Arbëri

Qeveria e re me më shumë ministri

Në dy raste, të propozuarit e LVV-së për kryeministra kanë prezantuar në Kuvend përcaktimin për ta rritur numrin e ministrive nga 15 në 19. Në Qeveri nuk treguan nëse kryeministri në detyrë që synon mandatin e tretë, do t’i qëndrojë pas përcaktimit për rritjen e numrit të dikastereve. E, në shoqërinë civile thanë se është e panevojshme të rritet numri i ministrive

Propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje që të rrisë numrin e ministrive duke ndarë disa prej aktualeve në dysh, nuk është konsideruar i nevojshëm nga njohës të punës së ekzekutivit.

Drejtoresha e Grupit për Studime Politike dhe Juridike (GLPS), Njomza Arifi, tha se rritja e numrit nuk i shërben funksionimit më të mirë shtetëror dhe rrit shpenzimet e barrën administrative.

“Prandaj, ne konsiderojmë që në vend të rritjes së numrit të ministrive, qeveria e ardhshme do të duhej të fokusohej në funksionimin e mirëfilltë të ministrive aktuale dhe jo detyrimisht të tentojë të ketë ministri të reja të cilat funksionet nuk i kanë të qarta dhe ndoshta në fund të ditës nuk janë të nevojshme për të pasur sukses më tutje”, ka thënë Arifi.

Shpalosja e dikastereve ministrore është bërë në dy raste vitin e shkuar, fillimisht në tetor kur i mandatuar për kryeministër ishte kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, e më pas edhe një muaj më vonë kur besimin e deputetëve për kryeministër e kërkoi nënkryetari i saj, Glauk Konjufca.

Në mesin e ndryshimeve të propozuara ishte edhe formimi i Ministrisë për Familjen dhe Mirëqenien Sociale, asaj për Administratë Publike e Digjitalizim, e që Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë t’i bashkohej edhe Integrimi Evropian.

Drejtoresha e GLPS-së ka vlerësuar se lidhja e integrimeve evropiane me tregtinë e industrinë është gabim dhe nuk duhet përsëritur në propozimin e radhës për kabinet qeveritar.

“Një propozim i tillë e rrezikon edhe komplet çështjen e integrimit në aspektin se integrimi si çështje kërkon një koordinim ndërinstitucional shumë të madh. Pra është kryekëput koordinim ndërinstitucional dhe një punë shumë e madhe është edhe me Zyrën e Kryeministrit prandaj si propozim i tillë duket që nuk është i menduar mirë dhe në realitet nuk i shërben procesit integrues si i tillë”, ka thënë Arifi.

Në mesin e ministrive që, përveç emrit të udhëheqësit të saj, nuk është propozuar ndryshimi i formatit, është ajo e Punëve të Jashtme edhe Diasporës.

Lirim Krasniqi, drejtues i organizatës “Germin” që merret me diasporën, u shpreh se një ministri e veçantë për diasporën do ta bënte më të lehtë institucionalizimin e çështjeve që lidhen me të, por nuk i zgjidh problemet.

Sipas Krasniqit, nevojitet formimi i strukturave të qarta që shtyjnë përpara agjendat që kanë të bëjnë me diasporën pa hasur në pengesa ndërinstitucionale.

“Në këto katër vitet e fundit edhe pse ka pasur një dinamizim jashtëzakonisht më të madh të punëve me diasporën, disa prej çështjeve siç është strategjia apo ligji kanë ngecur edhe për shkak të ndoshta mungesës së një mandati të qartë për akterë kryesorë brenda kësaj ministrie që mund t’i çojnë punët për diasporën përpara”, ka thënë Krasniqi.

Në lidhje me propozimin që Qeveria të ketë 19 ministri, dhe jo 15 sa ka tani, dhe për arsyet që kanë shtyrë për këtë, përgjigje nuk kanë kthyer nga Zyra e Kryeministrit.