Derisa po vazhdojnë përgatitjet për edicionin e sivjetmë të festivalit ndërkombëtar të dokumentarëve dhe filmave të shkurtër, “DokuFesti” vazhdimisht e mban të lidhur audiencën me filma dokumentarë. Synon çdoherë ta zgjerojë atë e t’ia japë një mostër se çfarë pritet të ketë në edicionin e ardhshëm, të 23-tin me radhë. Këtë po e bën nëpërmjet filmave që do të shfaqen në kuadër të programit “DokuMondays” në kinemanë “DokuKino”.
Filmat dokumentarë janë përzgjedhur me kujdes. Qëllimi është që tematika e tyre të përshtatet me ditën që shënohet. Jo veç pjesa e argëtimit, por synohet të provokohen mendime e të nxiten biseda për çështje të rëndësishme globale, siç janë ndryshimet klimatike, drejtësia shoqërore e harmonia kulturore.
Kështu më 5 shkurt, kur nis Java Botërore e Harmonisë Ndërfetare, do të shfaqet filmi i parë, “The Eternal Memory”, i regjisores Maite Alberdi nga Kili. Filmi ndjek marrëdhënien e gazetares kiliane Augusto Góngora dhe aktores Paulina Urrutia, po ashtu nga Kili. Dokumentari i gjatë përshkruhet si eksplorim i përzemërt i dashurisë dhe kujtesës ku paraqitet rrugëtimi i dyshes dhe ballafaqimi me sëmundjen e Alzheimerit.
Filmi që ishte shfaqur në edicionin e kaluar që u mbajt në fillim të gushtit është edhe i nominuar për “Oscar 2024” në garën e dokumentarëve. Filmi do të shfaqet edhe në Prishtinë në “Kino Armata”, të mërkurën, në kuadër të projektit tjetër të “DokuFestit” - “Stories We Tell”.
Më 12 shkurt është përcaktuar të shfaqet dokumentari “Of Father and Sons” i regjisorit sirian Talal Derki, që trajton lëvizjet radikale xhihadiste dhe trajnimet për terrorizëm në Siri. Është një vështrim intim në një familje të ndikuar nga radikalizmi duke zbuluar kompleksitetin e jetës në një kalifat islamik. Me këtë film do të shënohet Dita Ndërkombëtare për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm.
Dita Botërore e Drejtësisë Sociale, që shënohet më 12 shkurt, do të manifestohet me shfaqjen e dokumentarit “Under the Sun” i ukrainasit Vitaliy Manskiy. Filmi i vitit 2015 përshkruhet si një vështrim unik në Korenë e Veriut, përmes syve të një vajze të re në një shoqëri kontradiktash.
Nën temën “Ndryshimet klimatike dhe modelet e motit të dimrit” do të shfaqet filmi “I am Greta”, ku përfshihet historia frymëzuese e aktivistes suedeze Greta Thunberg dhe beteja e palëkundur e aktivistes së re kundër ndryshimeve klimatike. Filmi i regjisorit suedez Nathan Grossman paraqet luftën e saj ndërkombëtare për t'i bërë njerëzit të dëgjojnë shkencëtarët për problemet mjedisore të botës.
Drejtori artistik i “DokuFestit”, Veton Nurkollari, ka bërë të ditur se në shumicën e rasteve filmat përshtaten me datën që shënohet sa i përket tematikës.
“Në shumicën e rasteve tematika e filmave përshtatet me ngjarjen që shënohet atë ditë. Jemi munduar me ata filmat që i kemi të shënojmë data të rëndësishme. Pak a shumë kjo ka qenë ideja. Do të jetë deri në periudhën e verës dhe e mban të lidhur publikun në një formë derisa të nisë edicioni i radhës i ‘DokuFestit’”, ka thënë Nurkollari, derisa ka bërë të ditur se në lidhje me këto tema parashihet të mbahen edhe disa debate pas muajit mars.
Pos ta mbajë lidhur audiencën për “DokuFestin”, me “DokuMondays” është synuar edhe riaktivizimi i kinemasë “DokuKino” në Prizren.
“Hyrja do të jetë falas dhe shfaqja e filmave do të jetë çdo të hënë deri pak para fillimit të ‘DokuFestit’. Ideja tjetër është edhe riaktivizimi i ‘DokuKinos. Kinemaja ka qenë jashtë funksionit për një kohë fillimisht me këtë projekt të shfaqjeve. Nëpërmjet këtij aktiviteti do të ketë edhe të tjera ngjarje. Por, në përgjithësi synohet promovimi i filmave dokumentarë në ditët e rëndësishme dhe riaktivizimi i ‘DokuKinos’”, është shprehur drejtori i festivalit ndërkombëtar të dokumentarëve dhe filmave të shkurtër “DokuFest”.
Ka treguar se shumica prej filmave që do të shfaqen në kuadër të “DokuMondays” kanë qenë pjesë e edicioneve të mëparshme të festivalit. Stafi paralelisht po përgatitet për edicionin e sivjetmë të “DokuFestit”. Në bisedë me KOHËN, drejtori artistik Veton Nurkollari ka bërë të ditur se deri më tani kanë aplikuar për pjesëmarrje mbi një mijë e 800 filma nga e gjithë bota.
Filmat shfaqen në kinemanë “DokuKino”, nga ora 19:00.
Me ngjarje si “DokuMondays”, që përfshijnë shfaqje filmash dhe jo vetëm, “DokuFesti” synon audiencë të re krahas asaj që tashmë është besnike për më shumë se dy dekada.
Filmat dokumentarë janë përzgjedhur me kujdes. Qëllimi është që tematika e tyre të përshtatet me ditën që shënohet. Jo veç pjesa e argëtimit, por synohet të provokohen mendime e të nxiten biseda për çështje të rëndësishme globale, siç janë ndryshimet klimatike, drejtësia shoqërore e harmonia kulturore