre ka dëshmuar se vendi kishte nevojë për stabilitet institucional, e jo për procese të reja zgjedhore.

Ai theksoi se pas shpalljes dhe certifikimit të rezultateve duhet të nisin bisedimet për formimin e institucioneve, ndërsa fajësoi opozitën për krizën aktuale politike.

Sipas Rrustemit, nëse vitin e kaluar do të ishte pranuar oferta e Vetëvendosjes për bashkëqeverisje me LDK-në, vendi nuk do të kishte shkuar në zgjedhje të reja.

“Partitë opozitare besonin se duke e çuar vendin në zgjedhje të njëpasnjëshme do ta dobësonin Lëvizjen Vetëvendosje dhe do të krijonin rrethana për një qeveri të pakicës kundër fituesit të zgjedhjeve. Këto kalkulime nuk prodhojnë stabilitet dhe tani mbetet të shihet nëse opozita ka ndryshuar qasje ndaj Vetëvendosjes”, u shpreh ai.

Rrustemi tha gjithashtu se përsëritja e shpeshtë e zgjedhjeve ka ndikuar në uljen e pjesëmarrjes së qytetarëve në votime.

“Mund të ketë shumë faktorë, por edhe lodhja nga zgjedhjet e shpeshta. Brenda 18 muajve kemi pasur pesë procese zgjedhore, me kosto të mëdha dhe krejtësisht të panevojshme. Edhe zgjedhjet e 22 tetorit, edhe ato të 14 shkurtit kanë qenë të evitueshme po të kishte pasur vullnet politik. Shpresoj që opozita të ketë reflektuar dhe të heqë dorë nga bllokada, sepse në sistemin tonë parlamentar bashkëpunimi është i domosdoshëm”, tha ai.

Sa i përket zgjedhjes së presidentit, Rrustemi përsëriti qëndrimin e Vetëvendosjes se Kosova duhet të ketë një president konsensual dhe jopartiak.

Sipas tij, presidentja aktuale Vjosa Osmani nuk i plotëson këto kritere, pasi është e angazhuar drejtpërdrejt në politikë dhe ka qenë pjesë e proceseve partiake.

“Kosova ka nevojë për një president konsensual dhe jopartiak. Zonja Osmani është deputete dhe figurë aktive politike, prandaj nuk hyn në kategorinë e figurave konsensuale”, deklaroi Rrustemi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur më 27 qershor rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit. Sipas tyre, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 47.13 për qind të votave dhe 53 ulëse në Kuvend. PDK ka siguruar 19.44 për qind dhe 22 mandate, LDK 16.69 për qind dhe 18 ulëse, ndërsa AAK 6.74 për qind dhe 7 mandate.